2015-11-20 13:16:00

Françesku: Kisha të mos adhurojë “shën ryshfetin”, forca e saj të jetë fjala e Jezusit!


Duke u nisur nga leximi, shkëputur prej Librit të Makabejve, që rrëfen gëzimin e popullit për rikushtimin e Tempullit, dhunuar nga paganët e nga fryma e botës, Papa Françesku komentoi fitoren e atyre, që u persekutuan nga mendimi unik. Populli i Hyjit kremton, gëzon, sepse rigjen identitetin e vet. Festa, shpjegoi, është diçka, që bota, me mendësinë e saj, nuk di ta bëjë, nuk mund ta bëjë! Shpirti i botës na çon shumë-shumë në udhën e dëfrimit, na shtyn të bëjmë ca potere, por gëzimi i vërtetë vjen vetëm nga Besa e lidhur me Zotin. Në Ungjill Krishti i dëbon tregtarët nga Tempulli, duke thënë: “Rri shkruar: shtëpia ime do të jetë shtëpia e lutjes! Ju, ndërkaq, e keni shndërruar në strofull hajnash!”. Ashtu si në kohët e Makabejve, shpirti i botës kishte zënë vendin e adhurimit të Zotit të gjallë. Po tashti kjo ndodh në një mënyrë tjetër:

“Krerët e Tempullit, krerë e priftërinj - thotë Ungjilli - e me ta edhe skribët, i kishin ndryshuar pakëz gjërat: i kishin përfshirë në një proces zvetënimi. E kishin mbushur Tempullin me ndyrësi. E kishin ndotur Tempullin! Tempulli është ikonë e Kishës. Kisha gjithnjë - gjithnjë - do të jetë e kërcënuar nga tundimi i mendësisë së botës, nga tundimi për të pasur një pushtet, që nuk është pushteti i Jezu Krishtit, që Jezu Krishti nuk e do për të! Jezusi nuk thotë: ‘Jo, kjo nuk është punë që bëhet. Përjashta!’. Thotë: ‘Ju e bëtë këtë vend strofkë hajdutësh'. E kur Kisha hyn në këtë proces degradimi, fundi është shumë i keq. Shumë i shëmtuar”.

Ngjitja pas parasë e pushtetit bëhet ngurtësi

Kështu nis rreziku i korrupsionit

“Në Kishë është gjithnjë në pritë rreziku i korrupsionit. Është, kur Kisha, në vend që të jetë e dhënë pas besnikërisë ndaj Zotit Jezus, Zotit të paqes, të gëzimit, të shëlbimit, në vend që ta bëjë këtë, jepet pas parasë e pushtetit. E pikërisht kjo ndodh këtu, në këtë faqe Ungjilli. Këta krerë të priftërinjve, këta skribë, ishin të dhënë pas parasë e pushtetit dhe e kishin harruar fare shpirtin. E për t’u justifikuar, për të krijuar idenë se ishin të drejtë, se ishin të mirë, e kishin ndërruar shpirtin e lirisë së Zotit me ngurtësinë, me ashpërsinë. E Jezusi, në kapitullin e 32-të të Ungjillit sipas Mateut, flet pikërisht për këtë ngurtësi. Njerëzit e kishin humbur kuptimin e Zotit, e me të, edhe aftësinë për t’u gëzuar, aftësinë për të lavdëruar: nuk dinin më ta lavdëronin Zotin, sepse ishin dhënë pas parave e pas pushtetit, pas një forme të mendësisë së botës, ashtu si forma tjetër, që e pamë në Besëlidhjen e Vjetër.

Mos besoni në “shën ryshfetin”, por në Fjalën e Jezusit

Skribët e priftërinjtë  zemërohen me Jezusin:

“Jezusi nuk i dëbon nga Tempulli priftërinjtë e skribët, i dëbon ata, që merreshin me tregti, afaristët e Tempullit. Por krerët e priftërinjve e skribët ishin të lidhur me njëri-tjetrin, i lidhte “shën ryshfeti”. Merrnin e jepnin me njëri-tjetrin, ishin të dhënë pas parasë, e adhuronin këtë soj shenjti. Ungjilli është shumë i fortë. Thotë: ‘Krerët e priftërinjve dhe skribët donin ta  shikonin të vdekur Jezusin, donin ta vrisnin, e kështu edhe krerët e popullit’. Po kështu kishte ndodhur edhe në kohën e Judës Makabe. E pse? Për këtë arsye: ‘Nuk dinin çfarë të bënin, sepse gjithë populli  ia ngulte sytë,  pa marrë as frymë, buzëve të Tij. Forca e Jezusit ishte Fjala e Tij, dëshmia e Tij, dashuria e Tij. Atje ku është Jezusi, nuk ka vend për mendësinë e botës, nuk ka vend për korrupsion. E kjo është lufta e secilit nga ne,  kjo është lufta e përditshme e Kishës: gjithnjë Jezusi, gjithnjë me Jezusin, gjithnjë  të varur nga buzët e Tij, për të dëgjuar fjalën e Tij;  e të mos kërkojmë kurrë siguri atje, ku janë gjërat e një padroni tjetër. Jezusi na e kujton vazhdimisht se nuk mund t’i shërbesh njëkohësisht dy zotërinjve: o Zotit, o pasurisë; o Zotit, o pushtetit!”.

Bëjmë mirë, përfundoi Papa, të lutemi për Kishën. Të mendojmë për martirët e shumtë të së sotmes që, për të mos hyrë në këtë shpirt e  mendësi të botës, të mendimit unik, të apostazisë, vuajnë e vdesin. Sot! Sot ka më shumë martirë në Kishë, sesa kishte në kohët e para të krishterimit! Ta mendojmë këtë! Na bën mirë të mendojmë për  ta. E edhe të kërkojmë hirin që të mos hyjmë kurrë, kurrë në këtë proces degradimi, ku na çon mendësia e botës, të mos kapemi kurrë pas parave e pushtetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.