2015-11-22 16:50:00

Françesku: në një botë të trazuar, duhen gjeste mëshire


Përballë botës së trazuar e të plagosur, ta bëjmë të pranishme Mbretërinë e Hyjit me gjeste mirëkuptimi e mëshire. Kjo, nxitja e Papës Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, përplot me besimtarë e me rreze dielli. Duke kujtuar solemnitetin e Krishtit, Mbret i universit, Papa i nxiti të krishterët ta refuzojnë logjikën e botës e të ndjekin logjikën ungjillore, që shprehet në përvujtërinë e në dhurimin e vetvetes.

Në solemnitetin e Jezu Krishtit Mbret i universit, Papa Françesku bëri thirrje të fuqishme për paqe e pajtim. E bëri, duke iu lutur Virgjërës Mari e duke u kërkuar të gjithë njerëzve vullnetmirë të mos i nënshtrohen dhunës:

“Përballë trazirave të shumta të botës e plagëve të tepërta, që hapen në trupin e njerëzve, i kërkojmë Virgjërës Mari të na ndihmojë në angazhimin tonë për t’i përngjarë Krishtit, mbretit tonë, duke e bërë të pranishme mbretërinë e tij me gjeste dashurie, mirëkuptimi e mëshire”.

Logjika ungjillore fitoftë mbi logjikën e botës

Meditimi i Papës u ndal tek Jezusi, që i paraqitet Pilatit si mbret, po jo si sovran i kësaj bote. Jemi para kundërvënies ndërmjet dy logjikave, asaj të botës e asaj të Ungjillit:

“Logjika e botës mbështetet mbi ambicien e konkurrencën, lufton me armët e frikës, të shantazhit e të manipulimit të ndërgjegjeve. Ndërsa  logjika e Ungjillit, domethënë logjika e Jezusit, shprehet në përvujtërinë e në dhurimin e vetvetes, pohohet pa u ndjerë, por me frytin dhe forcën e së vërtetës. Mbretëritë e kësaj bote nganjëherë mbahen mbi prepotencën, rivalitetin, shtypjen; mbretëria e Krishtit është mbretëri e drejtësisë, e dashurisë, e paqes”.

Për të krishterin, fuqi e vërtetë është dashuria e Jezusit

Jezusi, vijoi Papa, e tregoi se ishte mbret mbi Kryq. Kush shikon Kryqin  e Krishtit nuk mund të mos shikojë dhurimin më mahnitës të dashurisë. Ai, që duket si dështim, vërejti duke folur lirisht Ati i Shenjtë, në të vërtetë është dështim i mëkatit, i ambicieve njerëzore. E njëkohësisht, është ngadhënjimi i Kryqit:

“Të flasësh për pushtet e për forcë, për të krishterin do të thotë të  kujtosh pushtetin e Kryqit e fuqinë e dashurisë së Jezusit; një dashuri që mbetet e fortë dhe e plotë edhe përballë refuzimit e që duket si përmbushje e një jete të shkrirë në dhurimin e plotë të vetvetes, në favor të njerëzimit”.

Krishti është mbret, që shërben për dashuri, jo mbret, që sundon

Nëse Jezusi do të kishte zbritur nga kryqi, vërejti Papa, do t’i ishte nënshtruar tundimit të princit të kësaj bote; ndërsa Ai nuk mund ta shpëtojë vetveten, pikërisht që të mund t’i shpëtojë të tjerët. E,  duke folur përsëri jashtë tekstit zyrtar,  shtoi:

“Të thuash: ‘Jezusi dhuroi jetën për botën’, është e vërtetë, por është më bukur të thuash: ‘Jezusi dhuroi jetën për mua!’. E sot, në shesh, secili nga ne të thotë në zemër të vet: ‘E dha jetën për mua’, për të shpëtuar secilin nga ne prej mëkateve tona'”.

E kjo, vijoi, është forca e mbretërisë së Krishtit: dashuria. Prandaj pushteti mbretëror i Jezusit nuk na shtyp, por na çliron nga ligështitë e mjerimet tona, duke na dhënë guxim për t’i përshkuar udhët e së mirës, të pajtimit, e të faljes, ashtu siç i kupton Hajduti i Mirë, i mbërthyer mbi kryq pranë Jezusit.

Shtegtimi në Afrikë, shenjë dashurie e afërsie

Duke përshëndetur shtegtarët, Papa kujtoi shtegtimin e tij të afërt, e të parë, në Afrikë, ku do të vizitojë Kenien, Ugandën e Republikën Qendrafrikane:

“Ju kërkoj ju të gjithëve të luteni për këtë udhëtim, që të jetë për gjithë këta vëllezër të dashur, e edhe për mua, shenjë afërsie e dashurie. T’i kërkojmë së bashku Virgjërës Mari t’i bekojë këto troje,  që të kenë paqe e përparim”.

Së fundi Papa kujtoi Lumnimin, në Barcelonë, të Federico da Berga dhe të 28 shokëve të tij martirë, të vrarë në Spanjë, gjatë persekutimit të egër kundër Kishës në shekullin e kaluar. Ndërmjetësimit të tyre Papa ia besoi  motrat e vëllezërit tanë të shumtë që, për fat të keq, edhe sot, në vise të ndryshme të botës, persekutohen për shkak të fesë në Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.