2015-11-14 17:58:00

Atë Lombardi: nuk është koha për të hequr dorë nga Jubileu


Nuk është koha për të hequr dorë nga Jubileu; përballë urrejtjes, Viti Shenjt është mesazh i mëshirës, kundër frikës. Këtë pohon në mikrofonet e Radio Vatikanit drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federico Lombardi.

Në këto ditë të trishtuara për shkak të shpërthimit të dhunës vrasëse, të çmendur e të tmerrshme, shumë pyesin sesi duhet kundërvepruar. Disa,   edhe sesi duhet pritur ardhja e Jubileut. Kujdes! Këta vrasës, të pushtuar nga urrejtja pa pikë kuptimi, quhen terroristë pikërisht sepse duan të përhapin frikë e terror. Nëse i lëmë të na frikësojnë, e kanë arritur tashmë qëllimin e tyre të parë. Një arsye më shumë, kjo, për të qëndruar si burrat, me vendosmëri e guxim, përballë tundimit të frikës.

Natyrisht duhet të jemi të kujdesshëm e jo të papërgjegjshëm. T’i marrim të gjitha masat e arsyeshme. Por edhe duhet të vijojmë të jetojmë duke ndërtuar paqen e besimin reciprok. Prandaj mendoj se Jubileu i mëshirës është edhe më i nevojshëm. Një mesazh mëshire, domethënë dashuri e Zotit, që ka si pasojë edhe dashurinë reciproke e pajtimin. Është pikërisht përgjigjja, që duhet dhënë në kohë tundimi e mosbesimi.

Gjon Pali II thoshte se mesazhi i mëshirës ka qenë përgjigjja e madhe e Zotit dhe e besimtarëve në kohën e errët e të tmerrshme të Luftës II Botërore, të masakrave, kryer nga totalitarizmat, të përhapjes së urrejtjes ndërmjet popujve e njerëzve.

Edhe sot, kur Papa Françesku flet për Luftën III Botërore, luftë pjesë-pjesë e copa-copa, është tejet i nevojshëm mesazhi i mëshirës, nëse duam të bëhemi të aftë për pajtim, për të ndërtuar ura e, pavarësisht nga të gjitha, për të pasur guximin e dashurisë.

Nuk është koha për të hequr dorë nga Jubileu, as për të pasur frikë. Kemi nevojë, më shumë se kurrë, për Jubileun e për guximin. Duhet të jetojmë me urti, por edhe me guxim e hov shpirtëror, duke vijuar të shikojmë përpara me shpresë, pavarësisht nga sulmet e urrejtjes. Papa Françesku na prin e na fton të kemi besim në Shpirtin e Zotit, që na shoqëron.








All the contents on this site are copyrighted ©.