2015-11-16 15:48:00

G20 përfundon me një dokument kundër terrorizmit


Përforcimi i kontrolleve në kufi, hapa përpara në shkëmbimin e informatave për sigurinë dhe bllokimi i llogarive bankare e financiare të terrorizmit. Janë këto, aspektet e rëndësishme, për të cilat kanë rënë dakrod anëtarët e G20-ës, mbledhur deri sot në Antalia të Turqisë, ku iu kushtua vëmendje maksimale temës së terrorizmit ndërkombëtar, pas atentateve të Parisit. Dje, presidenti amerikan Obama dhe ai rus Putin, në një bisedë gjysëm orëshe ballë për ballë, theksuan nevojën dhe urgjencën e reagimit të menjëhershëm për të zgjidhur konfliktin në Siri, pavarësisht se mbajtën qëndrime të ndryshme përsa i përket taktikës, që duhet ndjekur.

         “Jemi marrë vesh për të bërë hapa të tjera në ndërprerjen e financimit të terroristëve, në kundërshtimin e ideologjisë ekstremiste dhe të propagandës terroriste, si edhe në mbrojtjen nga kërcënimi i luftëtarëve të huaj, duke shkëmbyer informacionet për ta dhe duke mos i lënë të udhëtojnë”, deklaroi kryeministri britanik, David Cameron. Njëkohësisht, do të punohet për një kontroll më të rreptë të komunikimeve online, siç është kërkuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Megjithatë, akoma nuk është arritur në një strategji të përbashkët për disllokimin e mundshëm të forcave tokësore kundër Isis.

         Pa dyshim, do të forcohen kontrollet në kufi, por u fol edhe për problemin e refugjatëve, duke kërkuar një kontribut të përbashkët për zgjidhjen e krizës. Duhet ndarë si kostoja për mikpritjen, ashtu edhe numri i tyre në mënyrë të përshtatshme për çdo vend. Temë kyç e G20-ës, edhe papunësia e rinisë, e cila duhet ulur me 15% deri në vitin 2025: objektiv ambicioz në kuadrin e një zhvillimi ekonomik global, që u quajt “i çekuilibruar” dhe “jo aq sa pritej”.








All the contents on this site are copyrighted ©.