Me 19 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Matildën e Hakebornit, murgeshë. Shën
Matilda lindi rreth vitit 1240 në Kështjellën e Helfës, në Saksoni. Ishte bijë e familjes
fon Hakeborn, një nga më fisniket e më të fuqishmet e Turingjisë. Motra e saj e madhe,
Gjeltruda, ishte abateshë në kuvendin e Helfës.
Prindërit e çuan vajzën për t’u edukuar në manastirin e motrave benediktine të Rodardsdorfit,
që kur ishte shtatë vjeçe. Aty ndjeu thirrjen për jetë rregulltare e, akoma krejt
e re, vendosi të vishte zhgunin benediktin.
Më 1258 u bashkua me motrën e madhe në Helfa ku, tri vjet më pas, iu besua kujdesi
për një murgeshë të re, që do të mbetej në histori me emrin Shën Gjertruda e Madhe.
Pikërisht kësaj simotre, Matilda do t’ia rrëfente së pari vegimet e saj mistike.
Nga këto biseda do të lindte njëri nga librat më të famshëm të mistikës mesjetare:
“Libri i Zbulesave”. Matilda, e pajisur me talent të veçantë për muzikë, e sidomos
për këngë, drejtonte korin e manastirit e mendohet se ishte pikërisht kjo prirje e
saj, që frymëzoi Dante Aligerin për krijimin e figurës së Mateldës, të cilën e gjejmë
në Purgatorin e tij. Vdiq në manastirin e Helfës, në vitin 1298.
Në Martiriologun Romak kujtohet me këto fjalë: “Shën Matilda, virgjër, grua e shquar
për doktrinë e përvujtëri, e ndritur nga dhurata hyjnore e kundrimit mistik, jetoi
e vdiq në manastirin e Helfës në Saksoni të Gjermanisë”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |