2015-11-11 15:00:00

Kushte dramatike të të krishterëve në Haleb


“Mundësitë e pakta në dispozicion nuk na lejojnë të plotësojmë nevojat e shumta të besimtarëve”. Kështu tregon për Fondacionin “Ndihmë për Kishën që vuan”, kryeipeshkvi siro-katolik i Halebit, imzot Denys Antoine Chahda.

Prelati përshkruan kushtet dramatike të bashkësisë së vet. “Para luftës – thekson ai – dioqeza ime kishte 1500 familje, tani kanë mbetur vetëm 800”. Prej këtyre, 750 marrin ndihmë nga Kisha: veshje, ushqime, ilaçe e made, edhe një kontribut ekonomik për të blerë gjërat më të nevojshme, si për shembull, karburantin. “Dimri në Haleb është shumë i ftohtë e meqë prej muajsh, qyteti nuk ka elektricitet, lëndët djegëse janë e vetmja mënyrë për t’u ngrohur”.

Përveçse pa drita e pa ujë, shumë familje kanë humbur edhe shtëpinë. Disa prej tyre janë shkatërruar gjatë luftimeve e Kisha përpiqet t’i strehojë besimtarët, duke u vënë në dispozicion edhe vendet e kultit e kuvendet. “Familjet e krishtera, që kanë mbetur në vend, janë më të varfërat – pohon imzot Chahda – sepse kush kishte mundësi, është larguar tashmë jashtë. Shumica dëshiron të kthehet pas konfliktit, por kush ka gjetur punë, ose ka filluar t’i çojë fëmijët në shkollë në një vend tjetër, vështirë se kthehet”.

Bombardimet nuk e kanë kursyer katedralen e Halebit e as kryeipeshkvinë siro-katolike, por kishat e tjera të dioqezës, fatmirësisht, funksionojnë akoma e frekuentohen nga besimtarët, të cilët shkojnë në meshë përditë. Falë Zotit, nënvizon kryeipeshkvi, “Halebi mbrohet nga ushtria siriane dhe Isis nuk ka arritur të hyjë në qytet, përndryshe nuk do të kishin mbetur në të as të krishterët, as myslimanët”.

Me afrimin e Krishtlindjes, mendimi i imzot Chahda-s shkon tek familjet e shumta të krishtera, që duhen mbështetur. “Shpresoj – është thirrja e tij – që bashkësia ndërkombëtare ta ndihmojë Kishën të mbetet në Siri dhe të kujdeset për besimtarët, të cilët, tashmë, po vdesin nga uria, etja, lufta e sëmundjet. Uroj që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt, që të kthehemi sërish në jetën tonë të zakonshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.