2015-11-11 14:40:00

Papa: në tryezë duhet të heshtin tv e smartphoni, jo familja


Në një kohë plot mbyllje e mure, është themelore të rikthehet përvoja e “uljes së bashku në sofrën e familjes”.  E pohoi me forcë Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, kushtuar pikërisht kësaj teme. Kjo ulje e përbashkët nuk shitet, as nuk blihet, sepse është sjellje e ndarjes së bukës së përditshme, që duhet kultivuar ndërmjet prindërve e fëmijëve e që të edukon me bujarinë ndaj më të ligshtit.

Uniteti ose mungesa e tij në gjirin e një familjeje, vërehet menjëherë rreth tryezës. Vërehet kur shikon nëse janë mbledhur të gjithë, apo jo, nëse  babait i pëlqen t’i shikojë sy më sy fëmijët, apo i ka sytë të ngulur tek televizori, nëse fëmijëve u pëlqen më shumë të shikojnë nënën e babain, apo tabletin: ky, siguroi Françesku, është termometri i sigurt, që mat shëndetin e marrëdhënieve familjare. Shëndet, i cili mungon e duhet rifituar pa tjetër, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Familje, që janë “pak” familje

Argumenti i katekizmit ishte pikërisht “sofra familjare”, që Papa ia shpjegoi turmës, e cila e ndiqte nën diellin tipik të festës së Shën Martinit, si sjellje, që çon në ndarjen e përbashkët të pasurive e të jetës e në lumturinë, që lind në shpirtin e njeriut, kur mund ta bëjë këtë. Virtyt i çmuar, siguroi Papa, që sot, për fat të keq, praktikohet gjithnjë më pak:

“Një familje, që nuk ha bukë gati kurrë së bashku; një familje, në sofrën e së cilës nuk flitet fare, por shikohet tv, ose smartphoni, është familje “fare pak familje”. Kur fëmijët rreth tryezës e kanë mendjen te kompjuteri, ose te celulari, e nuk ia vënë fare veshin njëri-tjetrit, kjo nuk është familje, është hotel familjar. Duhet të gjejmë mënyrën për ta rifituar: në tryezë flitet, në tryezë dëgjohet. Larg heshtjes! Asaj heshtjeje, që nuk është heshtje murgeshash, por heshtje egoizmi, secili n’e veten: kush televizorin e kush kompjuterin… E rreth sofrës shtrohet heshtja. Nuk dëgjohet asnjë pipëlimë. Jo, nuk duhet të heshtet. Duhet rifituar atmosfera e ngrënies së përbashkët, edhe duke iu përshtatur kohëve”.

Ngrënia e përbashkët nuk është spot

Kohë, që e kanë zhvleftësuar konceptin e konvivialitetit. Sofra e përbashkët, vijoi me keqardhje Françeku, me sa duket, është bërë një gjë, që shitet e që blihet.  E edhe vetë të ushqyerit nuk është gjithnjë simbol i ndarjes së drejtë të pasurive: shpesh nuk arrin  tek njerëzit, që nuk kanë bukë, as ngrohtësi njerëzore:

“Në vendet e pasura, kujtoi, kemi prirjen të shpenzojmë për të siguruar ushqim të tepruar, e pastaj, përsëritet prirja për të kërkuar ilaçin e duhur kundër teprisë. E një prirje e tillë pa kuptim, e largon vëmendjen tonë nga uria e vërtetë, uria e korpit dhe e shpirtit. Atje ku gjëja nuk ndahet bashkërisht me drejtësi, ka egoizëm, secili mendon vetëm për vetveten. Aq më tepër që publiciteti e ka katandisur të ushqyerit në ligështinë për të ngrënë diçka në zamër e në dëshirën për ëmbëlsira. Ndërsa  për shumë, tepër, vëllezër e motra, nuk ka vend në sofrën e  njerëzimit. E ky është turp. Është pak turp, apo jo?”.

Darka model

Përkundrazi të gjithë e dinë, vijoi të pohonte Papa, se kush ka thirrje të posaçme për të darkuar së bashku, është posaçërisht krishterimi. Pikërisht gjatë një Darke Jezusi u dorëzoi të vetëve “testamentin shpirtëror”, të përmbledhur në gjestin për t’u kujtuar, të flijimit të Tij:

“Zoti thyen Korpin e vet  e derdh gjakun e vet për të gjithë. Vërtet nuk ka ndarje të përbashkët, që mund t’i rezistojë kësaj flije  bashkimi; vetëm sjellja false, bashkëpunimi me të keqen, mund të të përjashtojë prej saj. Asnjë distancë tjetër nuk mund t’i bëjë ballë pushtetit të pambrojtur të kësaj buke të thyer e të kësaj vere të hedhur në kupë, Sakrament i të vetmit Korp të Zotit”.

“Mrekullitë e familjes”

Nga ky model, kujtoi Papa, krijojet ikona më e bukur e familjes, asaj, që mblidhet rreth “sofrës familjare”, që provon kënaqësinë e ndarjes së përbashkët të jetës ndërmjet anëtarëve të saj:

“Kujtesa e virtyteve familjare na ndihmon ta kuptojmë këtë. Ne vetë e kemi parë, e vijojmë ta shohim, sa mrekulli mund të ndodhin kur një nënë ka sy e vëmendje, kujdes e dashuri, për fëmijët e të tjerëve, përveçse për të vetët. Deri dje mjaftonte një nënë e vetme për gjithë fëmijët e oborrit! E akoma, e dimë mirë sa forcë fiton një popull, etërit e të cilit janë gati të brofin në këmbë për të mbrojtur bijtë e të gjithëve, sepse i shikojnë fëmijët si pasuri e pandarshme, e janë të lumtur e krenarë t’i mbrojnë”.

“Një Kishë familjesh”.

Duke e shikuar në këndvështrimin e krishterë, përfundoi Françesku, mund të thuhet se familja është “e shtëpisë” në Meshë, pikërisht sepse sjell në Eukaristi përvojën e ndarjes së përbashkët familjare  dhe i hap rrugën hirit të ndarjes së përbashkët universale të dashurisë së Zotit për botën, që sot vuan  për shkak të shumë portave të mbyllura e të shumë mureve ndarëse:

“Po, Eukaristia e një Kishe të përbërë nga familje të afta për t’i rikthyer bashkësisë tharmin veprues të ndarjes së përbashkët e të mikpritjes reciproke, është shkollë e gjithëpërfshirjes  njerëzore, që nuk ka frikë nga ballafaqimi! Nuk ka të vegjël, jetimë, të ligshtë, të pambrojtur, të plagosur, të zhgënjyer, të dëshpëruar e të braktisur, të cilët nuk mund t’i ushqejë, t’i përtërijë, t’i mbrojë e t’i mikpresë sofra eukaristike e familjeve”.

Pas përmbledhjes së katekizmit dhe përshëndetjeve në gjuhë të tjera, Papa Françesku kujtoi festën liturgjike të Shën Martinit, ipeshkëv i Tours, figurë shumë popullore, posaçërisht në Evropë, e edhe model i ndarjes së pasurisë me të varfërit. Vitin e ardhshëm, vijoi të kujtojë Papa, në përkim fatlum me Jubileun e Mëshirës, do të kremtohet edhe 1700 vjetori i lindjes së Shenjtit, festa e të cilit të kujton “beharin e  vogël”, në gjirin e vjeshtës e në prag të dimrit.








All the contents on this site are copyrighted ©.