2015-11-11 15:51:00

25 vjet më parë dom Simon Jubani kremtoi Meshën pas diktaturës, shenjë rebelimi e shprese


25 vjet më parë, si sot, më 11 nëntor 1990, u kremtua Mesha e Shenjtë në mënyrë publike pas shkurtit të vitit 1967, kur në Shqipëri liria fetare qe ndaluar nga regjimi komunist.  Guximi i dom Simon Jubanit, pastë dritë në Jetën e Amshuar, së bashku me disa meshtarë e besimtarë, bënë që pikërisht përmes kremtimit më të shenjtë siç është Eukaristia – Mesha e Shenjtë, liria qytetare e fetare të fillojë sërish të shfaqet haptazi në tokën shqiptare. Me atë kremtim, mund të themi se u vunë themelet e një epoke të re për mbarë shoqërinë shqiptare.

Këtë pra, solli ngjarja e madhe e fesë që u përjetua më 11 nëntorin e vitit 1990. Atë ditë prania e popullit në varrezat e Shkodrës u bë e papërmbajtshme, po kështu ndodhi edhe më 16 nëntor 1990, kur vëllezërit myslimanë shqiptarë e morën përsëri Xhaminë e Plumbit, gjithnjë në Shkodër, simbol i fesë së tyre, ndaluar gjithashtu nga totalitarizmi komunist ateist.

Si atë ditë, në mënyrë të dukshme rishfaqej liria qytetare e fetare, e bashkë me të rilindi edhe Atdheu i shqiptarëve, i cili deri në atë moment qe privuar prej  tiparit së vet kryesore, përmasës shpirtërore, besimit në Hyjin, për t’iu nënshtruar “hyjnive” të tjera të rreme e mashtruese, atyre të komunizmit antiteist.

Sot, më 11 nëntor, po kujtojmë guximin e klerit e të popullit, i cili pas një dimri të egër e të gjatë, iu kthye lirshëm rrënjëve të veta, identitetit e dinjitetit të dhuruar nga Zoti e të parët.

 
Ja homelia e Meshës së kremtuar në varreza të Shkodrës, , mbajtur nga dom Simon Jubani në Shkodër, më 11. nëntor 1990. Botuar më 31 tetor  2015   nga Famullia e Shkodrës

Vëllazën e motra

Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të dekun që kemi ndër vorreza dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që ranë për një Shqipni Europiane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme.

Në vjetën 1443, kur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta midis jush”.

Unë, i padejë për këtë mision, po ju thom se fenë nuk jua pruna unë, por e gjeta të ndezun në zemrat tueja. Se kjo fe ka qenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dishmon ardhja juej sot në këtë vend të shenjtë prej të katër anëve të Shqipnisë, për me e adhurue, me e falenderue e për me e lavdue të madhin Zot për këtë MREKULLI të madhe që po shohim sot me sy. Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtënt tonë, e vërteton restaurimi i kësaj kishëze vorrezash, ku kanë dhanë kontributin e vet, me punë e me të holla, edhe vëllazënt myslimanëe ortodoksë. Se kjo fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona, e dishmon edhe ma mirë shenjtorja e Shëna Ndout në Laç, kur midis terrorit, mbi ato gërmadha, kanë ra mija shqiptarë për çdo vjetë. Secili në fenë e vet e secili në gjuhën e vet vazhdimisht po i luten Shenjtit Shëna Ndue për të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore dhe këto lutje u kurorëzuen sot me këtë Panair plebishitar.

Për të madhin Zot e për fenë në Të, ma bukur se unë flitni ju, me ato ngushëllimet e panumërta që gjeni te kjo fe, e cila i ngushëllon e i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendet e zemrat e të gjithë njerëzimit.

Për të madhin Zot e për Shenjtënt e tij, ma bukur se unë shprehen shurdhët që ndiejnë, pagojcat që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që shërohen.

Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshëm për ekzistencën tonë fizike, njashtu për ekzistencën tonë shpirtënore asht e domosdoshme ekzistenca e një Qenje të mbinatyrshme, që na ndihmon me përballue vështirësitë e kësaj jete me optimizëm, entuziazëm, kurajo; dhe kjo Qenje e mbinatyrshme na ban me pa me sytë e shpirtit lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jete të shkurtë, njashtu sikurse shofi m me sytë e trupit bukuritë e rruzullit tokësor.

Kudo nëpër botë, si në qytetet moderne, ashtu edhe në katundet ma të harruemet, naltohen kah kupa qiella kupola, minare xhamijash, kumbonare, të cilat janë simbol i kontakteve, i lidhjeve që njerëzimi mban përherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e tyne të mprehta u përgjasin heshtave të një ushtrie të heshtun, që raca njerëzore ka krijue ndër shekuj për të ruejtë vlerat morale e kulturore. Çfarë interesash botënore përfaqëson feja?

