2015-11-10 14:35:00

Papa gjatë Meshës në Firence: Kisha në mesin e njerëzve e për njerëzit.


Në homelinë e Meshës kremtuar në stadiumin “Franchi” të Firencës , Papa Françesku përshkoi domethënien e besimit në Jezu Krishtin, Zot e Shpëtimtar. Ati i Shenjtë përshkroi udhën e rrëfimit të fesë  shpallur nga Simon Pjetrit në Jezusin dhe kërkoi që Kisha të jetojë në mesin e njerëzve e për njerëzit.

Në Ungjillin e sotëm Jezusi u bënë dishepujve të vet dy pyetje. E para: “Njerëzit, çka thonë, kush është Biri i njeriut?” (Mt 16,13) kjo pyetje tregon se sa zemra e vështrimi i Jezusit janë të hapur ndaj të gjithëve. Jezusin e intereson ajo çka njerëzit mendojnë për të, jo për t’i kënaqur, por për të mundur të komunikojë me ta. Pa ditë atë çka njerëzit mendojnë, dishepulli izolohet e fillon t’i gjykojë njerëzit sipas mendimeve e bindjeve personale. Të mbash kontakt të shëndosh me realitetin, me atë çka njerëzit jetojnë, me lotët e tyre dhe me gëzimet e tyre, është mënyra e vetme për t’u folur zemrave të njerëzve, duke prekur me dorë eksperiencën e tyre të përditshme: punën, familjen, problemet e shëndetit, trafikun, shkollën, shërbimet shëndetësore... Është mënyrë e vetme për ta hapur zemrën ndaj dëgjimit të Zotit.

Në realitet, kur Zoti ka dashur të flas me ne, Ai është mishëruar. Dishepujt e Jezusit nuk duhet të harrojnë kurrë nga janë zgjedhur, prej nga vijnë, do të thotë prej njerëzve, e nuk duhet kurrë të bien në tundim për t marr qëndrime të shkëputura nga realiteti, si ato që merren pavarësisht nga çka njerëzit mendojnë e jetojnë, thua se nuk u përket e për ta nuk është e rëndësishme. Kjo vlen edhe për ne. Na e kujton këtë  edhe fakti që sot jemi mbledhur për të kremtuar Meshën e Shenjtë në një stadium sporti.

Kisha, si Jezusi, jeton në mesin e njerëzve e për njerëzit. Për këtë arsye Kisha, në tërë historinë e saj, gjithmonë ka bartë në vete këtë pyetje: kush është Jezusi për burrat e gratë e sotëm?

Edhe Papa shën Leoni Madh, me prejardhje nga Toskana, përkujtimin e të cilit e kremtojmë sot, barte në zemër të tij këtë pyetje, këtë ankth apostolik që të gjithë njerëzit të mund ta njihnin Jezusin, e ta njohësh Atë për atë që me të vërtetë është, jo një imazh të tij të shtrembëruar nga filozofia e nga ideologjia e kohës.

Për këtë është e domosdoshme ta përforcojmë, peshojmë e pjekim fenë tonë personale në Të. E atëherë ja pyetja e dytë që Jezusi u bënë dishepujve: “Po ju, kush thoni se unë jam?” (Mt 16,15).

Pyetja që jehon akoma sot në ndërgjegjen tonë si dishepuj të tij, është pyetje vendimtare për identitetin tonë e për misionin tonë. Vetëm nëse e njohim Jezusin në të vërtetën e Tij, do të jemi në gjendje ta shikojmë të vërtetën e gjendjes sonë njerëzore, e do të mund të japim kontributin tonë për humanizimin e plotë të shoqërisë.

Ruajtja e kumtimi i fesë së drejtë në Jezu Krishtin është zemra e identitetit tonë të krishterë, sepse në njohjen e misterit të Birit të Hyjit bërë njeri, ne mund të depërtojmë në misterin e Hyjit e në misterin e njeriut.

