Duke shfletuar kalendarin historik, so, më 8 nëntor përkujtojmë datën e shkrimit
të dokumentit kishtar të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Pal Engjëllit, në gjuhën
kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet në gjuhën shqipe “FORMULA
E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti i parë shqip që njihet e që
mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462.
Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor
i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës
dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915.
Dokumenti është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli
bëri si bari e udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kisha famullitare dhe
vise të kryedioqezës së Durrësit. Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet
pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve,
problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke
u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin
foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të
Pagëzimit…
“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. " Formulen
e pagezimit" qe eshte: "Un te pagezonj pr'emen't Atit e t'birit e t'shpirtit shenjt".
Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës
të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.
Karl Gurakuqi shkruan në Shejzat të vitit 1969 n -7-9 në faqe 321 mbi Kongresin
e Monastirit 1908-1968 e duke u folur rreth gjuhës shqipe ‘Prej Buzukut n’alfabetin
e Monastirit, kur flet për formulën e Pagëzimit shprehet kështu:
“Krye-epishkopi shqiptàar i Durrsit, Pàl Engjëlli( rreth vjetve 1417-1470), mik e
bashkëpuntuer i Skandërbeut, njerí shum fetár, me ndiesí të forta atdhetare, pat bâ
nji vizitë baritore tue u sjellë nepër të gjitha viset e Shqipnísë mesme. Gjatë kësaj
vizite nepër famullít e ndryshme, qi shkojshin me jurisdikcjonin e Durrsit, krye-epishkopi
pat vû re shrregullime të shumta në punët e ushtrimit të fés nga ana e famullitarvet,
qi nuk ishin aq fort të përgatitun për shërbimet fetare. Kleri shqiptár, ndonsè vendas,
nuk interesohej aq fort për popullin, dhe aq mâ pak për punët fetare, prandej Bariu
i tyne, Pali, shkroi disá udhëzime, disá rregullore, me anën e të clave u mësonte
priftënvet të famullivet se qysh lipsej të silleshin në shërbesat e kishës. Këto këshille
i shkroi latinisht me tiutullin:”Constitutiones, ordinationes et statuta nga Paulus
Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illiricae Regionis….In
Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indicitone decima die vero lunae
octava mensis Novembris”( ditën e hânë, me 8 të nândorit)”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |