2015-11-17 15:18:00

Papa në Sinagogën e Romës më 17 janar, gëzimi bashkësisë hebraike


Më ftesën e Krye Rabinit dhe të Komunitetit Hebraik të Romës, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Tempullin e Madh pasditen e së dielës së 17 janarit 2016. Është fjala për vizitën e tretë të një Pape në Sinagogën e Romës, pas vizitës së Shën Gjon Palit II e të Benediktit XVI. Vizita e Atit të Shenjtë Bergoglio do të karakterizohet nga takimi personal i Papës me përfaqësuesit e hebraizmit dhe anëtarët e Komunitetit. Mbi ndjenjat me të cilat hebrenjtë romakë e presin këtë vizitë, ta dëgjojmë zëdhënësin e Komunitetit Hebraik të Romës, Fabio Periugia.

Këtë vizitë e shohim dhe presim me një gëzim të përtërirë sepse është vizita e tretë e, natyrisht, në histori çdo hap vlerësohet për domethënien që ka. Vizita është një shenjë e madhe në vazhdën e dialogut që nisi me Gjon Palin II, vazhdoi me Papën Ratzinger e sot ripërtërihet me Papën Françesku.

Vizita bie pikërisht në 30 vjetorin e asaj vizite historike të Gjon Palit II e cila në një farë mënyre qe edhe një fillim i ri, një udhë që vijon pra...

Një udhë sigurisht që vijon e shpresojmë të mund të hapë porta të reja në dialogun ndërfetar ndërmjet dy vëllezërve të mëdhenj të historisë së Biblës....

Në këto çaste në të cilat ka njerëz që përdorin emrin e Hyjit, duke blasfemuar siç tha Papa Françesku, për të justifikuar dhunën, një vizitë e tillë jep një mesazh të kundërt të paqes, të pajtimit e të një udhe të përbashkët....

Sigurisht forcat e mira të kësaj bote duhet të bashkohen kur jemi dëshmitarë të tragjedive çnjerëzore. Besoj se Krye Rabini i Romës e Papa Françesku do të kenë mundësinë të flasin gjatë kësaj vizite edhe për ato përpjekje e nisma paqeje që duhen ndërmarr për t’i dhënë një injeksion të ri njerëzor kësaj Evrope të lënduar.








All the contents on this site are copyrighted ©.