2015-11-18 14:56:00

Parolin: “Ta ndalim agresorin, por të punojmë për dialogun”


Për atentatet tragjike të Parisit, foli edhe Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në kuvendin e organizuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve mbi mëshirën në tri fetë monoteiste. Kardinali dënoi edhe një herë atentatet, të cilat, sipas tij, shkojnë përtej çdo mendjeje njerëzore, si edhe uroi një mobilizim të përgjithshëm të bashkësisë ndërkombëtare, “me të gjitha mjetet e sigurisë të nevojshme” për t’u mbrojtur nga terrorizmi:

         “Selia e Shenjtë pohon, siç ka bërë edhe Papa Françesku disa herë, se është e ligjshme të ndalet agresori i padrejtë. Pastaj, mbi mënyrën e format, duhet ta gjejë marrëveshjen bashkësia ndërkombëtare. Një shtet e ka për detyrë t’i mbrojë qytetarët e tij nga këto sulme dhe, njëkohësisht, duhet të vazhdojë punën për të krijuar një atmosferë të vërtetë bashkëpunimi, dialogu e mirëkuptimi. Unë besoj në këtë. Ndoshta nuk është zgjidhje e menjëhershme, por është e vetmja, që vendos bazat e një bote të pajtuar e paqësore”.

         Asnjë ndërprerje në përgatitjet për Jubileun, megjithëse, nënvizoi kardinali Parolin, pas Parisit “të gjithë e ndjejmë kërcënimin mbi vete”:

         “Deri tani, unë s’kam parë asnjë ndryshim. Sigurisht, pas asaj që ndodhi në Paris, mendoj se askush nuk mund të ndjehet krejtësisht i qetë, as në Vatikan. Por, duke e mbajtur mirë parasysh, rreziku përballohet. Mendoj se tani ka rëndësi të mos ia lemë vendin frikës”.

         Për gazetën franceze katolike “La Croix”, kardinali pati nënvizuar këto ditë, se Jubileu mund të jetë i hapur edhe për ndjekësit e Islamit, pasi Mëshira e Zotit është emërues i përbashkët për të gjitha fetë monoteiste. Jubileu kthehet kështu në rast për dialog ndërfetar:

         “Po, një nga emrat e Zotit, edhe për myslimanët, është ai i Hyjit të Mëshirshëm, prandaj mendoj se këtu ka një pikë takimi me botëkuptimin e krishterë të jetës. Besoj se ka shumë myslimanë, që e refuzojnë dhunën. E përmenda emrin e Zotit pikërisht, sepse emri i Zotit është Mëshira dhe kjo mëshirë bëhet e dukshme përmes paqes e mirësisë ndaj njerëzve, sigurisht, jo përmes dhunës”.

        Mbetet e pandryshuar agjenda e Papës Françesku, i cili, më 25 nëntor, niset për në Kenia, Ugandë dhe në Republikën Qendroafrikane:

         “Mbeten të tria etapat. Për atë të fundit do të shohim mbi bazën e situatës në terren”.








All the contents on this site are copyrighted ©.