Drama e refugjatëve, që mbërrijnë në Evropë dhe thirrja që Kisha të jetë misionare e jo sistem i mbyllur ishin temat kryesore të fjalës së Papës Françesku, drejtuar ipeshkvijve gjermanë, të cilët i priti në vizitë ad Limina në Vatikan. Ati i Shenjtë i inkurajoi të mos paralizohen në “kohët e shkuara”, duke u sjellë gjithnjë rrotull të njëjtave pyetje.
Jo një Kishë e paralizuar
Papa vuri në dukje ndihmën e madhe, që jep Kisha në Gjermani për të pritur nevojtarët, në ikje nga lufta e persekutimi, por edhe i inkurajoi të krishterët të vazhdojnë në këtë rrugë. Pastaj, foli për gjendjen brenda Kishës, duke vënë në dukje se janë gjithnjë e më të paktë ata, që marrin Krezmimin, ose martohen në kishë. Mesatarisht, më pak se një besimtar ndër dhjetë, shkon në meshë të dielën në Gjermani. Çfarë mund të bëjmë, pyet Ati i Shenjtë. Sigurisht nuk duhet ta lëshojmë veten, sepse kjo na paralizon. Nuk mund të rindërtojmë mbi rrënojat e ‘kohëve të bukura të shkuara’, të cilat nuk kthehen më. Mund të frymëzohemi nga jeta e të krishterëve të parë, që e kumtuan Ungjillin, duke marrë forcë nga Fjala e Zotit.
Të shmanget përurimi i strukturave të reja, aty ku mungojnë besimtarët
Papa vuri në dukje rrezikun e një “institucionalizimi në rritje”. Ndërtohen struktura të reja, denoncoi, aty ku nuk ka më besimtarë e kështu, mbeten bosh. Ky është pelagjianizmi i ri, që na bën të besojmë në strukturat administrative, në organizimet e përsosura. Centralizimi i tepruar, kritikoi Papa, në vend që ta ndihmojë, ia ndërlikon jetën Kishës, sepse ajo nuk është sistem i mbyllur, që sillet rrotull të njëjtave pyetje. Kisha, nënvizoi Françesku, është e gjallë dhe i takon njerëzit në realitetin e tyre, duke i nxitur e frymëzuar. Nuk ka fytyrë të rreptë, ndërsa trupi i saj është ai i Jezusit. Kisha duhet të jetë misionare, vijoi Ati i Shenjtë, e të gjithë anëtarët e saj duhet të jenë të gatshëm për të dalë e për të qëndruar në mesin e njerëzve, me zjarrin e atyre, që e kanë njohur e pranuar Ungjillin të parët. Në botën e sotme, që e deformon shpirtin, e mbyt ndërgjegjen, duke e bërë të paarritshme, kjo është mënyra e vetme për të ndihmuar të rinjtë e familjet të rizbulojnë Ungjillin e Krishtit.
Kisha është gjithnjë avokate e jetës
Papa u ndal më pas në rëndësinë e Fakulteteve të teologjisë për të formuar barinj-mjeshtër të fesë e uroi që gjatë Vitit Jubilar, besimtarët gjermanë të rizbulojnë Mëshirën, Rrëfimin dhe Eukaristinë. Së fundi, një thirrje e fuqishme që Kisha të mos lodhet së qeni avokate (mbrojtëse) e jetës, nga fillimi në fundin e saj të natyrshëm.
All the contents on this site are copyrighted ©. |