2015-11-09 12:49:00

Papa në Firence: Piovanelli: qyteti duhet ta dëshmojë Krishtin


“Humanizmi i përkryer gjindet në krishterim”. Kryeipeshkvi i nderit i Firences, kardinali Silvano Piovanelli, nënvizon se Humanizmi e pati gjithnjë qendrën e tij kulturore në Firence. Qytet, që ende sot, mund të luajë një rol ndërlidhës ndërmjet njerëzores e hyjnores, laicitetit e krishterimit. Në prag të arritjes në Firence të Papës Françesku, që do të jetë nesër në kryeqendrën toskane, si dhe të 29-vjetorit të vizitës së Shën Gjon Palit II, kardinali Piovanelli flet, në mikrofonin tonë, për pritjen e fiorentinëve:

Përgjigje: - Papa Françesku sigurisht do të ndjehet fort, sepse ndikon shumë pozitivisht mbi njerëzit; di të vihet menjëherë në lidhje me ta, prej këndej, do të jetë, sigurisht, një ngjarje e madhe.

Pyetje: - Si ka ndryshuar bashkësia e krishterë e Firences?

Përgjigje: - Më dhemb, kur e them, më dhemb…. Sigurisht laicizmi imponohet në një farë mënyre. E, në këndvështrimin numerik, jemi më pak, ndonëse duhet kujtuar gjithnjë se numri nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka shpirti. Nëse kujtojmë të krishterët e parë të qytetit, ishin grupe të vogla, por shkëlqenin aq shumë, sa i ndriçonin të gjithë me dritën e tyre. Shpresoj të ndodhë e njëjta gjë edhe sot: nuk është çështje numerike, por çështje shpirti, impenjmi personal.

Pyetje: - Firence është qytet i humanizmit, që bashkoi qiellin me tokën, hyjnoren me njerëzoren. A është ende aktuale kjo periudhë kulturore në përvojën e krishterë?

Përgjigje: - Më duket se kjo ka shumë rëndësi: përsosuria e humanizmit gjindet pikërisht në kristianizëm. Prej këndej “njeriu i gjithanshëm”, në se mund të shprehemi kështu, njeriu i përkryer, është Zoti Jezus. Ai është ideali i vërtetë për njeriun: Atë duhet ta shikojë, nga Ai duhet të frymëzohet, të udhëhiqet, të entuziazmohet. E atëherë udha e njeriut bëhet jo vetëm udhë vërtetësie e dashurie, por edhe shprese e dhurimi për të tjerët.

Pyetje: - Çfarë kontributi mund t’i japë historia e qytetit, jetës së krishterë të ditëve tona?

Përgjigje: - Besoj se La Pira, nga qielli, sigurisht galdon. Më duket sikur e shikoj të lum për këtë që ndodh në Firence. Mendoj se Firence, me kritikën e saj, me dashurinë për të përkryerën, mund t’i japë akoma shumë kristianizmit, ose, më mirë të themi, mund ta bëjë të shkëlqejë kristianizmin në jetën e vet. Jam plotësisht i bindur se është qytet, që duhet të japë dëshminë e fesë së krishterë. Më kujtohet sesi një herë La Pira, i sapo kthyer nga Jeruzalemi, thoshte: “Firence është si Jeruzalemi!”. Me që ishim në Romë, i bëra një vërejtje: “Më fal, profesor, po jemi në Romë!”. E ai gjegji: “Ah! Edhe Roma është Jeruzalem, të gjitha qytetet janë Jeruzalem!”. Donte të thoshte se çdo qytet është i thirrur ta pranojë fenë e krishterë e ta shprehë në jetën  e bashkësisë.

Pyetje: - Firence mund të jetë qytet i mëshirës: jemi në prag të Vitit Shenjt…

Përgjigje: - Është qyteti i mëshirës. Eshtë, e në një mënyrë të pashoqe. Në Firence, më 1244, lindi “Misericordia”, “Mëshira”. U quajt kështu një Shoqatë të krishterësh, të cilët viheshin vullnetarisht në shërbim të të tjerëve. Fillimisht ishte fjala vetëm për përcjelljen e të vdekurve në varrezë, pastaj veprimtaria vijoi me shoqërimin e të sëmurëve në spitale, me ndihmesën në shtëpitë e tyre… Është institucion i lashtë, i shekullit XIII, që vijon edhe sot e kësaj dite. Në Firence vijon “Mëshira”. Është shoqatë, por mendoj se duhet të jetë edhe virtyt, në Firence e në të gjitha qytetet: virtyti, që na shtyn të përkulemi mbi të tjerët, për t’u shërbyer në çastin kur kanë nevojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.