2015-11-16 15:35:00

Papa merr pjesë në takimin ndërdikasterial për Reformën e Kuries


Papa Françesku mori pjesë sot në takimin mbajtur në sallën Bologna të Pallatit Apostolik, duke nisur nga ora 9.30. Ishte takim ndërdikasterial i Papës me drejtuesit e kongregatave dhe të këshillave papnore të Selisë së Shenjtë.

Takimi kishte shumë rëndësi jo aq për çështjen e dokumenteve të rezervuara të Vatikanit (Vatileaks), që kanë të bëjnë me komisionin tashmë të shkrirë, krijuar nga Françesku në fillim të papnisë për të studiuar situatën e bilanceve dhe të organizimit ekonomik dhe administrativ të Shtetit papnor, sa për hartimin e reformës së përgjithshme të Kuries, sipas dëshirës së Papës. Për projektin e rishikimit punon Këshilli i nëntë kardinajve (C9).

Tema e takimit nuk u komunikua, por hamendësohet se Papa duhet të ketë dëgjuar vërejtjet dhe mendimet e kryetarëve të dikastereve lidhur me reformën e Kuries, projekti i së cilës është vënë pjesërisht në jetë me krijimin e dy mbi-dikastereve (Sekretaria për ekonominë dhe Sekretaria për informacionin). Pa harruar se puna e tyre, me sa duket, u frenua nga rezistenca e dikastereve (duke përfshirë edhe Sekretarinë e Shtetit), që duhet t’ua dorëzonin disa nga kompetencat organizmave të reja. Ndërmjet pjesëmarrësve në takimin e sotëm ishin edhe tre kardinaj, anëtarë të C9, apo të grupit të nëntë kardinajve: sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin; prefekti i ekonomisë, kardinali George Pell dhe presidenti i Governatoratit, kardinali Giuseppe Bertello.

Takimi i fundmë i C9, koordinuar nga kardinali honduren Oscar Rodriguez Maradiaga, u mbajt shtatorin e kaluar, i ardhshmi do të mbahet më 12 dhjetor. 








All the contents on this site are copyrighted ©.