2015-11-10 15:13:00

Françesku: ëndërroj një Kishë italiane pranë njerëzve, të lirë nga pushteti


Ëndërroj një Kishë italiane pranë njerëzve, të lirë nga pushteti e të udhëhequr nga fryma e Shpirtit Shenjt. Kështu u tha Papa Françesku rreth 2500 pjesëmarrësve në Kuvendin Kishtar Kombëtar, në Katedralen fiorentinase të Shën Marisë së Lules. Fjala e gjatë e programatike e Atit të Shenjtë u parapri nga përshëndetja e kreut të ipeshkvijve italianë, kardinalit Angelo Bagnasco, si edhe nga disa dëshmi.

Një katekumene, një çift me një histori dështimi martesor pas shpine, një emigrant shqiptar, që është bërë meshtar në Itali: dëshmi prekëse, që përvijuan imazhin e një shumëkëndëshi përvojash kishtare. Ato, nënvizoi në përshëndetjen e tij kardinali Bagnasco, kthehen në histori të një Kishe, që ka dëshirë të dalë, të kumtojë, të jetojë në histori, të edukojë e të shndërrohet në fe, për t’i dhënë jetë humanizmit të ri.

Dëshmia e shqiptarit

Mallëngjyese fjalët që don Bledar Xhuli, ikur nga Shqipëria që 16 vjeçar, i drejtoi Atit të Shenjtë. Lindur në një familje ateiste, e takoi Krishtin në një meshtar në Firence, i cili e priti krahëhapur në shtëpinë e vet, pasi kishte kaluar njëmijë peripeci, pasi kishte fjetur poshtë urave, pasi kishte ngrënë në mensën e Karitasit e pasi u kishte shtrirë dorën të gjithëve, shpesh, pa marrë as dy kacidhet e mëshirës. Don Bledari e përmendi me emër e mbiemër meshtarin italian don Giancarlo Setti, që më 2 dhjetor 1993, e priti si djalin e vet në shtëpi, duke i thënë se “i kishte trokitur në derë Krishti”. Pa e nxitur aspak drejt krishterimit, don Setti i dha shkollë e universitet, ndërsa Bledari i afrohej kishës, fillimisht së bashku me shokët e vet, “për të mos ndenjur vetëm”, siç i tha Papës, por pastaj për ta njohur atë Krisht të mishëruar në Hosten Shenjte. Aty ndjeu thirrjen për meshtari e pas një rruge të gjatë formimi, më 11 prill 2010 u shugurua prift. Bamirësi i tij, don Setti, vdiq në vitin 2002, por fjalët e fundit të don Bledar Xhulit, para Atit të Shenjtë, përveçse falënderim për udhëtimin e Papës në Shqipëri, shprehën pikërisht mirënjohjen për atë meshtar të Zotit, që i dha një dorë kur të gjithë e konsideronin hedhurinë:

 “Dua t’ju them faleminderit nga zemra, duke e zgjeruar frymëmarrjen e këtij Kuvendi të Kishës Italiane në këndvështrimin ndërkombëtar, për udhëtimin tuaj në Shqipëri. Inkurajoi jo vetëm Kishën, por edhe mbarë vendin për të fluturuar lart si shqiponjat. Duke pasur parasysh titullin e Kuvendit …’në Krishtin, humanizmi i ri’, e duke iu kthyer fjalëve të don Setti-t ‘për mua trokiti Krishti’, pas 22 vjetësh mund të pohoj – i dashur Papa Françesku – se Krishti nuk ishte i pranishëm në atë që trokiste, por në atë që hapi derën. E akoma sot, në prag të hapjes së Vitit Jubilar të Mëshirës, i përsërit Kishës dhe botës: ‘trokisni e do t’ju hapet’”.

Fjala e Papës

Don Bledarit e të gjithë delegatëve të Kuvendit, Papa u tregoi horizontin e një bashkësie të krishterë pranë njerëzve, të lirë, pa frikën e përballjes me sfidat e kohës sonë. Mori shkas nga afresku i “Gjyqit të Mbramë” në Katedralen e Firences, për të thënë se Zoti e dërgoi Birin e Tij të vetëm jo për ta dënuar botën, por për ta shpëtuar përmes Tij. Edhe ne, vërejti Ati i Shenjtë, jemi të thirrur të boshatisemi si Krishti në Kryq, përndryshe nuk do ta kuptojmë humanizmin e krishterë. Fjalët tona mund të jenë të bukura e plot kulturë, por nuk do të jenë fjalë feje, do të tingëllojnë bosh. Tri, përmasat e humanizmit të vërtetë, që vuri në dukje Papa: përvuajtëria, sjellja pa interes, lumnia. Përmasa e parë, nënvizoi, duhet të na mbrojë nga lavdia e krenia, nga pushteti personal, ndërsa e dyta, të shkojmë me guxim drejt botës:

“Ju lutem, të mos ‘mbyllemi në struktura, që na japin mbrojtje të rreme, në norma, që na shndërrojnë në gjykatës të papajtueshëm, në sjellje, që na bëjnë të ndihemi të qetë’ (Evangelii gaudium, 49). Detyra jonë është të punojmë për ta bërë këtë botë një vend më të mirë. Feja jonë është revolucionare për shkak të impulsit, që vjen nga Shpirti Shenjt”.

