2015-11-20 17:18:00

Papa: prifti i mirë i do njerëzit e tij, nuk është kurrë i ashpër


Prifti nuk duhet të jetë i ashpër, “profesionist i baritorisë”, por njeri gjithnjë pranë popullit, për të cilin është atë e vëlla, e sidomos, duhet të jetë apostull i gëzimit të Ungjillit. E ripohoi Papa, duke pritur sot pjesëmarrësit e Kuvëndimit organizuar nga Kongregata për Klerin, përqendruar mbi dy dokumente konciliare, kushtuar meshtarisë: “Optatam Totius” dhe “Presbyterorum ordinis”, 50 vjet pas shpalljes së tyre.

Që nga çasti, kur nis të kumtojë Lajmin e Mirë, prifti nuk mund të jetë  tjetër, veçse portreti i gëzimit të Ungjillit. Pozat prej funksionari, pakëz hijerëndë, që kërkon hapësira private, shkëputur prej njerëzve, ose fytyra që nuk janë në gjendje ta fshehin trishtimin, sepse prej njerëzish të parealizuar, nuk mund të bëjnë pjesë në bagazhin e një shërbyesi të Zotit.

 Nuk jeni kërpudha, që mbijnë rastësisht pas shiut, por njerëz të vënë në shërbim të të tjerëve, të pranishëm gjithnjë ndërmjet të tjerëve, u kujtoi Papa meshtarëve.

Prej këndej, duhet të jeni gjithnjë të qetë, kurrë njerëz me nerva të ngritura. Priftërinjtë, vijoi të theksojë Papa, duhet të jenë njerëz paqësorë e paqëtues, të krijojnë paqe rreth vetes, edhe në raste të lodhshme, duke u përcjellë të gjithëve, bukurinë e lidhjes me Zotin. Nuk është normale që prifti të jetë i trishtuar, nervoz, me karakter të ashpër, ngacmues. Kjo nuk i bën mirë as priftit e as popullit.

Ju lutem - theksoi Françesku duke iu drejtuar priftërinjve me zë ati - mos lejoni kurrë që besimtarët t’i paguajnë nevrozat e priftit.  Mos u vini drunë besimtarëve, po të jeni gjithnjë pranë tyre me gjithë zemër. Sepse nuk ka mundësi të ketë shërbëtorë, që kafshojnë! Prej këndej, kërkoi dashuri e afërsi e, sidomos, formim sa më të kujdesshëm në seminare, që meshtarët të kenë tri cilësitë e domosdoshme: “afërsi, mëshirë të dalë nga zemra, shikim plot me dashuri”.

Prifti nuk mund të ketë hapësirë private, sepse është gjithnjë o me Zotin, o me popullin. Kujtoj, vijoi Papa, priftërinjtë, që kam njohur në qytetin tim, kur nuk ekzistonte sekretaria telefonike. Flinin me telefon mbi komodinë e në çfarëdo ore t’i thërrisnin, brofnin në këmbë për të dhënë vajimin: nuk vdiste kush pa sakramente. As kur pushonin, nuk kishin hapësira private. Ky është zelli apostolik!








All the contents on this site are copyrighted ©.