Në pyetjen e Jezusit përgjigjet Simon Pjetri: “Ti se je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!” (rreshti 16). Kjo përgjigje përmban tërë misionin e Pjetrit e përmbledh atë që për Kishën do të bëhet misioni pjetrin, shërbesa e Pjetrit, çka do të thotë të ruash e shpallësh të vërtetën e fesë; të mbrosh e promovosh bashkimin ndërmjet të gjitha Kishave; të ruash disiplinën e Kishës. Papa Leoni ka qenë e mbetët, në këtë mision, një model shembullor, si në mësimet e tij të shkëlqyeshme, si në gjestet e tij plot me butësi, mirëkuptim, dhembshuri e fuqi të Zotit.

Edhe sot, të dashur vëllezër e motra, gëzimi ynë është të ndajmë bashkë këtë fe e t’i përgjigjemi së bashku Jezusit Zot: “Ti për ne je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë”. Gëzimi ynë është edhe të shkosh kundër rrymës e të kapërcesh opinion e përgjithshëm, që, sot si atëherë nuk arrin të sheh në Jezusin më tepër se një profet apo një mësues. Gëzimi ynë është të njohim në Të praninë e Hyjit, të dërguarin e Atit, Birin e ardhur për t’u bërë vegël shpëtimi për njerëzimin. Ky rrëfim i fesë që Simon Pjetrit shpalli, mbetët edhe për ne, themel i besimit. Ky rrëfim nuk përfaqëson vetëm themelin e shpëtimit tonë, por edhe udhën, përmes së cilës shpëtimi plotësohet, e cakun, drejt të cilit anojmë.

Në rrënjën e misterit të shpëtimit, në të vërtetë, gjendet vullneti i Hyjit të mëshirshëm, që nuk ndalet para moskuptimeve, para fajit e mjerimit të njeriut, por i dhurohet atij deri në atë pikë sa Ai vetë bëhet njeri për të takuar çdo person në gjendjen e tij konkrete. Kjo dashuri përdëllyese e Hyjit është ajo çka Simon Pjetri njeh e pranon në fytyrën e Jezusit. Po atë fytyrë, jemi të thirrur edhe ne ta njohim në forma, në të cilat Zoti na ka siguruar praninë e vet në mesin tonë: në Fjalën e Tij, që shndrit errësirat e mendjes sonë e të zemrës sonë; në Sakramente, që na ripërtërijnë në një jetë të re nga çdo vdekje e jonë; në bashkimin vëllazëror, që Shpirti Shenjt lind e na dhuron ndërmjet dishepujve të tij; në dashurinë pa kufij, që bëhet shërbim bujar e plot përdëllim ndaj të gjithëve; në njeriun e varfër, që na kujton se si Jezusi ka dashur që dëftimi Tij suprem i vetvetes dhe i Atit të kishte imazhin e të përbuzurit të kryqëzuar.

Kjo e vërtetë e fesë është një e vërtetë që shkandullon, sepse kërkon të besohet në Jezusit, i cili, edhe duke qenë Hyj, është zbrazur, është ulur e përulur deri në kushtet e shërbëtorit, deri në vdekjen mbi kryq, e për këtë Hyji e bëri Zotëri të universit (krh Fil 2,6.11). Kjo është e vërteta që ende sot shkandullon atë njeri që nuk e toleron misterin e Hyjit të ngulitur në fytyrën e Krishtit. Është e vërteta të cilën nuk mund ta prekim e përqafojmë pa, siç thotë shën Pali, hyrë në misterin e Jezu Krishtit, e pa i bërë tonat të njëjtat ndjenja të tij (krh Fil 2,5). Vetëm duke u nisur nga Zemra e Krishti mund ta kuptojmë, rrëfejmë e jetojmë të vërtetën e Tij.

Në realitet, njësimi ndërmjet hyjnores e njerëzores , realizuar plotësisht në Jezusin, është caku ynë, është pikarritja e historisë njerëzore sipas planit të Atit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.