2015-11-20 14:27:00

Më 20 nëntor kujtojmë dom Ndre Mjedën në përvjetorin e ditëlindjes


Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 20 nëntor kujtojmë  dom Ndre Mjedjën në përvjetorin e lindjes. Dom Ndre Mjedja, meshtar, poet e gjuhëtar i madh, që mbeti në kujtesën e popullit si këngëtari i "Bylbylit në kafaz", i  "Rinisë" e i "Andrrës së jetës", një ndër fytyrat më të ndritura të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare. Lindi në Shkodër, më 20 nëntor 1866,  për t'u përshkuar pastaj tërë jetën nëpër rrugët e pafundme të botës së madhe, nga Lavali i Francës, në Manrezë të Spanjës; nga Kraljevica e Bosnjës-Hercegovinës në Chieri të Italisë, nga Krakovi i Polonisë në vendlindje e në fshatin Kukel. 

Shumë e njohur është veprimtaria e Mjedës, që nuk bën pjesë në të mohuarit, por në të keqinterpretuarit e Letërsisë shqipe.  Në veprën “Jezuitët Martirë në në Shqipëri” botuar pak vjet më parë nën kujdesin e Jezuitit italian Atë Armando Guidetti, me të drejtë shkruhet: “ Po të ishte gjallë Mjedja do të shkumbëzonte nga  përçmimi kundër atyre që kanë guxuar të vënë në dyshim ortodoksinë e tij katolike e tomistike, teologjike e filozofike”.(“Gesuiti  Martiri in Albania”,  Cusano Milanino, Febbraio, 1966, fq. 45)

Prandaj  duke e përkujtuar sot në përvjetorin e lindjes, po vemë theksin mbi veprat e tij më pak të njohura, ato fetare. Ndonëse shumica e veprave fetare të dom Mjedës janë përkthime apo përshtatje, mund të themi me plot gojën se me to Meshtari dha një ndihmesë të shquar për vazhdimin e traditës katolike të përkthimit si dhe të prozës shqipe.

Ndër veprat fetare të dom Ndreut mund të përmendim: “Jeta e Shêjtit Shë Njon  Berkmansit” që e përshtati prej  italishtes më 1888, kur ishte vetëm 22 vjeç, “Të Pergiámit e Zojës së Bekueme”, përshtatur prej spanjishtes më 1892, e ribotuar më 1927: “Lumnít e Zojës” përshtatur prej italishtes, botuar më 1929; “Devocioni i Zemrës së Jezu Krishtit”, përshtatur prej frëngjishtes më 1931; “Katekizmi i Madh” përshtatur prej italishtes.

Ribotoi edhe 14 Ligjërata të Imzot Pjetër Bogdanit, të cilat i pajisi me një parathënie të vetën me titull: “Jeta e së Lumes Virgjin Mërí nxjerrun prej veprës “Cuneus Prophetarum”.

Pas këtyre përkthimeve, shkroi veprën origjinale “Shën Luigj Gonzaga”, Projsi i pergjithtë i moshës së rë". Në XXI kapituj tregohet jeta dhe vepra e Shenjtit që u shpall nga Papa Pio XI “Pajtor i rinisë”, ndërsa në kapitullin e XXII e të fundit botohet Letra Apostolike që Piu XI i drejtoi Eprorit Gjeneral të Shoqërisë së Jezuitëve me rastin e  kremtimeve të dyqindvjetorit të shenjtërimit të Shën Luigjit, përmes së cilës, siç thotë ai vetë, ka për qëllim t’i flasë mbarë moshës së re.

Në kreun e parë - siç e quan Mjedja, lexojmë: “Luigj Gonzaga! Êmen qi ká mbushë tokën me fatosa e qiellen me êjë; që ka begatë bashtinën e Jezu Krishtit me punëtorët mâ të vjefshem; qi ká bâ me lulëzue nder kolegja e nder kuvende zamakët mâ të kândshem të  nji pastrís êjëllore; qi ká xë mjeshtrat mâ të mëdhaj të harteve të bukra, me shkrí dijen e mjeshtrín e vet me përhapë fëtyren e tij në të kater anët e botës; me ndertue ltërna e kisha gjithkû permêndet fëja e Krishtit, prei qândres së Kështênimit në Romë, e deri në mâ të largtin katund ndertue rishtas prei gjindsh, qi vllaznit e tyne të gjytetnuem kerkuene nder pyje të páshteg, nder shkretína të mndërshme të Afrikës e t’Amerikës, e joshne me u mbledhë së bashkut , për të paren herë me kalue nji jetë njerzore; emën që lëshon nji erë të kandshme në zemrë të nanave, qi hitasin me ju vú at’êmen fëmijvet, qi të jenë shembull urtijet, kënaqja e zemrave e ndera e shtëpisë së tyne.

Në kreun XXII të librit, që titullohet “Zani i Shêjtit Atë Papë” shpjegohet edhe arsyeja që e shtyu dom Mjeden lirik e gjuhëtar, t’i kushtonte aq shumë kohë biografisë së një Shenjti: ...me ndjekë shembullin e Luigjit, do me thânë me i pergiá e me shkue mbas gjurmëve të tija: bisedat e mira, dishiri per Misjone shêjte, mësimi i të vertetave të Fës, e veprat e mëshirshme gjithnduersh - s’kishte me u lypë tjeter veç njikaq prej moshës së rë katolike, per me persritë Apostullimin e Luigjit, simbas nevojëve të soçme... (gjâ qi do të ndikonte në mënyrë vendimtare – shënimi ynë) per mirërritjen e pshtimin e të ríve, sidomos në ket kohën tonë plot me rreziqe per ta...- shkruhet në Letrën Apostolike të Shenjtit Atë Papë.

Një tjetër vepër me karakter fetar është “Historia Shêjte” kryevepër e llojit, që bashkon gjuhën e stilin popullor e  atë të kultivuar njëherit.

Vepër e dom Mjedës është edhe një nga librat më të njohur  e më të përdorur të uratëve, apo, siç quhet nga populli, oficja: “Vizari Shpirtnuer”, e cila përmbledh lutjet e këngët kryesore të Kishës dhe përdoret edhe sot nga besimtarët.

Duke lexuar veprat me tematikë fetare të Dom Ndre Mjedës së madh, ndjejmë gati gati po atë kënaqësi që buron nga kryeveprat e tij lirike. Në kohën tonë kur libra si të Mjedës janë tepër të rrallë, kur Kisha ka aq nevojë për kryevepra fetare, mendojmë se do të ishte mirë të ribotoheshin veprat më të realizuara të traditës, si bie fjala “Shë Luigj Gonazaga” ose “Historia Shêjte”, shkruar me dorë mjeshtri, artisti e shkencëtari, sesa të inkurajohet botimi i veprave të dobta, sepse, siç dihet, veprat e dobta s’do të bënin tjetër, veçse ta zbehnin interesimin e jashtzakonshëm që ka treguar e tregon rinia e posa zgjuar katolike  shqiptare për Kishën e për  figurat e saj  të mëdha.

Dom Ndré Mjeda: Gjyha Shqype

Permbi zà qi leshon bylbyli
Gjuha shqype m’ shungullon
Permbi ere qi nep zymyli
Pa da zemren m’a ngushllon.

Nder komb’ tjere , nder dhena tjera
Ku e shkoj jeten tesh sa mot
Vec per ty m’rreh zèmra e mjera
E prej mallit derdhi lot.

Njikto gjuhe qi jam tui ndie
Jane te bukra me temel
Por prep kejo , si diell pa hije
per mue t’anave ju del.

Edhe zogu kerkon lisin
Mbi shpi t’arte ku rri me mbret
E shtegtari dishron fisin
Permbi vend qi s’asht i vet.

O Shqypni e mjera Shqypni
Plot me burra e trima plot
Ti’j dit’ishe , por lumnija
Qi ke pasun nuk à sot.

Nen njat toke qi t’a shkel kamba
Zan’ e t’mocmeve veshtro
Per bij t’tashem , porsi e ama
E t’korritunve, gjimo!

Nam e zà , qi kishe, t’treti
E vec turpi e marrja t’mbeloj
Per lumni vec kore t’mbeti
Qysh se fara e mire mbaroj.

Por gazmo nder gjith kto t’vshtira
Perse ende s’sharove kret
Dicka t’mbet nder ato t’mira
Mbas dymij e ma shume vjet.

T’ka mbet gjuha qi po ndihet
N’fush’ e n’mal qi ti zotnon
Gjith ‘ku hija e jote shtrihet
Ku shqyptari zàn’ e leshon.

Prei Tivarit e n’Preveze
Nji à gjuha e Kombi nji
Ku leshon dielli njato rreze
Qi vec tokae jote i di.

Ku n’breg t’Cemit rritet trimi
Me zbardhe, Shqype zanin tàand
E ku i drinit à bunimi
Qi shperndahet kand e kand.

Geg e Toske, malci, jallia
Jan nji komb m’u da s’duron
Fund e maje nji à Shqypnia
E nji gjuhe t’gjith na bashkon.

Kjoft mallkue kush qet ngatrime
Nder kto vllazen shoq me shoq
Kush e dan me flek’ e shkrime
Ca natyra vet perpoq.

Kur nji burre u cue n Austri
E me sy gjithkund t’kerkoj
Gustav Meyer-i asht emni i tij
Emni i burrit qi t’madhnoj.

Porsi dielli tui flakue
Shperndan terin qi na mbelon
Njashtu Meyer-i tui kerkue
Kah ke dal po ta difton.

Vjersha u shkrua ne Krakov (Poloni) ne dhjetor 1892.

>Kjo vjershe e Mjedes i kushtohet Gustav Meyer-it albanologut te shquar (1850-1900), autor i shume studimeve per gjuhen shqipe dhe me te cilin Mjeda mbante leterkembim. Vjersha u shkrua ne Krakov (Poloni) ne dhjetor 1892.

Dom Ndre Mjeda: Fuqija e uratës

A s’shef sa thellimi
Per rreth na kercnohet?
Sa lodja dikohet
Mi botë, qi ti shklet?

N’ valë t’ mndershme t’ ktij shekull
Perhidhet nier-shkreta,
E idhtë i shkon jeta:
Vec toka s’ pelset!

Sa kobe e t’ papritne
Mi te kan randue,
E ‘i dorë, pa pushue,
Nder t’ vshtira e pershkon.

Heu! Peshen e mkatit
Aj ndien e krahnori
Dishmon, se mkatnori
Mi tokë ka pse dron.

Ke ra kurr nder faje?
Co menden kah qilli
Njandej kah vjen kshilli,
E thirri Tenzot.

E lypi Atij të Lumit,
Me fe e me shpnesë,
Me vaj e me dnesë
Pendimin c’ me sot.

A balcem urata
Per zemer t’ pendueme;
Pendimi e ban t’gzueme
Pse mkatesh u shkep.

Ma t’ kandshem asht t’ flaunt
Qi, vetë Zemra e Zotit,
Rreth gjireve t’motit,
Fajtorit i nep.

Prandej perherë lutu,
Uratës mos i a daj:
N’ per t’ lutna e me vaj
Me t’ Naltin pajto.

Pajto, sa a’ tuj t’pritun,
Pajto, e ato faje
Pendesa t’ i laje;
N’ pajtim mos vano!

Pajto? – Kam pajtue
Pse vetë Perendija
Shljeu fajet e mija
E shpirtin m’ a gzoi.

E shof; nderës i falem
Ulë ballin per dhe,
Me shpnesë e me fe,
Pse m’ njalli edhe m’pshtoi.

Per mue, dikur t’mjerin,
N’ kto lugje morrizit
Filluen dit Parrizit
C’ se pagja po m’ kthen!

Por n’ qiell pres plotsimin
E ktyne lumnive,
Atje, mas stuhive,
A ‘i Zot, qi shpreblen.

Ktij due me i sherbye,
E i tij due me metë
N’ tallaze t’ ksajë jetë,
Nder kobe e n’ mjerim.

O jetë, jetë e lume:
Me dashtë gjithmonë Zotin,
Tu’ e dashtë me e shkue motin
Ktu n’ tokë e n’ amshim

Dom Ndre Mjeda – Kujdesi Hyjnuer

Ti, qi toket s’ din me i punue,
S’ korre as qet kurr faren n’ dhe,
M’ difto, zog, si t’ del me rrnue,
Qi i a thue kanges aq me hare?
Ty, zog mali, aq t’ lum kush t’ bani,
Qi n’ ankim kurr s’ t’ ndiehet zani?

Jam i lum n’ sa stine ka moti,
Pse per mue ka kujdes Zoti.

Po ty, lule, si e harrueme,
Qi kurr s’ ende e na rrin veshe,
N’ ato fushat e blerueme,
Si ma e bukura mretneshe,
Kush t’ a dha gjith at stoli?
Kush t’ a fali at bukur?

M’ shofin t’ lume stina e moti,
Pse per mue kujdeset Zoti.

Vetem un, i ligshte kah feja,
Guxoj vedin t’ a thrras t’ shkrete:
Po kto t’ mira, qi ban dheja,
Kush m’ i dha? kush s’ m’ la me mete?
Buke t’ perditshme kush m’ nep mue?
Kush me petk desht me m’ kujtue?

Mos t’ ankojm, pse sa t’ jet moti,
Per gjithkend do t’ mendoje Zoti.








All the contents on this site are copyrighted ©.