2015-11-16 15:57:00

Aktualiteti i atë Faustit, martir në Shqipëri, mbi dialogun Islamokristian.


“Artikujt, që po ribotojmë, janë pjesë e një kapitali dijeje, që mund të na ndihmojnë të jetojmë më mirë në çastin e sotëm, ngarkuar me tensione e sfida”: me këto fjalë i paraprin atë Antonio Spadaro, drejtor i Civiltà Cattolica (Qytetërimi Katolik) botimit të veprës  “Islami e kristianizmi. Reflektime të një dëshmitari”, vëllim që përmbledh shkrimet e atë Giovanni Faustit S.I. (1899-1964), shkruar për këtë revistë, rreth 80 vjet më parë.

Vëllimi botohet nga Shtëpia Botuese Ancora, në kolanën Crocevia (Udhëkryqi), në bashkëpunim me “Civiltà Cattolica”. Atë Fausti shkruante në revistën e jezuitëve e, siç e shikojmë nga ditari i “këshillimeve” (domethënë nga mbledhja e redaksisë), ishte vetë Piu XI, që porositi disa artikuj me temën e Islamit. Papa ishte i bindur se qe bërë tepër pak për t’u afruar me myslimanët. Mendonte se qe e nevojshme të studiohej me fund gjuha e tyre, feja, doket, zakonet, mënyra e të menduarit. E pikërisht për t’iu përgjigjur kërkesës papnore, në “Civiltà Cattolica” u shpeshuan shkrimet kushtuar kësaj teme (kujtojmë se bëhet fjalë për vitet 1931- 1935). E këto shkrime nuk iu besuan ndonjë njeriu “të laboratorit”, domethënë, ndonjë profesori, studiuesi të thellë a specialisti të këtyre temave, e as ndonjërit nga redaktorët e revistës, por një njeriu, që militonte në “vijën e parë të frontit”. Një jezuiti, i cili në faqet e shkruara prej tij, e quan veten “misionar i përvuajtuar në tokën e Islamit”, pa vënë aspak në dukje se jo vetëm që kishte kompetenca të plota në këtë lëndë, por edhe që e njihte drejtpërdrejt botën dhe kulturën islamike. Atë Fausti ishte mbrojtës i bindur i “Ungjillit dialogues”, të inkulturuar në fenë e në kulturën e popullit. Iu desh ta paguante me jetë besnikërinë e tij ndaj popullit shqiptar. U pushkatua nga komunistët  mëngjesin e 4 marsit 1946  pas murit të varrezës katolike të Shkodrës, Rrëmajit, ku Françesku, gjatë vizitës në Shqipëri, do të shkonte simbolikisht, për të vënë një lule:

“Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet e, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm”.

E kush do të merrte guximin të mendonte, në çastin aq tragjik të pushkatimit të Atë Faustit, se do të vinte dita të bisedonim përsëri me Martirin, sot në vijim të procesit të lumnimit. Me sivëllain e Papës Françesku, me jezuitin italian, që shqiptarët e njohin me emrin Gjon e që po u flet përsëri, në rrethana kaq dramatike botërore, për një argument tejet delikat, të mprehtë, thellësisht aktual.  








All the contents on this site are copyrighted ©.