2015-11-15 18:15:00

Françesku e kujton përsëri Nënë Terezën


Gjatë vizitës në Kishën Luterane të Romës, në sa shkëmbente pyetje-përgjigje me ata, që dëshironin të dialogonin me të, Françesku e kujtoi përsëri Nënë Terezën. “Në ditën e Gjyqit të Mbramë, pohoi, duke iu përgjigjur një pyetjeje, që ia drejtuan besimtarët e Kishës Luterane të Romës, nuk të kërkohet nëse ke shkuar në meshë, por sigurisht do të të pyesin si e ke përdorur jetën tënde: për të ndërtuar mure, apo për të shërbyer. Të gjithë ne, të pagëzuarit, luteranë a katolikë, jemi të zgjedhur për të ecur në këtë rrugë: në rrugën e shërbimit, jemi të thirrur për të qenë shërbëtorë”.

E më pas, duke iu përgjigjur me shaka arkëtares luterane lidhur me kombësinë e ekonomisë së kësaj bashkësie, Françesku vazhdoi: “Ju, duke qenë zvicerane e arkëtare, e keni gjithë fuqinë në dorë. Por, megjithatë, më pyetni çfarë duhet të bëni për të ndihmuar më shumë. Fjala, që më vjen menjëherë në gojë, është: shërbim! Bëju e fundmja, laj këmbë, shërbeju të tjerëve, vëllezërve, motrave, nevojtarëve. E pikërisht në këtë çast Papa kujtoi Nënë Terezën, përpjekjet e papërshkrueshme që bënte për t’u gjetur një krevat e pakëz ngushëllim njerëzve në prag të vdekjes. Për të ikur nga kjo botë me dinjitetin, që i takon çdo njeriu, 3-4 ditë para vdekjes. “E kjo është vetëm një pikë ujë më shumë në det – thoshte - pak, por pas kësaj deti nuk është më, ai që ishte”. Njeriu duhet mbrojtur gjithnjë, gjithkund, duhet vihet në qendër të vëmendjes, si diti ta vërë Nënë Tereza. Që i dha detit të jetës një fytyrë të re, duke i shtuar për ditë pika të reja uji, pika mëshire e dashurie të krishterë.

Papa kujtoi edhe një episod të traditës hebraike, atë të punëtorëve, që binin poshtë, duke ndërtuar Kullën e Babelit e që shqetësoheshin më shumë për vlerën e tullave të thyera, sesa për rrënimin e jetës së tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.