Pas masakrave të Parisit, forcat speciale të policisë po bëjnë kontrolle kundër terrorizmit në Molenbeek e në zona të tjera të Bruskelit, lagje të frekuentuara nga Bilal Hadfi, njëri nga kamikazet, që shpërtheu në afërsi të Stade de France, të premten e kaluar. Belgjika ka numrin më të lartë në Evropë të “foreign fighters” (luftëtarëve të huaj), nisur për Siri e Irak me flamurin e Shtetit Islamik, Isis: mëse 350 vetë. Sociologu i feve në Universitetin e Padovës dhe ekspert i realitetit islamik belg, Stefano Allievi, shpjegon në mikrofonin tonë, cilat janë arsyet e ekstremizmit, që përhapet si njollë vaji:
Në Belgjikë, janë ngërthyer në disa lagje të Brukselit, disa komponente myslimane të pakontrolluara të tipit tradicionalist. Brenda kësaj rryme, është e pranishme, edhe në brezat e dytë të emigrantëve, një prirje salafite radikale, hakmarrëse, polemike ndaj Perëndimit.
Ndoshta, në zonën e Molenbeek ka dështuar integrimi, duke u kthyer në geto shoqërore të izoluar?
Rolin themelor e kanë predikatorët, interneti, që, në një situatë ku ka papunësi, shfrytëzojnë njerëzit të gatshëm për të bërë çdo gjë, duke u dhënë përgjigje, që përfshijnë edhe fenë. Sikur të ishim në vitet ’70, ndoshta përgjigjja do të ishte politike. Kush studion gjendjen belge, prej kohësh e ka kuptuar se jo pak, por që 20 vjet më parë, ekzistonte kjo atmosferë neosalafite, pak shtypëse, pak e errët, e mbyllur nga pikpamja kulturore. U përhap gjatë viteve pa u kundërshtuar mjaftueshëm, pa prirje të kundërta me të cilat të ballafaqohej e pa propozime kulturore, që ta detyronin të ulej në tryezën e dialogut.
Cilat mund të jenë politikat për përfshirjen shoqërore, por edhe për kundërshtimin e këtij lloj fundamentalizmi, kur është akoma vetëm farë e hedhur?
Për shembull, qeveria britanike, pas atentateve të vitit 2005, pas bombave në metro, pati vendosur të investojë shumë e, me të drejtë, në politikat për përfshirjen e lagjeve periferike në shoqëri. Format e përdorura ishin nxitja e ndihmës brenda bashkësisë, projekte që i bënin lagjet më të banueshme, oferta kulturore alternative, shërbime shoqërore e gjithçka ishte e nevojshme. Nuk mund të mendojmë se kjo është betejë afatshkurtër, do të zgjasë shumë. Por, duhet ta kuptojmë mirë se kemi të bëjmë me një betejë kulturore ndërislamike, brenda botës islamike.
Si arrijnë të mbushin radhët e “foreign fighters”? Cilat janë rrjetet që përdorin? E, në veçanti, cila është strategjia e “Sharia4Belgium” (Sharia për Belgjikën), grupi terrorist, që i zgjedh ndjekësit e vet pikërisht në lagjen Molenbeek?
Është diçka tepër, tepër e thjeshtë. Një hap cilësor gjigant. Isis nuk është Al Kaeda, në Al Kaeda nuk ishte e lehtë të hyje: kushdo kërkonte të hynte në Al Kaeda kontrollohej më parë, sepse mund të ishte edhe provokator. Për të hyrë në Kalifatin e Isis, mjafton të marrësh avionin për në Stamboll, ku gjenden kanalet, që të drejtojnë fare lehtë: të japin një kallashnikov në dorë e nëse vdes, punë e madhe. Nuk duhet të bësh ndonjë atentat të rafinuar e të ndërlikuar si ai i Kullave Binjake, por bëhesh mish për top i një lufte, në të cilën çdo i vdekur kthehet në martir. Për gjakun e martirëve duhet marrë hak e kështu, prodhohet militancë e re. Shumica e njerëzve kanë hyrë në kontakt me terroristët përmes internetit, Facebook-ut e Twitter-it. Pastaj, ka grupe më të organizuara si ai i “Sharia4Belgium”, por edhe të tjerë nëpër Evropë: njerëz, që janë bërë shpejt radikalë, që shpesh dinin pak për Islamin, që e kanë zbuluar atë në burg ose në internet e që në pak muaj, i gjen si luftëtarë me mjekërr në Siri, nga ku shpesh kthehen si kufoma.
All the contents on this site are copyrighted ©. |