2015-11-23 11:10:00

Françesku: shkoj në Afrikë si lajmëtar i paqes dhe i pajtimit


Pres më gëzim çastin kur “do të jemi së bashku”. Kështu pohon Papa Françesku në dy videomesazhe për popullsitë e Kenias, të Ugandës e të Republikës së Afrikës Qendrore, vetëm dy ditë para nisjes për në udhëtimin apostolik në Afrikë. Ati i Shenjtë nënvizon se shkon në tokën afrikane si lajmëtar i paqes, për të promovuar “mirëkuptimin” dhe “respektin” pa dallime feje, ose etnie.

Në Kenia e Ugandë për të promovuar mirëkuptim e respekt

         Videomesazhet janë për Papën mënyra për t’i përshëndetur e për t’u drejtuar fjalë miqësie popujve, që shkon t’i takojë personalisht. Françesku u thotë se dëshiron të “shpallë dashurinë e Jezu Krishtit dhe mesazhin e tij të pajtimit, të faljes e të paqes”. Nënvizon se Ungjilli u kërkon të gjithëve ta hapin zemrën për të tjerët, sidomos për të varfërit, por edhe për besimtarët e feve të tjera.

        “Po jetojmë – vëren Ati i Shenjtë në mesazhin për Keniën e Ugandën – në kohë kur, kudo, besimtarët e çdo feje e njerëzit vullnetmirë janë të thirrur të nxisin mirëkuptimin e respektin e anasjelltë, të mbështesin njëri-tjetrin si anëtarë të së njëjtës familje njerëzore. Për të gjithë ne, janë bij të Zotit”. Një çast i veçantë i vizitës, tregon Papa, do të jetë takimi me të rinjtë, pasuria kryesore e këtyre vendeve dhe shpresa për të ardhmen.

Në Republikën e Afrikës Qendrore si lajmëtar i paqes

         Viedomesazhi i dytë i drejtohet popullsisë së Republikës së Afrikës Qendrore. Papa shpreh gëzimin dhe afërsinë me njerëzit e atij vendi, “pavarësisht nga etnia apo besimi fetar”. Vë në dukje dhunën dhe pasigurinë, që e karakterizojnë vendin tashmë prej kohësh, i ndarë siç është ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, që kanë ngritur armët njëri kundër tjetrit. Qëllimi i vizitës, pohon Ati i Shenjtë, është “t’ju sjell, në emër të Jezusit, ngushëllim e shpresë”. “Shpresoj me gjithë zemër – vijon Papa – që kjo vizitë të kontribuojë, në një mënyrë apo në një tjetër, për të lehtësuar plagët tuaja e për të favorizuar kushtet për një të ardhme më të qetë për Republikën e Afrikës Qendrore dhe për të gjithë banorët e saj”. Së fundi, Papa Françesku shton se shkon në këtë vend si lajmëtar i paqes, me dëshirën për t’i dhënë një shtysë dialogut ndërfetar.

Të impenjohemi për të botë më të drejtë e më vëllazërore

         Duke komentuar moton e vizitës në Republikën e Afrikës Qendrore, “Të kalojmë në bregun tjetër”, Ati i Shenjtë i fton bashkësitë e krishtera të ecin përpara me vendosmëri dhe inkurajon secilin prej besimtarëve t’i përtërijë marrëdhëniet me Zotin e me vëllezërit për të ndërtuar një botë më të drejtë e më vëllazërore. “Do të kem gëzimin – e mbyll videomesazhin – të hap për ju, para afatit, Vitin jubilar të Mëshirës, i cili, shpresoj, do të jetë për secilin, rast providencial për faljen e vërtetë, rast për të marrë e për të dhënë, për t’u përtërirë në dashuri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.