Kush i zbuti barbarët e kohës së mesme, gotët, vizigotët, hunët e vandalët, përveçse murgjët e murgeshat, që i zbutën hordhitë e egërsinave me Kryq në dorë e me lutje në buzë? Kusha ia dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor e politik, përveçse kristianizmi?

Krejt zhvillimi moral e intelektual i Europës e ka burimin te filozofia e teologjia kristiane. Kush i çliroi vendet arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe u fali monoteizmin e i ngriti fiset primiteve në shtet të organizuem dhe ma vonë në Perandori arabe e otomane, përveçse islamizmi dhe profeti i tij, Muhamet?

Po në shkallë kombëtare, çfarë roli qytetnues ka luejtë feja? Në aspektin moral feja asht një digë, Diga nuk i lejon ujnat me vërshue e me i shpartallue tokat pjellore e shtëpiat e banimit. Njashtu feja asht një digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin me depërtue në mendjet e zemrat e njerëzimit dhe në këtë drejtim feja i ep kontributin ma të madh rendit publik. Në aspektin kulturor: të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha insitucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue e drejtue nga bazilianë, benediktinë, françeskanë, jezuitë, etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne e Bardhejve, asht temelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës. Por feja asht determinate edhe në mbrojtjen e atdheut. Tue mos qenë në gjendje idetë e shekullit me ua dhanë shqiptarëve bashkimin politik, vetëm feja dijti me i bashkue princat shqiptarë të shekullit XV kundër anmikut të përbashkët, Perandorisë Osmane. Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në kishën e Shën Nikollit të qytetit të Lezhës dhe në këtë kishë janë marrë të gjitha vendimet, për të gjitha operacionet ushtarake që ka zbatue Besëlidhja.

Por bota e qytetnueme na njeh edhe për famëmadhen, Lidhjen e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymr Prizrendi, së bashku me krenët tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë, si Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pashë Shkodrani e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i zhvilluen në xhaminë e Prizrendit, e prej kësaj xhami, dolën të gjitha direktivat. I madhi Zot, për t’i ushqye shqiptarët me begati, e pajisi Shqipninë tonë me dy mushkëni, me tokën e me detin: Për ta ruejtë këtë frymë të shëndoshtë, prej toke e prej deti, jetuen,luftuen e diqën princat shqiptarë të shekullit XV si dhe fatosat e kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.

Vjeta 1989 ka qenë vjeta e paqës dhe e lirisë për gjithë botën, sepse në këtë vjetë u shembën muret e perdet e hekurta,që ndanin vende e popuj, por ma tepër ndanin zemrat e njerëzve. Në këtë vjetë pushoi së rrjedhuni gjaku, po fshihen lotë, mbaroi djersa e pashpërblyeme e mori fund lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Njerëzimi hyni në një epokë paqe, lirie, mirësie, harmonie e begatie. Begatia e harmonia e një populli varen nga liritë që u akordohen qytetarëve.

Liria, në kuptimin filozofik të fjalës, asht progresi gradual i ndërgjegjes dhe i kulturës njerëzore. Këtë liri dhe këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore. Rruga paqësore asht tipike për një popull të qytetnuem. Duhet ta përballojmë tundimin e të mos përdorim dhunën, as brutalitetin. Dhuna e brutalitetit nuk i kanë zgjidhë kurrë problemet kombëtare e as familjare.

Vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën atyne që na quejnë “Shprehje gjeografike”, tokë e pazbulueme dhe i askujt, vetëm kështu do t’ua mbyllim gojën anmiqve tonë, që na konsiderojnë popull kopil, i gjetun në mjedis të katër rrugëve nga nana histori.

Shkodra, qytet me histori ma të lashtë se dymijë vjeçare; Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë; Shkodra e Teutës, e Gentit, e Agronit; Shkodra që deri para 50 vjetësh i pati dhanë Shqipnisë tonin moral, kultural, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkodër asht gati edhe sot me bashkëpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtare e Balshës së Madhe e Marin Barletit, mbasardhëse e Fishtës e e Bushatlinjve, e Oso Kukës, dom Ndoc Nikës, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit.. Trashigimtare e Frashërlijve, Konicës.. Shkodranët gjinden këtu, në këto troje shqiptare, të gatshëm me ripërtëri edhe një here traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia në kohët e saj më të mira, mbrendë e jashtë atdheut. Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.