2015-11-24 11:29:00

Papa u përgjigjet letrave të fëmijëve të gjithë botës


“Loyola Press” e Çikagos do të botojë librin e parë e të vetëm për fëmijë, shkruar nga Papa Françesku. Titulli është “I dashur Papa Françesku, dua të rri me ty”. Do të dalë në librari në mars të vitit 2016. Libri, i hartuar nga atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së jezuitëve “Qytetërimi Katolik” dhe nga Tom Grath i “Loyola Press”, përmban përgjigjet personale, që Ati i Shenjtë u dërgon 31 fëmijëve nga 6 deri 13 vjeç, në të gjithë botën. Janë përgjigje për letrat e tyre, shkruar me dorë, e për vizatimet, që i kanë postuar Papës. “Loyola Press” do të publikojë në SHBA-të versionin në gjuhën angleze dhe në atë spanjolle.

Shoqëria e Jezusit e konsideron librin, projekt të vetin ndërkombëtar, prandaj do ta publikojë njëkohësisht në Itali, Spanjë, Meksikë, Poloni, Indonezi, Filipine dhe Indi. Kështu fjalët e Papës do të përhapen njëherësh në pesë kontinente e 26 kombe, duke përfshirë edhe Shqipërinë, Sirinë, Kinën, Kenian e SHBA-të. Janë disa, temat dhe shqetësimet e përbashkëta, që vë në pah libri: dashuria për Papën Françesku e kurioziteti për jetën e tij; shqetësimet për botën e përtejme; një ndjenjë e fuqishme drejtësie, si shoqërore, ashtu edhe teologjike; rëndësia e familjes dhe dëshira e fëmijëve për t’u dëgjuar e për të qenë të rëndësishëm në sytë e të rriturve. Përgjigjet e Papës Françesku janë të menduara mirë dhe i inkurajojnë të vegjlit, duke ripohuar kështu, bindjen e Atit të Shenjtë se fëmijët janë e ardhmja dhe zëri i tyre duhet dëgjuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.