2015-11-08 09:00:00

Njerëz të Zotit, që dëshmojnë Krishtin: Forumi Global i Krishterë në Tiranë


Përfundoi të mërkurën në Tiranë, konsultimi i Forumit Global të Krishterë, i cili u mblodh për tri ditë mbi temën “Diskriminimi, persekutimi, martirizimi: të ndjekim Krishtin së bashku”. E vërtet si një Korp i vetëm i Krishtit, para mikrofonit sollën dëshmi rreth 145 katolikë, ortodoksë, protestantë të të gjitha traditave, nga Lindja e Mesme, nga Nigeria, nga Sudani, nga Irani, Pakistani e Afganistani. 200 milion të krishterë persekutohen në botë e 80% e diskriminimeve dhe e persekutimeve në gjithë globin kanë të bëjnë me të krishterët. “Kur një gjymtyrë e trupit vuan, të gjitha të tjerat vuajnë bashkë me të”: ky qe citimi nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve, që u ndje fuqishëm përmes fjalëve dhe tregimeve, por sidomos u ndje në shpirt. Pavarësisht nga historitë e tmerrshme të persekutimit, kërkesa më e zakonshme e të pranishmëve, në një tokë martirizimi të krishterësh si Shqipëria e kaluar nëpër ferrin e komunizmit ateist, ishte “Lutuni për ne”. Askush nuk ankohej, sepse ndërsa ndjekin Krishtin – siç shkruhet në mesazhin përfundimtar të Konsultimit – “të krishterët mund të hasen me çdo formë persekutimi, vuajtjeje dhe martirizimi, sepse bota e mëkatit është kundër Ungjillit të shëlbimit. Por – nënvizohet më tej – që nga kohët e hershme, të krishterët kanë provuar shpresën dhe realitetin e Ringjalljes, ndërsa ecnin në udhën e Kryqit. Së bashku – shkruajnë pjesëmarrësit – ne ndjekim Krishtin, ndërsa ‘kemi uri dhe etje për drejtësi” (Mt 5:6) për të gjithë”.

Të dëgjojmë imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin e Kosovës…

 

Një realitet i vogël, por i rëndësishëm për Shqipërinë, është edhe Vëllazëria Ungjillore Shqiptare. Në tri ditët e Forumit, lutja e mëngjesit u mbajt edhe në qendrën e saj në Tiranë, në datën 3, pasi pjesëmarrësit u lutën në katedralen ortodokse në datën 2 e më vonë, në katedralen katolike, në datën 4. Të dëgjojmë, pastorin Ali Kurti, kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë…

 

 Imzot George Frendo, sekretari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ishte përgjegjës për pjesën katolike të Forumit. Në mesazhin përfundimtar, konsultimi i Tiranës kërkon që të krishterët të dëgjohen më shumë, ta ngrenë zërin më shumë, të luten më shumë e të bëjnë më shumë për t’u solidarizuar me vëllezërit në fe, por edhe për të mbrojtur lirinë fetare. Në mikrofonin tonë, imzot Frendo vë theksin në bashkëpunimin e qeverive për mbrojtjen e të krishterëve…

 

Po e mbyllim këtë reportazh me një lutje. Ashtu siç nuk ka bërë ndonjëherë tjetër prej kohësh, Fortlumturia e Tij, kryepeshkopi ortodoks Athanasi, lutet para mikrofonit të Radio Vatikanit, në gjuhën shqipe, për të gjithë të krishterët…








All the contents on this site are copyrighted ©.