2015-11-20 15:02:00

Papa pret Poroshenkon: paqe për Ukrainën, të kërkohen rrugëzgjidhje politike


Papa Françesku priti sot presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko. “Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, u ripohuan marrëdhëniet e mira të Selisë së Shenjtë me Ukrainën dhe iu kushtua vëmendje e veçantë çështjeve të lidhura me situatën e konfliktit në vend. Lidhur me këtë, mendimi i përbashkët ishte se me angazhimin e të gjitha palëve të interesuara, do të pëlqehen më shumë rrugëzgjidhjet politike, duke nisur nga realizimi i plotë i marrëveshjeve të Minskut”.

Njëkohësisht u shpreh edhe shqetësimi për vështirësitë në përballimin e situatës humanitare, me vëmendje të posaçme mbi hyrjen e organizmave të specializuara në zonën e prekur nga ndeshja, mbi ndihmën shëndetësore, shkëmbimin e të burgosurve si dhe mbi dëmet ekonomike e shoqërore, pasojë e konfliktit, në të gjithë territorin.

Takimi, përfundon Salla vatikanase e Shtypit, ishte rast për të vënë në pah rolin e rëndësishëm të Kishave në shoqëri, e jo më pak, edhe kontributin e bashkësisë greko-katolike e edhe asaj të ritit latin në jetën e vendit.








All the contents on this site are copyrighted ©.