2015-11-17 11:02:00

Çmimi Ratzinger fitohet nga një teolog libanez e një brazilian


U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit edicioni i këtij viti i Çmimit Ratzinger, i cili do të dorëzohet më 21 nëntor nga Fondacioni që mban emrin e Papës së nderit. Çmimi është fituar nga teologu libanez, prof. Nabil e-Khoury, dhe nga teologu brazilian, atë Mario de França Miranda. Në konferencën për shtyp ishin të pranishëm kryeipeshki Luis Francisco Ladaria Ferrer, anëtar i Komitetit shkencor të Fondacionit, imzot Giuseppe Scotti, president i Fondacionit dhe, prof. Pietro Luca Azzaro, sekretar ekzekutiv i Fondacionit dhe përkthyes i Veprës së plotë të Joseph Ratzinger.

Magjisteri teologjik i Ratzinger ka vlerë universale

Përveç Çmimit kushtuar Benediktit XVI, në ditët e ardhshme do të hapet edhe një Bibliotekë, që mban emrin e tij, në Kolegjin teutonik të Vatikanit, të cilit Papa i nderit i ka dhuruar mëse 200 libra të tij. Gjithashtu, pikërisht për të vlerësuar mendimin teologjik të Jozeph Ratzinger, do të mbahet një kuvend në “Augustinianum” mbi enciklikën e tij “Deus Caritas est” si edhe mbi lidhjen e saj me Jubileun e Mëshirës. Çmimi i sivjetëm tregon se magjisteri teologjik i Benediktit XVI ka vlerë universale. Edhe laureatët e çmimit janë nga dy skaje të globit: njëri nga Lindja e Mesme e tjetri, nga Amerika Latine. Të dëgjojmë kryeipeshkvin Luis Francisco Ladaria Ferrer:

“Amerika Latine i ka dhënë Kishës Papën e parë jo evropian e me këtë, Kisha Katolike ofron një provë të re, krejtësisht të qartë, të katolicitetit të saj. Rëndësia e Lindjes për Kishën u theksua gjithnjë nga shën Gjon Pali II, i cili thoshte shpesh se Kisha Katolike duhet të marrë frymë me dy mushkëri, Lindjen e Perëndimin”.

Çmim i rëndësishëm për teologun arab

Duke i dhënë çmimin një teologu arab, komentet nuk mund të mos përmendnin edhe ngjarjet tragjike të Parisit. Imzot Giuseppe Scotti, president i Fondacionit Ratzinger, vuri theksin në personalitetin e teologut libanez el-Khoury:

“Mendoni se ç’do të thotë një çmim, që nuk i jepet vetëm një latinoamerikani, por edhe një eksponenti të madh e të rëndësishëm të botës arabe. Në këtë çast, kjo do të thotë se bota arabe është e aftë të dialogojë, të bashkojë, ka universitete ku mund të studiojmë, të diskutojmë, të arsyetojmë, të thellohemi jo vetëm në fenë tonë, por edhe të hyjmë në dialog me fetë e tjera”.

Publikohet vëllimi IV i “Opera Omnia” e Papës Ratzinger

         Nga ana e tij, sekretari ekzekutiv i Fondacionit, prof. Pierluca Azzaro, njoftoi se është publikuar vëllimi i katërt i “Opera Omnia” (vepra e plotë) të Benediktit XVI, kushtuar shkrimeve të Papës së nderit në fushën e kristologjisë. Vëllimi i ardhshëm do t’i kushtohet reflektimeve mbi Koncilin II të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.