Duke shfletuar kalendarin historik, me 19 nëntor, përkujtojmë ideologun e Rilindjes
Kombëtare, poetin Jeronim de Rada në përvjetorin e lindjes.
Kur flasim për etërit e kombit shqiptar nuk ka sesi të mos bjerë në sy fakti se shumë
nga frymëzuesit e një Shqipërie të pavarur ishin poetë me shpirt si Naimi, Pashko
Vasa, Fishta e të tjerë. Vend të dukshëm mes tyre zë Jeronim de Rada, arbëreshi i
Makies së Kalabrisë. lindi më 19 nëntor 1814 në fshatin Vizioni që ai si poet kishte
për një Shqipëri të lirë e të pavarur, u shndërrua në një realitet politik e De Rada
vetë në ideologun e parë të Rilindjes Kombtare, duke iu imponuar të gjitha planeve
të politikanëve ballkanikë. Ky qe triumfi i shpirtit të dlirë të poetit mbi amullinë
që kishte lënë pas pushtuesi osman por edhe mbi kllapitë e shteteve ballkanike që
ëndërronin të zgjeroheshin në truallin e stërgjyshërve të shqiptarëve. Jeronim De
Rada lindi më 19 nëntor 1814 në fshatin në Makia të Kalabrisë, ndërsa ndërroi jetë
me 28 shkurt 1903, dhe nuk e pa pavarësinë e Shqipërisë. Sot Shqipëria ekziston por
shqiptarëve për të qenë të lumtur u nevojitet prapë të ëndërrojnë bukur e guximshëm
si De Rada.
Kujtojme se Jeronim de Rada është poet, publicist, folklorist, filolog dhe mësues,
themeluesi i letërsisë dhe i kulturës arbëreshe. Lindi më 19 nëntor në Makia të Kalabrisë
mësimet e para i kreu në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitër Koronës. Më 1834 shkoi
për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike
dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare "L'Albanese d'Italia"
, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Pas dështimit të revolucionit
më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer u tërhoq në fshatin e tij të lindjes der!
në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Duke nisur nga v. 1861, në jetën e De Rada nisi
një fazë e re, kur ai shfaqet si një nga figurat më në zë te Rilindjes sonë Kombëtare.
Pas traktatit Parimet e estetikës (Principii di estetica, 1861) botoi veprat lashtësia
e kombit shqiptar (Antichità della nazione albanase, 1864) dhe Rapsodi të një poeme
arbëreshe (Rapsodie d'un poema albanese, 1866), që luajtën një rol të rëndësishëm
për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare. Hyri në korrespondencë me patriotët
shqiptarë dhe me personalitetet kulturore evropiane, dashamirë të Shqipërisë, ndoqi
me interes të gjallë ngjarjet në Shqipëri. Më 1878 përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit
dhe ngriti zërin kundër gjymtimit tokësor të Shqipërisë. Një ndihmesë të çmuar çështjes
kombëtare i dha me revistën Flamuri Arbrit , që botoi në vitet 1883-1885. Në Testamentin
politik (1902) shprehu optimizmin në të ardhmen e Shqipërisë dhe pakënaqësinë e tij
ndaj politikës imperialiste të Italisë ndaj atdheut të të parëve.
Zhvilloi një veprimtari të frytshme edhe në fushën e studimeve gjuhësore; u kushtoi
vemendje çështjeve të prejardhjes së shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, duke mbrojtur
lashtësinë e tyre. De Rada është nga të parët studiues vendës të strukturës gramatikore
të shqipes. Në të dy veprat gramatikore që hartoi (1870, 1894) vuri në dukje aspekte
të patheksuara më parë nga dijetarë shqiptarë dhe albanologë dhe dukuri gjuhësore
të pastudiuara ose të panjohura. Në veprat e tij gjuhësore jepen të dhëna me interes
për të folmet arbëreshe. Bëri përpjekje të vijueshme për një alfabet të përbashkët
të shqipes që të jepte një sistem sa më të plotë dhe të përshtatshëm për shqipen me
karaktere latine, të plotësuara me shenja diakritike. Në veprimtarinë gjuhësore të
De Rada duhet përmendur edhe organizimi i dy kongreseve gjuhësore të shqipes, i pari
(1895) në Koriliano Kalabro, i dyti (1897) në Lungro ( Kongreset gjuhësore arbëreshe).
