2015-11-13 15:29:00

Letrat e fëmijëve për Papën Françesku, bëhen libër


“I dashur Papa Françesku, po të shkruaj…”. Çdo ditë, në zyrën e korrespondencës së Atit të Shenjtë, mbërrijnë me qindra letra, vizatime, mesazhe fëmijësh nga e gjithë bota. Një antologji e kësaj korrespondence origjinale e të jashtëzakonshme publikohet tani në librin “Letrat e fëmijëve për Papën Françesku”, nën kujdesin e Alessandra Buzzetti-t, vatikaniste e Tg5 (Emisioni i lajmeve i televizionit italian Canale5). Libri i botuar nga Shtëpia Botuese “Gallucci”, do të dalë në librari më 19 nëntor. Ati i Shenjtë ka dhënë miratimin e tij për realizimin e këtij vëllimi, nga shitja e të cilit do të mblidhen fonde për fëmijët, të cilët shërbehen nga Dispenseria pediatrike e Shën Martës në Vatikan.

         Vërtet, libri fillon me një frazë domethënëse të Françeskut: “Fëmijët, kështu janë: buzëqeshin e qajnë, dy gjëra që ne të rriturit, shpesh, i bllokojmë, nuk jemi më në gjendje…”. Fëmijët e letrave drejtuar Papës tregojnë për shpresat e për frikën e tyre, duke shkaktuar pikërisht atë buzëqeshje, ose ato lot, për të cilët të rriturit nuk janë më në gjendje, siç thotë Ati i Shenjtë. “Nganjëherë – shkruan Matteo i vogël nga Scampia e Napolit – mamaja nuk ha darkë, duke na thënë se mban dietë, por nuk është e vërtetë: ajo ha çfarë na tepron neve. Mamaja – shton – qan gjithmonë e kur e pyes pse, më thotë se i djegin sytë”. Si lindi ideja e këtij vëllimi? Ia drejtuam mikrofonin pikërisht Alessandra Buzzetti-t, që është kujdesur për t’i mbledhur e për t’i renditur letrat e fëmijëve:

         Ideja lindi nga një kërkesë e Shtëpisë Botuese “Gallucci”, e cila boton libra për fëmijë. Pyetëm veten si të flisnim për papninë e Françeskut, të treguar nga fëmijët. Na shkoi ndërmend të kërkonim mundësinë për të vlerësuar e lexuar letrat, që fëmijët i shkruajnë Papës Françesku. Dhe u vumë përballë një sasie të jashtëzakonshme korrespondece, që mbërriti nga Zyra Postale e Papës. Personalisht, leximi i këtyre letrave ka qenë për mua një përvojë e bukur dhe mallëngjyese, sepse të bën shumë përshtypje se si fëmijët e kuptojnë më së miri thelbin e mesazhit të Françeskut. Përzgjedhja është tematike: pamë aspektet më të rëndësishme të magjisterit të Papës me sytë e fëmijëve.

Në letra, drama e të krishterëve të persekutuar

         Letrat nuk mbërrijnë vetëm nga Italia e, Papës nuk i shkruajnë vetëm fëmijë të krishterë. Të prek mesazhi i Azizit të vogël, pakistanez: “Arsyeja kryesore e letrës sime – shkruan – është se dëgjova për çiftin e krishterë, që u dogj i gjallë… më vjen shumë keq për ta e të kërkoj falje … Islami nuk është ky… të lutem më fal mua e Pakistanin”. Edhe drama e të krishterëve irakianë, përzënë nga terroristët e Isisit, është e pranishme në libër. Nga kampi i refugjatëve të Erbilit, shkruan Aiden. Shpreh dashurinë e tij për Atin e Shenjtë, i kërkon lutje e inkurajim. Pastaj, me thjeshtësinë çarmatosëse të një fëmije, i tregon Françeskut: “Më vjen keq, që e kam lënë biçikletën në Karakosh”. Dikush i shkruan Papës, duke i kërkuar të lutet për familjarë, ose miq të sëmurë, për të atin që ka mbetur pa punë e, dikush i tregon për gëzimin e Kungimit të Parë. Ndonjëri i drejtohet si një gjyshi shumë të veçantë dhe i kërkon të lutet për paqen.

“Ti e Totti jeni mite për mua”

         Natyrisht, nuk mungojnë edhe letra, që me siguri e bëjnë të buzëqeshë Papën. Nga Buenos Aires shkruan Alver, 9 vjeç. “Të dua fort Atë i Shenjtë” e pastaj bën shaka: “Ti je me Shën Lorencin, por unë jam tifoz i skuadrës më të madhe që ekziston, i Bokës”. E Rafaeli nga Roma, pasi e uron për festën e Shën Françeskut, e mbyll: “Mos harro se ti e Totti jeni mite për mua”. Shumë prej fëmijëve iu bën përshtypje gjestet dhe fjalët e Papës. Leonardi, 11 vjeçar nga Emilia Romagna, shkruan: “Je Papë i mrekullueshëm e je shumë i zoti për meshë”. “Sa herë flet – nënvizon Mario nga Formia e Italisë – thua fjalë shenjte”. Ndërsa Zena tregon për gëzimin që ndjen, sepse së shpejti do ta shohë Papën në audiencën e përgjithshme. “Jam e emocionuar – shkruan – sepse nuk kam qenë kurrë para një Shkëlqesie si ti”. E shton: “Shpresoj që pasi të të shoh, do të arrij ta përmirësoj sjelljen, duke i dëgjuar fjalët e tua”.








All the contents on this site are copyrighted ©.