2015-11-06 16:03:00

Papa në Prato: Imzot Agostinelli: e pret shoqëria shumëformshe


Një takim i vetëm, por që do të mbetet në historinë e bashkësisë qytetare, e jo vetëm asaj kishtare. Kështu e jeton pritjen për vizitën e Papës, Prato, ku Françesku do të shkojë në mëngjesin e 10 nëntorit, para se të vizitojë Firencen. Me ne, ipeshkvi Franco Agostinelli:

Përgjigje: - Ne po e presim vërtet me padurim, të gjithë. E kur them të gjithë, nuk kam në mendje vetëm Kishën prateze, por mbarë shoqërinë, që po mobilizohet, secili sipas kompetencës së vet, për ta përgatitur sa më mirë këtë pritje, këtë vizitë të Papës.

Pyetje: - Pikërisht këto ditë Papës Françesku iu drejtua një letër e hapur e forcave ekonomike, shoqërore e sindikale të Pratos, në të cilën pohohet se Ati i Shenjtë ndjehet shumë pranë edhe kur është fjala për problematikat e punës e të familjeve në vështirësi….

Përgjigje: - Pa dyshim, unë vetë, duke e parë vizitën papnore në këtë këndvështrim, dëshiroj të them se po përfitojmë shumë nga përgatitja e kësaj vizite të Papës, i cili ka premtuar se do të takohet me të gjitha forcat e angazhuara në punë, për të vendosur me ta një dialog vërtet vëllazëror.  Ndërkaq jemi shumë optimistë, nga që mendojmë se kur të përfundojë kjo vizitë e Papës, ajo që ndërtuam deri tani, do të ketë patjetër vazhdimësinë e saj. Nga ana tjetër, duke folur për punën, ne përballojmë një tematikë që nuk mund të mos na interesojë, si Kishë në përgjithësi e si Kishë prateze, në veçanti. E kjo, sepse Prato është qytet, që ka jetuar gjithnjë me punë, qytet i ndërtuar me punë, qytet që sot vuan nga mungesa e punës. Janë problematika, për zgjidhjen e të cilave duam t’i dëgjojmë të gjithë e, natyrisht, para të gjithëve, mendimin e Papës, fjalët, që do të na drejtojë Papa.

Pyetje: - Të prek edhe fakti se Françesku, që shkon në Firence për Kuvëndimin kombëtar kishtar, do të arrijë në qytet – nëse mund të shprehemi kështu - nga periferia e tij, domethënë, pasi ka takuar Praton….

Përgjigje: - Po, ne e kuptojmë edhe rëndësinë, që ka kjo fillesë nga Prato. Por, pa harruar se Papa, duke folur me bashkëpunëtorët e tij të drejtpërdrejtë, e quajti vizitën në Prato “kyç i hyrjes” në atë, që do të jetë Kuvëndimi kishtar kombëtar. Kyç i hyrjes, sepse Prato përballon ato tematika, që janë tejet të dashura për Atin e Shenjtë: tematikat e punës,  të mikpritjes, të integrimit. Nga ky këndvshtrim Prato është një laborator i vërtetë i asaj, që mund të jetë shoqëria e së ardhmes, e cila, pa dyshim, do të jetë shumetnike, shumëkombëshe, shumëracore, shumëfetare. Mjafton të kujtojmë se në qytetin tonë jetojnë përfaqësues të 112 kombësive!








All the contents on this site are copyrighted ©.