2015-11-13 16:11:00

Françesku: Evropa e pasur t’i mikpresë të uriturit si vëllezër


“Popujt evropianë t’i mirëpresin të uriturit, të huajtë, si të ishin vëllezër”. Papa Françesku e mori shtytjen nga audienca me Fondacionin  Romano Guardini, për të bërë një thirrje të re lidhur me mikpritjen emigrantëve. Duke folur për teologun e madh gjerman, Ati i Shenjtë nënvizoi se në popull shikojmë, si në pasqyrë, forcën e veprimit hyjnor:

“Nuk ka, as nuk mund të ketë, mbi gjithë faqen e dheut, një mëkat, që Zoti nuk ia fal njeriut, i cili pendohet sinqerisht”, pohoi.

Në audiencën me Fondacionin Romano Guardini, Françesku kujtoi një fragment nga Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit, ku ndalohet teologu e filozofi në një nga librat e tij. Është fragmenti, në të cilin një fshatare, kockë e lëkurë, shkon te starec, prift rus, për t’u rrëfyer. Pasi ka vrarë të shoqin, që e keqtrajtonte, gruaja është mbyllur në vetvete, shtoi Françesku, por prifti e gjen rrugëdaljen:

“Në rrëfim, gruaja shndërrohet e në shpirtin e saj rilind shpresa. Pikërisht njerëzit e thjeshtë e kuptojnë çka ndodh këtu. Pushtohen nga madhështia, që ndrit në urtinë e në forcën e dashurisë së starec-it. Kuptojnë ç’do të thotë shenjtëri, domethënë, jetë e jetuar me fe, e aftë për të parë Zotin, që jeton pranë njerëzve dhe e mban jetën e tyre në duart e veta”.

Më pas Papa u ndalua tek mendimi filozofik i Guardinit, lidhur me konceptin e popullit, për të përfunduar me thirrjen drejtuar Evropës së pasur, që t’i mikpresë të uriturit dhe të huajtë:

“Kështu mundemi, ndoshta, të pranojmë se Zoti, në  urtinë e Tij, na dërgoi ne, në Evropën e pasur, të uriturin, që t’i japim të hajë; të eturin, që t’i japim të pijë; të huajin, që ta mikpresim; të zhveshurin, që ta veshim. Historia, pastaj, do të dëshmojë: nëse jemi popull, sigurisht do ta presim si vëlla, por nëse jemi grup individësh pak a shumë të organizuar, do të tundohemi të shpëtojmë sidomos lëkurën tonë, por kështu nuk do të kemi vazhdimësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.