2015-11-13 00:00:00

Papa: “Çfarë nuk duhet të bëjmë e çfarë duhet”


Të dielën e kaluar, Papa u dha besimtarëve dy këshilla themelore për jetën e tyre të krishterë, për t’u medituar jo çdo javë, por çdo ditë: “Ç’ nuk duhet të bëjë i krishteri, e ç’duhet të bëjë ”.

Po i kujtojmë, duke nisur nga çfarë nuk duhet bërë

“Papa pohoi se besimtarët (e jo vetëm) nuk duhet të jenë fodullë, të etur për pasuri, hipokritë. Nuk duhet të kërkojnë vendet e para në sheshe e në sinagoga. Nuk duhet ta fshehin falsitetin dhe padrejtësinë, pas pamjes solemne, të krekosen në publik, ndërsa në errësirë, ku nuk i shikon kush,  bëjnë gjithçka nuk duhet bërë. Nuk duhet ta ndajnë lutjen nga drejtësia: është e pamundur të nderohet Zoti e, njëkohësisht të dëmtohet robi. Prandaj, mos gabo t’ia kundërvësh Zotit llogarinë tënde, krenarinë tënde, etjen tënde për lavdi e kamje njerëzore, e njëkohësisht të thuash se e do me gjithë zemër”.

Ç’duhet të bëjë i krishteri i vërtetë

Por Françesku kujtoi edhe ç’duhet të bëjë i krishteri i vërtetë, duke ndjekur mësimet e Ungjillit. E për ta kuptuar më lehtë, përshkroi skenën ungjillore të çastit kur në Tempull mblidhet lëmosha. Skenë dramatike, në mjediset e Tempullit madhështor, me pasanikë, që hedhin në arkë një mori monedhash e me një vejushë qyqare, që lë aty vetëm dy kacidhe, të vetmet që kishte. Jezusi, duke e vërejtur me vëmendje këtë grua të vejë e të varfër, u kujton dishepujve se ajo dha më shumë lëmoshë, sesa të gjithë, sepse dha gjithçka kishte për të jetuar. Mund të kishte dhënë vetëm njërën nga monedhat për Tempullin e ta mbante tjetrën për vete. Po ajo nuk do të ndahet përgjysëm; gjysmën për vete, gjysmën për Zotin. E di se kur ka Zotin, ka gjithçka! E ndjen se Zoti e do shumë, ashtu si dhe ajo e do me të njëjtën dashuri, që nuk njeh kufij!

Nuk ka rëndësi sasia, na kujton Papa. Por ka shumë rëndësi ndryshimi ndërmjet portofolit e zemrës. Ka sëmundje kardiake që ta zbresin zemrën në fund të portofolit. E kjo nuk është punë e mirë. Ta duash Zotin me gjithë zemër, do të thotë t’i besosh Atij, Provanisë së Tij e t’i shërbesh në vëllezërit më të varfër, pa u ndarë përgjysëm e pa pritur asnjë shpërblim!








All the contents on this site are copyrighted ©.