Dha me vetëmohim mësimin e shqipes në Kolegjin arbëresh të Shën Mitër Koronës për
dhjetëvjeçarë të tërë gjersa vdiq.
E gjerë është edhe krijimtaria poetike e De Rada Nisi të botojë që herët por krijimi
që i solli famën si poet me talent të shquar është poema lirike-epike Këngët e Milosaos
(1836), vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Në qendër të veprës
është historia e një çifti të ri që bashkohet pas shumë pengesash. Autori nuk kufizohet
me dënimin e paragjykimeve klasore që pengonin lumturinë e të rinjve; në vepër kumboi
ideja e detyrës ndaj atdheut dhe e gatishmërisë për të luftuar për mbrojtjen e tij.
Historia e dashurisë fatkeqe midis dy të rinjve nga rrethet aristokratike të Shqipërisë
së shekullit XV është edhe në qendër të poemës Serafina Topia, mbi të cilën poeti
punoi në vitet 1839-1843. I pakënaqur nga puna e tij, De Rada këtë subjekt e rimori
në poemën Pasqgra e një jete njerëzore (1898) duke e zgjeruar dhe duke trajtuar në
të një problematikë më aktuale për kohën, luftën kundër pushtuesit otoman. Vepra më
e rëndësishme e De Radës është Skënderbeu i pafan, të cilën e mbajti në duar një kohë
të gjatë (1837-1896). Në vepër janë shkrirë mjaft nga këngët dhe poemat që kishte
botuar më parë. Aty u shpreh në mënyrë më të plotë dhe më të qartë patosi kombëtar
që kishte frymëzuar veprën e De Radës Ndonëse nuk ka njësi veprimi dhe vazhdimësi,
poema jep një tablo të gjerë të Shqipërisë në shek. XV, të bëmat e lavdishme të popullit,
dashurinë e tij të flaktë për jetë të lirë dhe të pavarur, gjallërinë e mahnitshme
që shfaqi përballë sulmeve të egra të armiqve. Në qendër të veprës është konflikti
midis shqiptarëve dhe osmanëve, dhënë me anë skenash ku paraqiten beteja të ashpra
e të furishme, që shquhen nga ngjyresa e theksuar historike dhe imtësitë shprehëse.
Heroi kombëtar shfaqet në vepër si burrë shteti i shquar dhe trim i rrallë, që diti
me mençurinë dhe me heroizmin e tij të ngrejë popullin e vet né luftë çlirimtare të
pashoqe. Në karakteret e personazheve të tjera mishërohet heroizmi dhe trimëria e
shqiptarëve. Skënderbeu i pafan është kryevepra e De Radës në të u dukën në mënyrë
të qartë veçoritë kryesore të talentit të tij, si mjeshtër i tablove të gjera historike
dhe i përshkrimit me zotësi të botës së brendshme të heronjve, të mendimeve dhe të
ndjenjave më të thella e më të fshehta të njeriut. Si poet, sidomos në Këngët e Milosaos,
De Rada u çmua lart edhe nga rrethet letrare evropiane.
De Rada luajti një rol të madh në historinë e letërsisë shqiptare; ai është i pari
që shkroi vepra me frymë kombëtare. Figura e tij ngrihet si figura më e kulluar dhe
më e fuqishme e letërsisë dhe e botës arbëreshe. Ndikimi i tij mbi shkrimtarët arbëreshë
bashkëkohës ishte i madh; tradita poetike krijuar prej tij vijon të jetojë e përtërirë
edhe në letërsinë e sotme arbëreshe. Pas Çlirimit në Shqipëri janë botuar të adoptuara
veprat e tij kryesore. Mban titullin "Mësues i Popullit"
Luleve që valvit era
Fryu era e maleve
dhe rrëzoi hijen e lisit:
gjaku im mbetet lumit t'Vodhit!
Ushtarë, m'hapni shtatoren
që të shoh edhe një herë
Shkodren dhe time motër
te dritarja përkundruall.
Më atje nuk do të zgjohem
Luleve që valvit era,
posi valë që s'kanë mbarim
Do të mblidhen shokët mbrëmjes
brenda vatrash në atdhe:
Unë i lë si ëndërzë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |