2015-11-09 17:30:00

Papa shuguron ipeshkëv imzot De Donatis: jubileu, Kisha e bota kanë nevojë për mëshirë


Sot pasdite, Papa Françesku shuguroi ipeshkëv, imzot Angelo De Donatis, i cili merr edhe detyrën e ipeshkvit ndihmës të dioqezës së Romës. Të jesh ipeshkëv, i tha Ati i Shenjtë Bergoglio, i cili mbajti homelinë e parashikuar nga rituali i rastit, nuk është nder, por shërbim. Ipeshkvi nuk mbizotëron, por shërben, sipas urdhërit të Krishtit për të gjithë dishepujt e vet: “Kush është më i madh ndër ju, të bëhet më i vogël dhe, kush qeveris të bëhet si ai, që shërben”. Një sërë këshillash i dha Papa sivëllait të vet, i cili merr në dorë një detyrë të vështirë, por edhe fisnike:

“Kumtoje Fjalën e Zotit në çdo rast, të volitshëm ose jo; paralajmëro, kritiko, këshillo me shpirtmadhësi e doktrinë. E, përmes lutjes e ofertës së sakrificës për popullin tënd, merr nga plotësia e shenjtërisë së Krishtit pasurinë shumëformëshe të Hirit Hyjnor”.

Ipeshkvi, theksoi më tej Papa Françesku, është njësoj si kryefamiljari, prandaj i kërkohet të jetë Bari i Mirë, që e njeh grigjën e vet e nuk ngurron të japë edhe jetën për të. E duke pasur parasysh se së shpejti fillon Jubileu i Mëshirës, Ati i Shenjtë shtoi pa letër:

“Kisha dhe bota kanë nevojë për shumë mëshirë. Ti mësoju meshtarëve dhe seminaristëve udhën e mëshirës, natyrisht, me fjalë, por edhe, e sidomos, me sjelljen tënde… mëshira e atit që pret gjithnjë, që ka gjithnjë vend në zemrën e vet, pa përzënë kurrë njeri… prit, prit… këtë të uroj, shumë mëshirë”.

E më pas, Papa Françesku vijoi:

“Duaji, me dashurinë e atit e të vëllait, të gjithë ata, që të ka besuar Zoti, sidomos meshtarët dhe diakonët, bashkëpunëtorë në shërbimin tënd; por edhe të varfërit, të pambrojturit e të gjithë ata, që kanë nevojë për mikpritje e për ndihmë. Nxiti besimtarët të bashkëpunojnë në impenjimin apostolik dhe dëgjoji me dëshirë. Kij kujdes për të gjithë ata, që nuk bëjnë pjesë në vathën e Krishtit, sepse edhe ata të janë besuar nga Zoti”.

Së fundi, Papa i kërkoi ipeshkvit të ri të punojë në bashkim me ipeshkvijtë e tjerë, si edhe të ndihmojë Kishat në vështirësi.

Imzot Angelo De Donatis është lindur në vitin 1954, në Casarano të Lecce-s, në Itali. Është shuguruar meshtar në vitin 1980 e që nga viti 1983 shërben në dioqezën e Romës. Gjatë Kreshmëve të vitit të kaluar mbajti meditimet e Ushtrimeve Shpirtërore të Kuries Romake. E sot, me një gjest të rrallë, i cili nënvizon rëndësinë që i jep ngjarjes, Papa Françesku, ipeshkvi i Romës, u kthye në katedralen e vet për ta shuguruar si ipeshkëv ndihmës të kardinalit Agostino Vallini.








All the contents on this site are copyrighted ©.