2015-11-13 17:12:00

Zi në Liban pas sulmeve në Beirut, në lagjen e hezbollahëve


Ditë zie në Liban pas atentatit të dyfishtë, që goditi periferinë jugore të Beirutit, kontrolluar nga Hezbollah, duke shkaktuar vdekjen e 43 vetëve dhe plagosjen e 240 të tjerëve. Sulmi është marrë përsipër në Twitter nga xhihadistët sunitë të Isisit dhe nga brigadat “Abdullah Azzam”. I njëzëshëm, dënimi ndërkombëtar: nga SHBA-të deri në Bashkimin Evropian e në Lidhjen Arabe. Përse Isis vendosi të veprojë në këtë çast të veçantë? Pyetëm analistin e “Nato Defence College Foundation”, Matteo Bressan:

         Veçoria e këtij çasti karakterizohet nga vetëdija se ndoshta, Rusia nuk mjafton. Alternativë e koalicionit ndërkombëtar udhëhequr nga SHBA-të, ky tjetri i katër shteteve, pra, i Iranit, i Irakut, i ushtrisë së Assadit në Siri dhe i Rusisë, nuk është i mjaftueshëm as për të ndaluar kërcënimet e Shtetit Islamik në Siri e as për të garantuar mbrojtjen e aleatëve të Assadit. Të mos harrojmë se në përkim me operacionet ruse, janë kryer vrasje të qëllimshme kundër komandatëve iranianë, që veprojnë në Siri. Prandaj, në këtë këndvështrim, dy shpërthimet janë mesazh i qartë në një çast, në të cilin kemi përparimin – edhe pse të lehtë e jo shumë të dukshëm – të forcave besnike të Assadit kundër rebelëve e jo aq kundër Isisit, për të qenë të sinqertë… Kjo bombë është mesazh për bazën e Hezbollah. Lëvizja e hezbollahëve merr pjesë në konflikt që nga viti 2012, por jo zyrtarisht. Hassan Nasrallah, kreu i saj, konfirmoi publikisht se milicët e tij ndodheshin në Siri vetëm në vitin 2013. Flitet për impenjimin e 5-6 mijë vetëve.

Cilat janë interesat e lëvizjes Hezbollah në konfliktin sirian?

         Hezbollah (Partia e Allahut) ka qenë historikisht aleati kryesor i presidentit Assad në Siri. Në çastin kur Assadi, në vitin 2012, ndodhej në pragun e humbjes, Hezbollah, i koordinuar nga milicët iranianë e veçanërisht nga komandant Sulejmani, kreu i forcave të armatosura iraniane dhe i operacioneve speciale të Iranit jashtë vendit, organizoi mbrojtjen së bashku me Assadin. Tani, do të ishte e pamundur ta largojnë Sirinë nga boshti Iran-Hezbollah, sepse sikur ta bënte këtë, Assadi do të gjendej me armiq në kufi. Por, atentatet duan t’i thonë bazës së hezbollahëve se Isis po merr hak për përfshirjen e “Partisë së Allahut” në luftën e Sirisë.

Si mund të zhvillohet më tej gjendja? Cila mund të jetë përgjigjja e hezbollahëve?

         Tani për tani, kemi frontin diplomatik. Këto ditë në Gjenevë pritet propozimi i Rusisë për planin e paqes. Duhet parë nëse ky plan mund të zbatohet në praktikë, por ka një mundësi për daljen nga skena të presidentit Assad, megjithëse jo menjëherë. Nën profilin ushtarak, hezbollahët kontrollojnë zona të tëra brenda Sirisë dhe ndeshen në mënyrë sporadike me grupe të ndryshme rebelësh. Hezbollahët shohin me shqetësim qytetin e Arsalit, në kufi me Sirinë, ku, për shkak të numrit të lartë të refugjatëve e për lëvizjen e vazhdueshme të milicive në atë zonë, vlerësojnë se ka elementë të Isisit, që veprojnë në afërsi të territorit libanez. Kemi një konflikt ushtarak në Siri, por parandalimi dhe krejt puna e sigurimit, e “inteligence”, bëhet brenda Libanit.

         Vetë Libani si po e përjeton praninë e Isisit brenda tij, krizën ekonomike e paqëndrueshmërinë politike, që vijon prej kohësh?

         Jemi tashmë një vit e gjysëm pa presidentin e Republikës. Para kësaj, nuk pati qeveri për dhjetë muaj me radhë. Njihet emergjenca humanitare, për shkak të pranisë së një milion e gjysëm refugjatëve, që sjellin edhe probleme në ekonominë libaneze. Lufta troket në derë. Pra, gjithë këto janë kërcënime. E pavarësisht prej tyre, vendi ka akoma antikorpe për të mos rënë në luftën civile dramatike, që e dimë se ç’pati përfaqësuar për Libanin.








All the contents on this site are copyrighted ©.