2015-11-08 16:11:00

Papa: të vjedhësh dokumente është krim; reformat shkojnë përpara


“Dua t’ju siguroj se ky fakt i trishtuar nuk më shkëput nga puna për reformën, që po e çojmë përpara me bashkëpunëtorët e mi e me mbështetjen e ju të gjithëve”. Me këto fjalë, shqiptuar në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa komentoi vjedhjen e dokumenteve të Vatikanit muajt e kaluar dhe botimin e tyre, posaçërisht në dy libra, që sapo dolën nga shtypi. Vjedhja, sqaroi Françesku, ishte krim, fakt i dënueshëm, që nuk ndihmon askënd.

Mos kini frikë! Unë ec përpara me besim e shpresë! Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa Françesku u duk në dritaren më të famshme të botës, kah e cila drejtohen çdo të dielë miliona sy, nga Sheshi i Shën Pjetrit e nga ekranet e televizorit, për të treguar drejtpërdrejt e haptazi, i shoqëruar nga një breshëri e vazhdueshme duartrokitjesh, atë që mendon për ngjarjen e ditëve të kaluara, për vjedhjen e dokumenteve pas shpinës së tij e për librat, që i bënë të njohura, duke u përpjekur të krijojnë bindjen se botohen për të mirën e Papës:

“E di se shumë u trazuan nga lajmet, që qarkulluan ditët e kaluara, lidhur  me dokumentet e rezervuara të Selisë së Shenjtë, që u morën e u botuan. Prandaj dëshiroj t’ju them, para së gjithash, se vjedhja e këtyre dokumenteve është krim. Është vepër e dënueshme, që nuk ndihmon askënd. Unë vetë pata kërkuar të bëhet ky studim, e këto dokumente unë, e bashkëpunëtorët e mi, i njihnim mirë. Madje ishin marrë edhe masat e duhura, që nisën të japin fryte, disa nga të cilat, krejt të dukshme”.

“Korbat” e “Vatiliksi”, spiunët e manovratorët, cilatdo qofshin intrigat dhe synimet e tyre, nuk ma trazuan gjumin e posaçërisht, vijoi Françesku me zë të vendosur, i ndjekur nga mijëra duartrokitje, nuk më bënë të tërhiqem a të largohem nga orvatjet për risim, të cilat ia besoj lutjes së gjithë atyre, që e duan seriozisht Kishën:

“Prandaj dëshiroj t’ju siguroj se ky fakt i trishtueshëm nuk më shkëput sigurisht nga puna e reformës, që po e çoj përpara me bashkëpunëtorët e mi dhe me mbështetjen e ju të gjithëve. Po, me ndihmën e mbarë Kishës, sepse Kisha përtërihet me lutjen dhe shenjtërinë e përditshme të çdo të pagëzuari. Prandaj ju falënderoj e ju kërkoj të vijoni të luteni për Papën e për Kishën, pa u turbulluar, por duke shkuar përpara me besim e shpresë”.

Edhe reflektimi i mëparshëm, në një farë mënyre, qe prelud i këtij pohimi, i përqendruar, siç ishte, mbi kontrastin ndërmjet fesë së vërtetë të krishterë e dukjes së saj. Françesku, si zakonisht, komentoi Ungjillin e së dielës, duke u ndaluar tek ajo faqe, që flet për vejushën e varfër, e cila lë në thesarin e Tempullit gjithë ç’kishte mbas shpirtit, ndryshe nga mësuesit e ligjit që, sqaroi Papa, kapardiseshin në publik si njerëz të drejtë, ndërsa në jetën private gllabëronin gjënë e vejushave:

“Edhe sot ekziston rreziku që të ndeshemi me këto sjellje. Për shembull, kur lutja veçohet nga drejtësia, sepse nuk mund ta adhurosh Zotin e,  njëkohësisht, t’i dëmtosh të varfërit. Ose kur thuhet se e do Zotin, e në të vërtetë i kundërvë Atij të Lumit vetëmburrjen tënde, leverdinë tënde”.

Pasanikët, që hedhin në thesar monedha të shumta, për ta teprica, janë tejet larg, vërejti Papa, nga shembulli i bukur i bujarisë së vejushës, që, në varfërinë e saj, nënvizoi, e ka kuptuar mirëfilli se duke pasur Zotin, ka gjithçka:

“Sot Jezusi na thotë edhe ne se masa e gjykimit nuk është sasia, por tërësia, plotësia. Ka ndryshim ndërmjet sasisë e tërësisë. Ti mund të kesh shumë para e të jesh bosh; zemra jote nuk është plot. Mendoni këtë javë, i ftoi Papa besimtarët, për ndryshimin ndërmjet sasisë e plotësisë. Nuk është punë portofoli, po zemre. Ta duash Zotin 'me gjithë zemër', do të thotë t’i besosh Atij, provanisë së Tij e t’i shërbesh në vëllezërit më të varfër, pa pritur asnjë shpërblim”.

E, siç i pëlqen të bëjë shpesh herë, Papa e shoqëroi parashtrimin e kësaj së vërtete të fesë, me një shembull konkret, që flet vetë për forcën e saj. Solli, sot, shembullin e një familjeje të dioqezës së tij, në Argjentinë, që, ndërsa ishte shtruar në sofër e po hante kotoleta, u ndërpre nga një lypës i uritur. Nëna i pyeti tre bijtë e saj çfarë duhej të bënte, e ata e nxitën t’i japë ushqim të varfërit. Atëhere kjo nënë, shpjegoi Papa…:

“…. merr pirunin e thikën e i ndan përgjysëm të gjitha kotoletat... ‘Ah jo, mama, jo! Kështu jo! Merri nga frigoriferi…’. ‘Jo, po bëjmë tri panine kështu’. E bijtë mësuan se bamirësia e vërtetë nuk bëhet me tepricat, por me atë, që është e nevojshme. Jemi të thirrur të japim kohën e nevojshme, jo vetëm atë, që na tepron; të thirrur të japim menjëherë, pa ngurrim, ndonjë nga talentet tona, jo vetëm pasi t’i kemi përdorur për qëllimet vetjake ose të grupit”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku kujtoi Kuvëndimin kombëtar të Kishës italiane, në të cilin do të marrë pjesë të martën e ardhshme, duke shkuar në Firence, si dhe “Ditën e falënderimit”, sivjet me temë: “Toka, pasuri e përbashkët”, që do të zhvillohet në Romë me rastin e “Ditës dioqezane për mbrojtjen e gjithësisë”, pasuruar sivjet edhe me “Marshimin për tokën”:

“Bashkohem me ipeshkvijtë me urimin që të gjithë të veprojnë si mbarshtues plot përgjegjësi të kësaj pasurie kolektive, tokës, frytet e së cilës kanë një qëllim të caktuar, universal. Jam, me mirënjohje, pranë botës bujqësore dhe e inkurajoj ta punojë tokën në mënyrë, që të mbetet gjithnjë e pëlleshme e të prodhojë  ushqim për të gjithë, për  breznitë e sotme e për ata, që do të vijnë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.