2015-11-24 13:46:00

Ipeshkvi i Lirës: Uganda pret një rreze drite nga Papa


Uganda është etapa e dytë e udhëtimit të Papës në Afrikë, për ku Ati i Shenjtë do të niset nesër. Fillimisht në Kenia, Françesku do të mbërrijë në Entebbe të Ugandës, më 27 nëntor e do të largohet nga vendi për të shkuar në Republikën e Afrikës Qendrore, të dielën, më 29 nëntor. Si është përgatitur Uganda për vizitën e Papës e çfarë pret prej saj? Intervistuam ipeshkvin e dioqezës ugandeze të Lirës, imzot Giuseppe Franzelli:

Presim shumë, sepse katolikët, por edhe krejt popullsia ugandeze, është entuziaste që Papa Françesku po vjen të na takojë. Ndër të tjera, jemi edhe pak krenarë – e mendoj se Zoti do të na falë për këtë – sepse Uganda, tani, bëhet i vetmi vend afrikan, i vizituar nga tre Papë: Pali VI në vitin 1969, Gjon Pali II në vitin 1993 e tani, Papa Françesku. Ka shumë njerëz, që duan të vijnë në Kampala për ta takuar, por, natyrisht, kjo nuk do të jetë e mundur për të gjithë. Papa pritet me padurim, sepse njerëzit e kanë kuptuar se ai është Pjetri, i cili, sipas misionit dhënë nga Jezusi, vjen të vizitojë e të përforcojë në fe vëllezërit e vet. Tema e vizitës së Papës është marrë nga Veprat e Apostujve “Ju do të jeni dëshmitarët e mi”. Lidhet drejtpërdrejt me ngjarjen, që kremtojmë, me 50-vjetorin e kanonizimit të 22 martirëve të Ugandës. Atëherë, janë vetë martirët – e “martir” do të thotë “dëshmitar” – që na ftojnë të reflektojmë ne katolikëve, në përgjithësi, ne të krishterëve, mbi cilësinë dhe forcën e fesë sonë, sot në Ugandë, për të parë nëse edhe ne si ata – e shumica ishin të rinj – jemi në gjendje të qëndrojmë të fortë në fe, pa kompromis e pa frikë. Është një sfidë e madhe, prandaj presim e lutemi që vizita e Papës të sjellë fuqizimin e përtëritjen, për të cilën ka nevojë Kisha Katolike në Ugandë dhe i gjithë vendi.

 Çfarë gjen Papa Françesku?

Një vend, që më 19 tetorin e kaluar festoi 53-vjetorin e pavarësisë. 53 vjet, gjatë të cilave kanë ndodhur shumë gjëra të bukura, për të cilat falenderojmë Zotin: jemi zhvilluar më tej. Por edhe 53 vjet, gjatë të cilave vendi ka kaluar disa herë periudha gjakderdhjeje, me revolta të brendshme, grushte shteti, për të sjellë në pushtet njerëz, që u hakmorrën kundër qeveritarëve të mëparshëm, duke e përçarë kështu, vendin. Pra, është një vend i plagosur. Përsa i përket veriut, pjesa në të cilën unë vetë shërbej si ipeshkëv i Lirës, vetëm prej pak kohësh kemi dalë nga 20 vjetët e rebelimit të Armatës së Rezistencës së Zotit kryesuar nga Joseph Kony. Shkatërruan ç’mundën dhe i ndanë familjet. Tani, kemi nevojë të mendojmë për rindërtimin, jo vetëm material – ndërtesa të shkatërruara, rrugë që s’ekzistojnë më – por edhe për rindërtimin e indit moral të popullsisë, duke nxjerrë sërish në pah vlerat e krishtera, të harruara apo të sulmuara nga dhuna, gjymtimet, rrëmbimet e nga dëshira për hakmarrje. Kemi nevojë ta marrim veten nga kjo traumë, sepse popullsisë së veriut do t’i duhen së paku dy breza për të dalë prej saj. E gjendja nuk është më e mirë në pjesën tjetër të vendit. Kemi dy këndvështrime nga pikpamja etnike dhe politike. Uganda është demokraci e brishtë, ku për vite, kemi pasur një parti të vetme. Kur u vendos shumëpartitizmi u përhap edhe prirja për ta parë atë, që bën pjesë në partinë apo në grupin tjetër, jo si vëlla e motër i së njëjtës familje me ide të ndryshme, por si armik. Kjo ndodh edhe sot, sepse jemi në periudhën parazgjedhore e në shkurt të vitit të ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet. E ndjejmë se atmosfera po ndizet. Prandaj, shpresojmë e lutemi, që ardhja e Papës Françesku të jetë ftesë për pajtim, për respekt të ndërsjellë, për ta kuptuar se jemi të gjithë bij të të njëjtit Atë Qiellor. E kjo, edhe në nivelin ekumenik, sepse nuk vlen vetëm për ne, katolikët. Martirët ugandezë, që nderojmë ne katolikët, janë 22. Janë edhe dy katekistë të tjerë të veriut – Jildo e Daudi – që janë shpallur të Lumë. Por, së bashku me martirët katolikë, janë djegur e vrarë edhe 22-23 anglikanë, pikërisht sepse ishin të krishterë. Ja pra, që vizita e Papës, me ndalesën në vendin e martirizimit të anglikanëve, është ftesë e thirrje për të parë atë, që na bashkon, më tepër se atë, që na ndan.

A mund të na përshkruani si është Kisha në Ugandë?

Është Kishë, fryt i gjakut të martirëve, që është kthyer vërtet në farë të krishterësh. Ndër 34 milion banorë, kemi 14-15 milion katolikë, pastaj vijnë anglikanët dhe besimet e tjera të krishtera, si edhe një grup myslimanësh, që janë pakicë, të vendosur vetëm në disa zona të vendit. Pastaj, kemi shoqata, lëvizje laikësh, që dëshmojnë gjallërinë e kësaj Kishe. Ky është aspekti pozitiv. Sfidat kanë të bëjnë me bashkekzistencën e fesë së krishterë me traditat kulturore të mëparshme, që shpesh, dalin në pah në çastet e krizës. Për shembull, megjithëse shkojnë në meshë të dielave e janë të krishterë, në shumë fshatra, nëse të martën fëmija sëmuret, prindërit shkojnë tek xherahu i fshatit, ose bëjnë magji apo gjëra të tjera, që nuk përkojnë me fenë e krishterë. Tani kemi edhe sfidën e korrupsionit, i cili ka hyrë në nivele të frikshme në jetën shoqërore, ekonomike e politike të vendit. Por e keqja më e madhe është se janë të shumtë ata, që e konsiderojnë si diçka normale. Kemi nevojë të zgjohemi, të kthehemi tek feja e vërtetë, që shihet me vepra, në praktikë e jo vetëm në lutje. Pra, në jetën e Kishës ugandeze ka dritë e hije, si gjithkund, mendoj. Ne shpresojmë e lutemi që vizita e Papës Françesku të sjellë një rreze drite e të na inkurajojë për t’i dhënë një shtysë gjithçkaje pozitive e për ta lënë mënjanë çdo gjë, që e pengon jetën e krishterë të vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.