Kisha e fiksuar me pushtetin, bëhet e trishtë

Duhet ta ndjekim këtë impuls, vijoi Papa Françesku, për të dalë nga vetveteja e për të qenë njerëz të Ungjillit të Krishtit. I krishteri është i lum kur ka në vetvete gëzimin e Ungjillit. Lumnia shihet edhe në solidaritetin e njerëzve, në sakrificat e tyre e madje, nganjëherë, edhe në punën e vështirë e të paguar keq. Përvuajtëria, sjellja pa interes, lumnia: këto tri tipare, theksoi Ati i Shenjtë, na thonë si duhet të jetë Kisha:

“Këto tipare na thonë se nuk duhet të fiksohemi tek ‘pushteti’, edhe kur ai merr pamjen e një pushteti të dobishëm e funksional për imazhin shoqëror të Kishës. Nëse Kisha nuk bën të vetat ndjenjat e Jezusit, çorientohet, humbet kuptimin. Nëse i bën të vetat, di të jetë në lartësinë e misionit të saj. Ndjenjat e Jezusit na thonë se një Kishë, që mendon vetëm për vete e për interesat e veta bëhet e trishtuar”.

 Papa vuri në dukje dy tundime, që mund ta pengojnë udhën e risimit. “Jo 15, siç i thashë Kuries”, shtoi duke qeshur. I pari është ai “pelagjian”, që e bën Kishën të mos jetë e përvuajtur, me sjellje pa interes dhe e lume. Duket sikur ky qëndrim është i mirë, i dobishëm, sepse organizon e planifikon:

“Shpesh na bën të kemi një stil kontrolli, ashpërsie, normativiteti. Norma i jep pelagjianit sigurinë për t’u ndjerë më lart se të tjerët, për të pasur një orientim të saktë. Këtu e gjen forcën, jo në frymën e Shpirtit Shenjt. Para të këqiave, ose problemeve në Kishë, është e kotë të kërkojmë zgjidhje në konservatorizma e fundamentalizma, në rivendosjen e sjelljeve e të formave të tejkaluara, që as nga pikpamja kulturore, nuk e kanë aftësinë për të qenë të rëndësishme”.

Kisha të udhëhiqet nga Shpirti Shenjt

Tundimi i dytë është “gnosticizmi”, që ia beson gjithçka arsyetimit, por e humbet ndjeshmërinë e prekjes së vëllait, të afërsisë me të. Afërsia me njerëzit dhe lutja, nënvizoi Papa Françesku, janë çelësi për të jetuar një humanizëm të krishterë, popullor, të përvuajtur, bujar e të gëzuar. Barinjve të Kishës, ipeshkvijve e meshtarëve, Ati i Shenjtë u kërkoi pikërisht të mos ndahen kurrë nga grigja, që u është besuar:

“Kohët e fundit, lexova për një ipeshkëv, që tregonte se merrte metronë në orën e pikut të njerëzve, të cilët ishin kaq shumë, sa ai nuk dinte ku ta vinte dorën për t’u mbajtur. I shtyrë djathtas e majtas, mbështetej tek njerëzit për të mos rënë. E kështu, mendoi se përveç lutjes, ata që e bëjnë një ipeshkëv të qëndrojë në këmbë, janë pikërisht njerëzit. Askush e asgjë të mos ju largojë gëzimin për t’u mbështetur nga populli juaj”.

Dialog, jo negociata

 Mos kini frikë të dialogoni me të gjithë, i tha më tej Papa klerit të mbledhur në Firence. Vetëm kështu mund të gjenden zgjidhjet për çdo lloj problemi:

“Dialogu nuk është negociatë. Negociatë do të thotë të përpiqesh të marrësh një ‘fetë’ në tortën e përbashkët. Nuk e kam këtu fjalën. Duhet kërkuar e mira e përbashkët për të gjithë. Të diskutojmë së bashku, të mendojmë zgjidhjet më të mira për të gjithë. Shpesh takimi përfshin edhe konfliktin. Në dialog kemi edhe konflikt: është logjike dhe e parashikueshme të ndodhë kështu. E nuk duhet të kemi frikë, as ta injorojmë, por ta pranojmë. Nuk duhet të kemi frikë të zemërohemi bashkë”.

Kishë pranë të vuajturve

 Së fundi, Papa Françesku u kërkoi të rinjve italianë të punojnë për një Itali më të mirë. Mos e shikoni jetën nga ballkoni, u tha Ati i Shenjtë, por impenjohuni në dialogun shoqëror e politik. “Duart e fesë suaj të lartohen drejt qiellit, por bëjeni këtë ndërsa ndërtoni një qytet të bazuar në marrëdhënie, në të cilat themeli është dashuria e Zotit”. E batutat e fundit të Papës Françesku përvijuan Kishën, që i pëlqen Atit të Shenjtë:

“Më pëlqen një Kishë italiane e shqetë, gjithnjë pranë të braktisurve, të harruarve, të papërsosurve. Dëshiroj një Kishë të gëzuar, me fytyrën e nënës, që kupton, shoqëron, përkëdhel. Ëndërrojeni edhe ju këtë Kishë, besoni në të, risojeni me liri. …Besoni në gjeninë e krishterimit italian, që nuk është pasuri e një njeriu apo e një elite, por e një bashkësie, e popullit të këtij vendi të jashtëzakonshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.