2015-11-14 16:42:00

Fundjava në Vatikan


Lutja e Engjëllit t ë Tënzot

Sot, si çdo të diel, Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, rrethuar nga turmat e zakonshme, që nuk mungojnë kurrë rreth Atit të Shenjtë. Janë aty për të rishfletuar, me Papën, faqen ungjillore të ditës, për të marrë porositë e për mësuar të rejat më të freskëta të një jave në Kishën Universale e, sidomos, për bekimin e Françeskut, pasuar nga ajo: “Të diel e javë të gëzuar” e “drekën e mirë”, shoqëruar me buzëqeshjen e Atit të Shenjtë, që nuk i mungon kurrë.

Papa vizitoi Kishën Ungjillore Laterane të Romës

E pas Engjëllit të të Tënzot, sot pasdite, Papa vizitoi Kishën Ungjillore Laterane të Romës. Këtë Kishë e ka vizituar edhe Benedikti XVI,  më 14 mars 2010, si dhe Gjon Pali II, më 11 dhjetor 1983, me rastin e pesëqind vjetorit të lindjes së Martin Luterit. Papa u nis nga Shën Marta rreth orës 15.45, për t’u kthyer në Vatikan në orët e vona të pasdites.

 Kuvëndim kombëtar i Veprës Romake të Shtegtimeve

Në Romë, pranë The Church Village Hotel, u hapën punimet e Kuvëndimit kombëtar të Veprës Romake të Shtegtimeve, me temë “Shtegtimet dhe Mëshira, në tri Fetë e mëdha Monoteiste”. Ndërmjet referuesve, edhe kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit si dhe kardinali Jean-Louis Tauran, kryetar i Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar. Takimi  do të vijojë deri më datën 18 nëntor. 

U shpall i lum Francesco De Paula Victor

Një i lum i ri iu shtua Kishës katolike universale: në Campanha të Brazilit, u shpall i lum Francesco De Paula Victor, prift dioqezan (1827- 1905). Në këtë kremtim, Papën e përfaqësoi kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet  e Shenjtorëve.

Francesco De Paula Victor ishte prift i dioqezës Campanha, në shtetin brazilian Minas Gerais. Përshkoi një rrugë të vështirë, si bir i një skllaveje zezake. Ndihma e ipeshkvit dhe e padrones, që e mbajti në Pagëzim, ia hapi rrugën e meshtarsisë, e sot, edhe atë të nderimeve të elterit, pas një mrekullie  kryer me ndërmjetësimin e tij, njohur nga Papa Françesku. Trupi i të Lumit pushon në paqe në kishën Nossa Senhora d’Ajuda (Zoja e ndihmës), që e ndërtoi ai vetë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.