2015-11-16 14:09:00

Papa: mendimi unik dëshiron ta nxjerrim në ankand identitetin tonë të krishterë


Mendimi unik, humanizëm, që zë vendin e njeriut të vërtetë, Jezusit, e rrënon identitetin e krishterë. Të mos e nxjerrim në ankand kartën tonë të identitetit: kjo, porosia e Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Mendësia e botës çon në mendimin unik e në apostazi

Leximi i parë i ditës, i shkëputur nga Libri i Makabejve, flet për një rrënjë të mbrapshtë, që qe dukur në ato ditë: mbreti helenist Antioku Epifan, imponon në Izrael doket pagane duke e detyruar t’i pranojë, edhe popullin e zgjedhur”, domethënë “Kishën e atij çasti”. Papa Françesku komentoi figurën e “rrënjës, që është nën tokë”. Fenomenologjia e rrënjës është kjo, sqaroi: “Nuk duket, të krijon përshtypjen se nuk i bën keq askujt, por pastaj rritet dhe e tregon kush është në të vërtetë. Ishte rrënjë e arsyeshme, ajo, që i shtynte disa izraelitë të lidheshin me kombet fqinje, për ta ndjerë veten të mbrojtur: “E pse gjithë këto ndryshime? Pse që kur u ndamë prej tyre, na ranë mbi kokë të gjitha të zezat? Të shkojmë tek ata! Jemi njësoj”. Papa e shpjegoi këtë lexim me tri fjalë: “Mendësibote, apostazi, persekutim”. Mendësi e botës do të thotë të bësh si bën gjithë bota; e edhe të thuash: “Ta nxjerrim në ankand kartën tonë të identitetit, jemi njëlloj të gjithë”. Kështu shumë izraelitë e mohuan fenë e u larguan nga Besa shenjte. E ajo, që dukej krejtësisht e arsyeshme “jemi njëlloj të gjithë, jemi normalë”, u bë shkatërrim:

“Pastaj Mbreti urdhëroi që në tërë mbretërinë e tij, të gjithë të formonin një popull të vetëm, një mendim të vetëm - mendimin e botës - e secili t’i braktiste zakonet e veta. Të gjithë popujt iu shtruan urdhërave të mbretit: madje edhe shumë izraelitë e pranuan kultin e tij: u mblatuan fli idhujve dhe e përdhosën të shtunën. Apostazi. E kjo tregon se mendësia e botës të çon drejt mendimit unik dhe apostazisë.  Ndryshimet nuk lejohen, janë të ndaluara: të gjithë jemi njësoj! E në historinë e Kishës, përgjithësisht në histori, e kemi parë, e unë këtu po mendoj vetëm për një rast, rastin e festave fetare, që u është ndërruar emri: Lindja e Zotit, Krishtlindja, tani ka një emër tjetër – për të shlyer çdo identitet!

Humanizmi i sotëm e shkatërron identitetin e  krishterë

Në Izrael u dogjën librat e ligjit, e nëse ndokush vijonte t’i bindej ligjit, vendimi i mbretit e dënonte me vdekje. Ja pra, si lind persekutimi: nis nga rrënja e helmatisur. Më ka prekur gjithnjë - pohoi Papa - çasti kur Zoti, në Darkën e Mbrame, në atë lutjen e gjatë, i kërkoi Atit unitetin e të vetëve, i kërkoi t’i çlironte nga çdo shpirt i botës, nga çdo mendësi e botës, sepse mendësia e botës shkatërron identitetin; mendësia e botës çon tek mendimi unik.

Nis nga një rrënjë e vogël, e vogël. E përfundon në urrejtje, në mjerim, në persekutim. Ky është mashtrimi i mendësisë së botës, e prandaj Jezusi i kërkoi Atit, në atë darkë: “O Atë, nuk po të kërkoj t’i  heqësh nga bota, por t`i mbrosh nga bota, nga kjo mendësi, nga ky humanizëm, që vjen e zë vendin e njeriut të vërtetë, Jezu Krishtit, që vjen për të na hequr identitetin e krishterë e na sjell mendimin unik. Të gjithë bëjnë kështu. Ne pse jo?” Këta, që jetojnë në këto kohë, duhet të mendojnë: si është identiteti im? I përket krishterimit? A mendësisë së botës? Apo i them vetes i krishterë, vetëm sepse u pagëzova që fëmijë, ose pse linda në një vend të krishterë, ku të gjithë janë të krishterë? Mendësia e botës, që hyn lehtë-lehtë në shpirt, të ngjitet si lëngata e rritet, si ajo rrënja e keqe që të përligj: “Epo, s’ke ç’të bësh. Do bëjmë edhe ne si gjithë bota, nuk jemi ndryshe nga të tjerët… kërkon gjithnjë justifikim e në fund, të moleps. E prej saj vijnë të gjitha të këqijat”.

Të ruhemi nga rrënjët e helmatisura, që rriten e molepsin

Liturgjia e këtyre ditëve të fundit të vitit liturgjik, përfundoi Papa, na nxit të ruhemi nga rrënjët e helmatisura, që të çojnë larg Zotit:

“T’i kërkojmë Zotit për Kishën, ta ruajë nga çdo formë e mendësisë së botës, që Kisha të ketë gjithnjë identitetin e caktuar nga Jezu Krishti; që të gjithë ne të kemi identitetin e marrë në pagëzim e që ky identitet të mos hidhet poshtë, vetëm e vetëm pse duam të jemi si të gjithë, për shkaqe “normaliteti”. Zoti na dhëntë hirin ta ruajmë e ta mbrojmë identietin tonë të krishterë, kundër shpirtit të botës, rrënjës së keqe, që rritet gjithnjë, përligj e moleps”.








All the contents on this site are copyrighted ©.