2015-11-23 12:08:00

Rektori i katedrales së Banguit: Papa në Afrikën Qendrore, hir e shpresë


Të mërkurën, Papa Françesku fillon udhëtimin e tij të parë apostolik në Afrikë. Fillimisht ndalet në Kenia, pastaj në Ugandë dhe, së fundi, në Republikën e Afrikës Qendrore. Dhjetë ditë para përurimit zyrtar të Jubileut të Mëshirës, Papa do të hapë Portën Shenjte në katedralen e Banguit, në Republikën e Afrikës Qendrore, të dielën, më 29 nëntor. Për këtë ngjarje të shënuar, që do të ndodhë ndërsa vendi është përfshirë nga tensione e dhunë, pyetëm rektorin e katedrales, don Mathieu Bondobo:

         Është vërtet një çast hiri për krejt popullin e Republikës së Afrikës Qendrore. Jubileu është vit mëshire dhe, siç ka thënë Papa, është Vit i shenjtë i Mëshirës, i faljes, i këtij Zoti, që shkon drejt çdo populli e, në këtë rast, vjen drejt popullit të Afrikës Qendrore. Përmes Portës Shenjte, Zoti vjen të na takojë e na hap derën, na tregon rrugën që na çon tek Hyji. Kjo rrugë kalon përmes faljes e mëshirës. Ky i Papës, është gjest i jashtëzakonshëm, është hera e parë që ndodh në histori. Këtë nënkupton Papa, kur flet për periferitë. Zgjodhi Afrikën Qendrore, një vend që po jeton një çast të vështirë të historisë së vet. Atje, Lajmi i Mirë, Ungjilli, i arrin këtij populli për ta ndihmuar të dalë nga gjendja e tmerrshme, që po përjeton për të jetuar në paqe e për t’u takuar me Krishtin, sepse Krishti është edhe kjo portë, përmes së cilës kalojmë për të hyrë në shtëpinë e Atit të tij.

         Republika e Afrikës Qendrore jeton prej vitesh në luftë civile. Vendi është shkatërruar krejtësisht e bën pjesë në grupin e më të varfërve të botës. Gjesti i Papës, a ndikon edhe në historinë, politikën e tij, apo jo?

         Po, sepse ne të Afrikës Qendrore, presim të dalim nga kjo krizë shumëvjeçare, presim paqen. Nganjëherë, lodhja bën të vetën; bëhen përpjekje, që shpesh nuk sjellin asgjë të re, por përmes këtij gjesti, përmes hapjes së Portës Shenjte, realizohet të paktën një shpresë: nuk duhet të themi “kurrë” në jetë, edhe kur gjërat shkojnë keq, sepse nëse kemi fe e nëse lutemi, Zoti na dëgjon. Ne jemi lutur shumë për fundin e kësaj krize, e kemi ngritur zërin drejt Hyjit të Tejetlartë për t’i kërkuar: “Eja e na ndihmo!”. Besojmë vërtet se përmes këtij udhëtimi, kësaj vizite të Atit të Shenjtë, vetë Zoti vjen të gjykojë popullin e vet. Në këtë mënyrë po i përgatisim besimtarët që të presin mesazhin e Françeskut.

         Ju vetë çfarë shpresoni për të ardhmen e vendit? Çfarë prisni nga vizita e Papës?

         Unë shpresoj paqen për vendin tim, sepse gjendja është e tmerrshme. Ka njerëz, që vdesin çdo ditë; ka njerëz, që kanë humbur çdo gjë; ka njerëz, që kanë parë si u digjeshin shtëpitë; ka fëmijë, që nuk mund të shkojnë në shkollë; ka të plagosur, e plagët e rënda nuk janë vetëm fizike. Pra, gjendja në Afrikën Qendrore është e tmerrshme! Shpresoj dhe i uroj paqen vendit tim. Besoj vërtet në këtë. Besoj se vizita e Atit të Shenjtë është që tani pikënisje, faqe e re, që po fillojmë të shkruajmë për Afrikën Qendrore. E ne e shkruajmë këtë faqe së bashku me Zotin, sepse ky Vit Jubilar, që nis me hapjen e Portës Shenjte në Bangui për herë të parë në histori, besoj është mesazh nga lart, nga Hyji, sepse Ati Qiellor e ka vizituar popullin e vet e në këtë rast, popullin e vet në Afrikën Qendrore.








All the contents on this site are copyrighted ©.