2015-11-18 12:55:00

Papa në Sinagogën e Romës, më 17 janar


Pas ftesës së kryerabinit të bashkësisë hebraike të Romës, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Tempullin e Madh të hebrenjve, pasditen e së dielës, 17 janar 2016. Është hera e tretë që një Papë shkon në Sinagogën e Romës, pas vizitës së shën Gjon Palit II dhe Benediktit XVI. Ati i Shenjtë do të takohet me përfaqësuesit e hebraizmit e me anëtarët e bashkësisë. Por si e presin hebrenjtë vizitën e Papës? I kërkuam një koment zëdhënësit të Bashkësisë së Romës, Fabio Perugia:

         E shohim këtë vizitë me gëzim të ri, sepse vërtet është vizita e tretë, por në histori, çdo hap që bëhet nuk duhet konsideruar i mirëqenë. Është shenjë e madhe në gjurmët e dialogut, që nisi me Gjon Palin II, vazhdoi me Papën Ratzinger dhe sot, risohet me Papën Françesku.

         Vizita bëhet 30 vjet pas asaj historike të Gjon Palit II, e cila qe fillimi i një rruge, që vijon edhe sot…

         Një rrugë, që sigurisht vazhdon. Shpresojmë të hapë dyer të reja në dialogun ndërfetar ndërmjet dy vëllezërve të mëdhenj të historisë së Biblës.

         Në këtë çast, dikush e përdor emrin e Zotit për të justifikuar dhunën, duke blasfemuar, siç theksoi Papa Françesku. Cili është mesazhi për botën nga një vizitë e këtij lloji?

         Sigurisht, forcat vullnetmira të kësaj bote duhet të bashkohen para këtyre tragjedive çnjerëzore. Mendoj se kryerabini i Romës dhe Papa Françesku do të kenë rast të flasin gjatë kësaj vizite edhe mbi përpjekjet për paqe, që duhen bërë për t’i dhënë një injeksion të ri humaniteti kësaj Evrope të plagosur. 








All the contents on this site are copyrighted ©.