2015-11-06 14:25:00

Papa: samaritanët e mirë e mbrojnë jetën, të moshuarit, të varfërit


Mbrojtja e jetës dhe e familjes janë pjesë e impenjimit shoqëror të të krishterëve, të cilët duhet të përpiqen për të ndihmuar kudo nevojtarët, sidomos ata, që kanë humbur dinjitetin. Kështu tha sot Papa Françesku, duke pritur në audiencë delegacionin e Qendrave të Ndihmës për Jetën.

Të zgjidhen problemet në familje

         Njeriu i Ungjillit, që zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko, duke përfunduar në dorën e hajdutëve, të cilët e vjedhin dhe e rrahin, vijon të përshkojë edhe sot, rrugët e qyteteve të botës, në kërkim të samaritanit të mirë. Ndoshta, me xhepat bosh, ose i sëmurë, ose me fytyrën plot rudha, ose me tipare të ndryshme nga tonat… Papa Françesku përvijoi kështu njeriun, për të cilin Qendrat e Ndihmës për Jetën, struktura të Lëvizjes italiane për Jetën, duhet të bëhen samaritane të mira. Është e vërtetë se ato kujdesen sidomos që nënat në vështirësi të mos e refuzojnë dhuratën e jetës, e cila rritet brenda tyre, por, nënvizoi Ati i Shenjtë, kjo përfshin edhe ndihmën për familjen e zgjidhjen e problemit të varfërisë, shpesh, arsye e ndërprerjes së shtatzanisë:

         “…për dishepujt e Krishtit, të ndihmojnë jetën njerëzore të plagosur do të thotë të takohen me nevojtarët, t’u qëndrojnë pranë, të marrin përsipër brishtësinë e dhimbjen e tyre, duke i ngritur sërish në këmbë. Sa familje kanë problemin e varfërisë, të sëmundjes, të mungesës së punës e të shtëpisë! Sa të moshuar – sa të moshuar! – vuajnë nga pesha e vetmisë! Sa të rinj kanë humbur rrugën, të kërcënuar nga varësitë e çdo lloji e nga skllavëritë e tjera, e presin ta rigjejnë besimin në jetën!”.

Mos e ktheni shpinën

         Papa u kërkon Qendrave për Jetën ta hapin më shumë zemrën e të mos mjaftohen vetëm me shërbimin fisnik për jetën. Të jesh samaritan i mirë, theksoi Ati i Shenjtë, do të thotë të përqafosh, me ndjeshmëri personale dhe shoqërore, çdo formë problematike varfërie e shfrytëzimi, që shpesh has sy të verbër në atë, të cilën Papa e quajti “shkretëtira e jetës”:

         “Edhe në kohën tonë ka akoma shumë të plagosur, për shkak të grabitësve të sotëm, që i zhveshin njerëzit, jo vetëm nga pasuria, por edhe nga dinjiteti. E përpara dhimbjes dhe nevojave të këtyre vëllezërve të pambrojtur, disa kthehen nga ana tjetër, ose kalojnë pa vështruar, ndërsa të tjerë ndalen e i përgjigjen me përkushtim bujar thirrjes së tyre për ndihmë”.

Qofshi samaritanë të mirë

         Në 40 vjet veprimtari, kujtoi Papa, anëtarët e Lëvizjes për Jetën kanë punuar që shoqëria të mos ketë të përjashtuar e të mënjanuar, të cilët jetojnë në kushte varfërie:

         “Përmes veprës kapilare të ‘Qendrave të Ndihmës për Jetën’, përhapur në gjithë Italinë, keni qenë shpresë dhe rilindje për shumë njerëz. Ju falenderoj për të mirat, që keni bërë e vazhdoni të bëni me shumë dashuri e, ju inkurajoj ta vijoni me besim në këtë rrugë, duke vazhduar të jeni samaritanë të mirë. Mos u lodhni së vepruari për kujdesin ndaj njerëzve më të pambrojtur, që kanë të drejtë të vijnë në jetë, njëlloj si për ata, që kërkojnë një jetë më të shëndetshme e më dinjitoze”.

Në mbrojtje të amësisë

         E duke i nxitur të pranishmit të punojnë për të mbrojtur familjen - pasuria e parë e shoqërisë, sidomos përsa i përket dhuratës së fëmijëve dhe afirmimit të dinjitetit të gruas - Ati i Shenjtë vuri në dukje një aspekt të lidhur ngushtë me realitetin:

         “Më pëlqen të nënvizoj se, në veprimtarinë tuaj, ju i keni mirëpritur të gjithë, pavarësisht nga feja e kombësia. Numri i madh i grave, sidomos emigrante, që u drejtohen për ndihmë qendrave tuaja, tregon se kur ka mbështetje konkrete, gruaja, pavarësisht nga problemet e kushtëzimet, është në gjendje ta lerë të triumfojë brenda saj ndjenjën e dashurisë, të jetës e të amësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.