2015-11-25 10:58:00

Avioni i Papës, në fluturim drejt Kenias


Papa Françesku arriti në orën 7.40 në aeroportin e Fiumicinos e, në 8.30, avioni papnor u shkëput nga toka italiane, për të nisur fluturimin drejt Kenias, etapa e parë e shtegtimit apostolik, që do të vijojë në Ugandë e në Republikën Qendrafrikane. Arritja në aeroportin ndërkombëtar “Jomo Kenyata” të Najrobit, parashikohet për orën 17.00, me orën vendase (15.00 me atë evropiane). I ndjekur nga lart prej një helikopteri të policisë, Papa arriti në bord të Ford Focus të Vatikanit, që u ndalua në pistë, pak metra larg nga airbusA330-200 i Alitalias “Giotto”, me të cilin Ati i Shenjtë po vijon shtegtimin drejt Nairobit. Si zakonisht, me çantën e tij të zezë në dorë, Papa u prit, ndërmjet tjerëve, nga imzot Reali, ipeshkëv i dioqezës Porto Santa Rufina, në jurisdiksionin e të cilit ndodhet aeroporti i Fiumicino-s dhe nga autoritete të tjera civile e ushtarake, me të cilat u përshëndet përzemërisht për disa çaste. Menjëherë pas përshëndetjes, Papa, si gjithnjë buzagaz, ngjiti shkallët e, para se të hynte në avion, u kthye edhe një herë nga të pranishmit, duke tundur dorën në shenjë përshëndetjeje.

Telegram i Papës Presidentit italian Mattarella

Papa, sipas traditës së shtegtimeve ndërkombëtare të papnisë, i dërgoi një mesazh Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella: “Në çastin kur përgatitem për shtegtimin apostolik në Kenia, Ugandë e Republikën Qendrafrikane, plot me dëshirë për t’i takuar vëllezërit në fe dhe banorët e këtyre kombeve të dashura - lexohet në telegram - ju drejtoj Ju, zoti President, përshëndetjet e mia plot respekt, të cilat i shoqëroj me lutje të dala nga zemra për të mirën dhe prosperitetin e mbarë popullit italian”.








All the contents on this site are copyrighted ©.