2015-11-25 17:45:00

Papa në Afrikë: Fetë kundër konflikteve ushtarako-fisnore. Zgjidhja në pajtimin e anasjellët .


Posa mbërrini në Najrobi, etapë e parë e udhëtimit apostolik në Afrikë, Papa Françesku kërkoi  të përforcohen vlerat që frymëzuan lindjen e Kenias e shtoi: “Dhuna, konflikti e terrorizmi ushqehen me frikë e mjerim” që “lindin nga varfëria e zhgënjimi”. “Lufta kundër këtyre armiqve të paqes e të prosperitetit – tha Papa në Najrobi – duhet të çohet përpara nga burrat e gratë që, pa frikë, besojnë në vlera të mëdha shpirtërore e politike që kanë frymëzuar lindjen” e Kenias.

“Të vrasësh në emër të Zotit është blasfemi”. Zëri i Papës ngritur kundër justifikimit fetar të atentateve terroriste që kanë përgjakur Parisin, as dhjetë ditë pas, në udhëtimin e tij në Afrikë, tregon peshën e një sfide të madhe që Papa gjen në Kenia, Ugandë e në Republikën e Afrikës Qendrore: rolin e feve, së bashku, për paqe e pajtim edhe në Afrikë, ku terrorizmi kamuflohet më ngjyrë fetare dhe etnike e fisnore.

“Presim nga Papa ndihmën për t’i shëruar plagët e ndarjeve etnike e fetare, për të sjellë mirëkuptimin ndërmjet besimtarëve të besimeve të ndryshme e për ta mposhtur frikën”, kështu pohon James Maria Wainaina Kungu, ipeshkëv i Muranga-s në Kenia. Ipeshkvi kenian i pyetur mbi terrorizmin fetar në Vendin e tij, përmend masakrën e Garissa-s, ku më 2 prill 2015 jihadistët e al Shabaab sulmuan një kolegj të krishterë, duke vrarë 148 vetë, gati të gjithë të rinj. “Në Garissa – nënvizon imzot Wainaina Kungu – qe terrorizëm: al Shabaab depërtoi në Kenia nga Somalia e sulmon sidomos turistët, atëherë Kenia hyri ushtarakisht në Somali, si përgjigje ndaj këtyre sulmeve; është fjala për terrorizëm, e feja nuk ka të bëjë me të. Jo vetëm në Garissa, po edhe në vende tjera al Shabaab sulmon edhe dyqanet, supermarketet, vret të krishterët, hinduistët e myslimanët”.

Sipas ipeshkvit kenian, terroristët e al Shabaab “duan të tregojnë se nuk mund të jetohet në siguri as aty ku ka masa sigurie e kontroll të Shtetit, duan pra të fusin në shoqëri frikën e përçarjen”.

Në Republikën e Afrikës Qendrore, Papa do të prekë me dorë përpjekjen e besimeve të ndryshme për pajtim e paqtim: është Platforma e përbashkët e katolikëve, protestantëve e myslimanëve, krijuar për ta mbrojtur popullsinë civile në situata pasigurie e dhune ndërmjet atyre, që e mbajnë veten besimtarë, pra ndërmjet të ashtuquajturve islamikë e të ashtuquajturve të krishterë.

“Deri më 2012 – tregon Hervé Hubert Koyassambia Kozondo, meshtar katolik i Banguit që studion në Romë – marrëdhëniet me Islamin kanë qenë paqësore, pastaj filluan të hynin në vend mercenarët nga Çadi, nga Sudani, nga Senegali e nga Mali, si rebelë antiqeveritarë të fesë islame; ishte gjë e re në historinë e vendit – tregon prifti ri – por nuk qe thjesht një rebelim, ishin armata pushtuese me mercenarë të huaj, të cilët bastisën strukturat, ushtruan dhunë ndaj civilëve të pafajshëm, nisën shkatërrimin e kulturës së vendit, të zyrave administrative e të simboleve të kombit. Me siguri, pas gjithë kësaj ka diçka më shumë se sa një ngjyrim thjesht fetar, sidoqoftë, nga ky realitet lindi një ndjenjë antimyslimane në popullsinë e krishterë, e cila pësoi sulmin e programuar e të menduar mirë kundër strukturave dhe kishave të krishtera: të gjitha dioqezat u dëmtuan. Nga kjo ndjenjë antimyslimane ka lindur lëvizja e rezistencës të të ashtuquajturit grup të krishterë: e quajnë veten të krishterë, por kanë armë ruse, e lëvizjet e rezistencës përdoren për qëllime të caktuara në nivelin politik.

Ipeshkvijtë kanë thënë gjithmonë se lëvizja e përmendur nuk ka asgjë të përbashkët me krishterimin, as si nxitje, as si identitet, e pa këto veprime antikristiane nuk do të kishte as urrejtje antislame”. “Kemi shpresa të mëdha në Platformën ndërfetare – shpjegon prifti nga Afrika Qendrore – por funksionon deri diku sepse, për shembull, imami nuk ka pushtet mbi myslimanët agresivë. Sidoqoftë po punohet në mënyrë që Papa të gjejë një situatë të përmirësuar e të qetë në vend”.

Historia e Afrikës kohëve të fundit mund të mbështetet në përpjekjet e një dialogu ndërfetar që synon pajtimin ndërmjet popullsive. Liderët myslimanë, katolikë e protestantë ofrohen si ndërmjetësues në negociatat ndërmjet qeverisë së Freetown e rebelëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.