2015-11-15 17:30:00

Papa: në Paris përdorën edhe Zotin për t’i mbyllur zemrat


Papa Françesku sot pasdite, rreth orës 16.00, shkoi për vizitë  në një Kishë Ungjillore e Luterane të Romës. Nuk ishte Papa i parë që shkelte këtu: para tij ishin edhe Benedikti XVI, më 14 mars 2010 dhe Gjon Pali II, më 11 dhjetor 1983.

“Edhe emri i Zotit përdoret për t’i mbyllur zemrat”. Kështu Papa Françesku foli përsëri për atentatet e Parisit, gjatë një bashkëbisedimi të lirë me besimtarët e Kishës Luterane, ku sot pasdite ishte për një vizitë miqësore, ndërmjet vëllezërish.

“Egoizmi njerëzor synon të mbrohet, të mbrojë pushtetin e tij, egoizmin e tij, por në këtë prirje për t’u mbrojtur, largohet nga burimi i pasurisë”, tha Françesku, duke iu përgjigjur pyetjes, që ia drejtoi një grua protestante. Muret, në fund të fundit, janë vetvrasje, të mbyllin e është gjë shumë e keqe ta kesh zemrën të mbyllur. Vëllai im Pastor kujtoi Parisin, vijoi Papa, duke cituar Jens-Martin Kruse, që foli për atentatet në kryeqytetin francez:

“Zemra të mbyllura! Edhe emri i Zotit përdoret për t’i mbyllur zemrat”.

Ndërsa ilaçi, për t’i shëruar ata, të cilët duan të ngrenë mure, për Papën, është “të flasësh qartë, të lutesh, të shërbesh”.

“Për mua, shtoi Ati i Shenjtë, të shërbej si papë, do të thotë të shërbej si famullitar, si bari: nëse nuk do të veprojë kështu, Papa mund të jetë njeri inteligjent, i rëndësishëm, mund të ketë edhe ndikim, por, mendoj se nuk mund të jetë i lumtur”.

Kujtojmë, pastaj, fjalët e Papës në dialog me një fëmijë luteran, në Kishën protestante të Rrugës romake Sicilia, ku, duke lënë mënjanë çdo protokoll, Françesku pranoi t’u përgjigjej aty për aty disa pyetjeve. E vogëlushi, atëherë, e pyeti: “Çfarë ju pëlqen më shumë në punën e tuaj si Papë?” Përgjigjja nuk vonoi aspak: “E thjeshtë! Nëse unë të pyes cili nga ushqimet të pëlqen më shumë, besoj se do të më përgjigjesh ‘torta’, apo jo? Por duhet ngrënë gjithçka!”. Më pas Ati i Shenjtë e shpjegoi edhe metaforën e përdorur: “Edhe mua më pëlqen të jem famullitar, bari, nuk më pëlqen të bëj punë burokrati, as intervista protokollare. Por kjo nuk është protokollare, është familjare. Gjithsesi, edhe ato të tjerat duhen bërë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.