2015-11-22 18:27:00

Të Lumë 26 martirë Kapuçinë. Kard. Amato: të krishterët, të persekutuar e të harruar


21 nëntor. Barcelonë. Spanjë. Lumnohen Federico da Berga (në shekull Martino Tarrés Puigpelat) dhe 25 shokë të tij, meshtarë e vëllezër laikë të Urdhërit të Vëllezërve të Vegjël Kapuçinë. Të gjithë, martirë. I pranishëm në kremtim, përfaqësuesi i Papës, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

I lindur në Berga të Katalonjës (Spanjë), Martino Tarrés Puigpelat hyri në Urdhërin kapuçin në vitin 1896. Në vitin 1921 u zgjodh provincial i Katalonjës, shërbesë që e kreu deri në vitin 1924. Rregulltar dhe epror aktiv e i përkorë, u mbyt nga marksistët në Barcelonë, më 17 shkurt 1937, vetëm pse ishte meshtar. Emri i tij figuron në krye të grupit të martirëve kapuçinë të Katalonjës: 15 meshtarë, 6 ministrantë dhe 5 vëllezër laikë, vrarë në Barcelonë nga duar marksiste, gjatë periudhës së Republikës së Frontit Popullor. Procesi dioqezan nisi më 28 mars 1957, për t’u rishqyrtuar më 13 mars 1995. Positio u dorëzua më 15 mars 2005. Papa Françesku e njohu martirizimin in odium fidei të atë Federikut dhe të 25 shokëve të tij, më datën 5 qershor 2015. Më 21 nëntor 2015 u lumnuan në katedralen e Barcelonës.

Në një intervistë dhënë Radio Vatikanit, kardinali Angelo Amato kujton:

Përgjigje: - U vranë gjatë persekutimit fetar të viteve 1936-37, kur Kisha spanjolle u bë fushë tragjike e vdekjes, me zhdukjen e dhunshme të mijëra e mijëra njerëzve të pafajshëm: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, laikë. Në këtë kohë u vranë rregulltarë e rregulltare, që u përkisnin kongregatave të mirënjohura nga shoqëria spanjolle e nga nevojtarët. Ishin Benediktinë, Agostinianë, Françeskanë, Dominikanë, Karmelitanë, Trinitarë, Mercedarë, Jezuitë, Bija të Dashurisë, Bija të Zojës Ndihmëtare, Skolopë, Vëllezër të Urdhërit Spitalor të Shën Gjonit të Zotit, Maristë, Marianistë, Klaretinianë, Salezianë e shumë e shumë të tjerë.

Pyetje: - Çfarë na kujton sot martirizimi i këtyre të Lumëve kapuçinë?

Përgjigje: - Martirizimi i këtij grupi kapuçinësh na kujton se mizoria antikristiane vijon edhe sot e kësaj dite. Sipas një raporti të “Ndihmë për Kishën që Vuan” (ACS), botuar pak muaj më parë, të krishterët janë grupi fetar më i persekutuar, e edhe më i harruar, në botë. Mjetet e komunikimit shoqëror, për fat të keq, nuk flasin për kufizimet e rënda të lirisë fetare që pësojnë të krishterët. Sot janë më se 22 vende,  në të cilat të pagëzuarit vuajnë nga dëbimet, persekutimet e vrasjet. Po kujtojmë vetëm një shembull: në Garisa të Kenies, u mbytën 147 studentë afrikanë, vetëm pse ishin të krishterë. U therën si kafshët në thertore, për shkak të një urretjeje të shfrenuar kundër Kryqit të Krishtit, Martirit të parë të Kishës!








All the contents on this site are copyrighted ©.