2015-11-08 09:00:00

Kardinal Betori: Françesku pritet si atë nga fiorentinasit


Përgatitjet e fundit në Firence, ku Papa Françesku do të shkojë të martën, 10 nëntor, me rastin e Kuvendit kishtar kombëtar. Ati i Shenjtë do të jetojë një ditë intensive, të pasur me çaste takimi me bashkësinë kishtare dhe civile të qytetit toskan. Në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Firences, kardinali Giuseppe Betori, flet për shpresat e njerëzve në këtë vizitë:

Para së gjithash, dua të theksoj gëzimin, timin personal dhe të gjithë bashkësisë fiorentinase, për këtë dhuratë, që na bën Papa. Na e bën jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse vjen për Kuvendin kishtar kombëtar, që do të zhvillohet në Firence, por jemi të gëzuar që mund ta presim edhe në vizitë mes nesh, si Bari i Kishës Universale. Pra, është çast gëzimi i madh e duam të jemi krejtësisht në sintoni me misionin dhe me praninë e tij në Kishën e sotme.

Në një vizitë prej pak orësh, Papa Françesku do të gjejë hapësirë për të gjithë, për të fundmit, për të sëmurët, të varfërit e të burgosurit. Edhe elteri për meshën në stadium është vepër e të burgosurve…

Deshën që, përkrah Papës, të ishin të pranishme të gjitha realitetet e dioqezës sonë. Siç është traditë në këto raste, Papa do ta kremtojë meshën për të gjithë popullsinë. Por, deshi dy çaste të veçanta: një çast lutjeje pranë Zojës së bashku me të sëmurët e një çast takimi me të varfërit.

Tema kyçe e Kuvendit është humanizmi i ri. Firence është djepi i humanizmit e Papa Françesku vjen të theksojë se në Krishtin jemi gjithnjë të rinj e ka gjithnjë një humanizëm të ri për t’u zbuluar…

Është sfidë e madhe e kohës sonë t’i japim gjendjes së sotme njerëzore, që po shpërbëhet pas nxitjeve kahekundërta, mundësinë për të rigjetur imazhin që Krijuesi na ka dhënë: imazhin e birit të Tij. Ky është mesazhi, që dëshirojmë të japim: një mesazh shprese. E pastaj, edhe konkret, sepse në vend që të flasë për njeriun në përgjithësi, Kuvendi do të vërë në dukje të gjitha përvojat konkrete të humanizmit të mirë, që realizohen në shoqëritë tona, duke luftuar çnjerëzoren në to. Në qendër të këtij humanizmi është vlera e dashurisë dhe e bamirësisë, e kujdesit për të varfërit, pjesë e traditës së humanizmit të vërtetë fiorentinas.

Çfarë mund të gjejë Ati i Shenjtë ndër popullin e krishterë, që do të mblidhet në Firence?

Fytyra kryesore, që u ofrojmë gjithë atyre, që vijnë në Firence, është ajo e bukurisë, natyrisht: Firence është qytet, ku përmasa e bukurisë ka gjetur shprehje tejet të lartë. Unë uroj që Ati i Shenjtë ta kuptojë se kjo bukuri nuk është prodhim i ndonjë artisti gjenial, por fryt i një shoqërie të ndërtuar në harmoni në shekuj. Në periudhën e saj më të mirë, ajo e ka gjetur këtë harmoni në bashkimin ndërmjet punës kërkimore dhe së vërtetës, në kërkimin e së mirës dhe të së bukurës. Kur fiorentinasit deshën të ndërtonin një shtëpi për fëmijët e braktisur, nuk ia lanë në dorë këtë punë gjeometrit të parë që takuan, por arkitektit më të madh të kohës: Filippo Brunelleschi.








All the contents on this site are copyrighted ©.