2015-11-15 16:20:00

Bota myslimane dënon atentatet e Parisit


Atentatet e Parisit janë dënuar nga shumë përfaqësues të botës islame, nga Këshilli Francez i Kultit Mysliman (CFCM) deri te Unioni i Komuniteteve Islame të Italisë (UCOI). Kundër “kriminelëve” të ashtuquajturit shtetit islamik është ngritur edhe lideri i Hezbollahëve libanezë, Nasrallah. Qëndrim të njëjtë pati edhe nga kryesia e grupeve palestineze të Hamas-it e të Jihad-it Islamik, që flasin për “krime kundër të pafajshmëve” e për “akte sulmi e barbarizmi”. Afërsi ndaj popullit francez ka shpreh edhe presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen.

Hetuesit francezë kanë identifikuar këtë të diel njërin prej terroristëve të sulmeve të rënda që kanë tronditur Parisin, duke shkaktuar të paktën 129 persona të vdekur. Bëhet fjalë për shtetasin francez me origjinë algjeriane, Omar Ismail Mostefai. Hetuesit e identifikuan atë pasi gjetën gjurmë gishtash në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku ishin 3 agresorë, të cilët hodhën veten në erë sipas, raportimeve të agjencisë së lajmeve “AFP”. Sulmet e së premtes, të marra përsipër nga militantë të Shtetit Islamik, ndodhën pikërisht në këtë sallë koncertesh, pranë stadiumit të kryeqytetit francez “Stade de France”, si dhe në një restorant e një lokal të Parisit.

Prokurorët thonë se terroristë ishin 7 gjithsej, të armatosur me kallashnikovë e jelekë me bomba, të organizuar në 3 grupe, ndërkohë që ekziston ende frika se ndonjë prej tyre të mund të jetë larguar nga vendi i krimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.