2015-11-13 13:59:00

Françesku: Zoti është “bukuria e madhe”, gjithçka tjetër perëndon


Dy janë rreziqet, që e kërcënojnë besimtarin: tundimi për t’i hyjnizuar sendet e tokës e tundimi për t’i adhuruar deri “zakonet”, si të ishin të përjetshme. Por nuk është kështu. Nuk janë ato, bukuria e përjetshme. E vetmja bukuri e amshuar, që meriton të soditet, është ajo e Zotit. E pohoi Papa Françesku gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e Shën Martës.

“Bukuria e madhe e Zotit”. E kujton edhe Psalmi “Qiejtë rrëfejnë bukurinë e Zotit!”. Problemi i njeriut është se shpesh shkon e përkulet para sendeve, që nuk janë tjetër, veçse pasqyrim i shkëlqimit të Zotit, që një ditë shuhen. Ose, më keq akoma, adhuron kënaqësitë, edhe më kalimtare.

Të  lidhur me bukuritë e kësaj bote

Papa e shtjelloi homelinë duke vënë në dukje dy idhujtari, në të cilat mund të bjerë edhe kush ka fe. Leximi i Parë dhe Psalmi, vërejti, flasin për bukurinë e krijimit, por nënvizojnë edhe gabimin e atyre njerëzve, që nuk janë në gjendje të shikojnë përtej këtyre sendeve të bukura; nuk arrijnë të sodisin Krijuesin, përmes krijesave. E këtë Françesku e quan “Idhujtari e imanencës”, e paaftësisë për të depërtuar në mister. Njerëzit ndalohen para bukurisë, pa menduar për Atë, që shkëlqen pas saj:

“Lidhen tepër me këtë idhujtari; preken thellë nga mahnitja, kur sodisin fuqinë dhe energjinë e bukurive. Nuk mendojnë sa më i lartë është sovrani i tyre, sepse është Ai, që i krijoi; Ai, fillesa e autori i bukurive. Është idhujtari t’i sodisësh bukuritë, që janë aq të shumta, pa menduar se do të vijë edhe perëndimi i tyre. E edhe perëndimi ka bukurinë e vet… Prej këndej, ne të gjithë jemi para rrezikut të lidhemi tepër ngushtë me bukuritë e kësaj bote, pa menduar për Autorin e tyre. Besojmë se sendet, kështu siç i shikojmë, janë gati-gati perëndi, nuk mbarojnë kurrë. Po sendet sigurisht mbarojnë".

Hyjnizimi i zakoneve

Idhujtaria tjetër, nënvizoi Ati i Shenjtë, është ajo e zakoneve, që kanë aq forcë, sa ta shurdhojnë edhe zemrën. Françesku i shpjegoi, duke kujtuar fjalët e Jezusit në Ungjillin e ditës, përshkrimin, që Zoti u bën burrave e grave të kohës së Noehit ose të asaj të Sodomës kur, kujtoi, hanin, pinin, merrnin gra, merrnin burra, pa çarë fare kokën për gjërat e tjera, derisa erdhi çasti i përmbytjes ose i shiut prej zjarri e squfuri, çasti i rrënimit absolut:

“Gjithçka është e zakonshme. Kështu është jeta: jetojmë kështu, pa menduar fare për perëndimin e kësaj mënyre të jetesës. Edhe kjo është idhujtari: të jesh tejet i lidhur me zakonet, pa menduar se edhe zakonet kanë fundin e tyre. E Kisha na ndihmon ta shikojmë fundin e këtyre gjërave. Edhe zakonet mund të shikohen si të ishin zota! Idhujtari? Po jeta kështu është, e kështu edhe shkojmë përpara. E ashtu si bukuria përfundon në një bukuri tjetër, edhe zakonet tona përfundojnë në amshim, zakon tjetër, ky. Po aty është Zoti!”.

Të sodisim bukurinë pa perëndim

Ndërsa, porosit Françesku, duhet ta drejtojmë shikimin “gjithnjë përtej”, t’ia ngulim sytë “zakonit të fundmë”, Zotit të vetëm, që është përtej “fundit të sendeve të krijuara”, siç na mëson Kisha në këto ditë  të mbarimit të Vitit liturgjik, për të mos kthyer kokën mbrapa, gabim fatal ky, që bëri gruaja e Lotit, duke qenë të sigurt “se jeta është e bukur e se perëndimi do të jetë edhe më i bukur”:

“Ne, besimtarët, nuk jemi njerëz, që kthehen mbrapa, që dorëzohen, po njerëz, që shkojnë gjithnjë përpara. Të shkosh gjithnjë përpara në këtë jetë, duke soditur bukuritë, e me zakonet, që i kemi të gjithë, por pa i hyjnizuar kurrë. Do të mbarojnë një ditë…".

Në përfundim Papa uroi që pikërisht këto bukuri të vogla, të cilat pasqyrojnë bukurinë e madhe, të na mësojnë zakonet, që hapin udhën për të jetuar përgjithmonë në këngën e amshuar, në kundrimin e lumnisë së Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.