2015-11-06 15:52:00

Imzot Becciu: librat botojnë gjëra të ditura; përpara, me transparencë


Vuajtje për atë që ndodhi, por jo intriga oborri: Françesku ka mbështetjen e ne të gjithëve: kështu shprehet në Tv2000, imzot Giovanni Angelo Becciu, zëvendës i Papës në Sekretarinë e Shtetit, që saktëson: gjëra të ditura, ato që dalin nga librat e shkruar mbi ngjarjet e Vatikanit.

Hidhërim, po njëkohësisht edhe forcë e kthjelltësi; ky, shpirti me të cilin Françesku e jeton daljen e lajmeve e të dokumenteve të rezervuara, duke i inkurajuar të gjithë të shkojnë përpara me besim. Imzot Becciu përshkruan si u prit nga Vatikani e nga Papa kjo ngjarje:

“Është e qartë: me vuajtje e pakënaqësi, sepse vështirë të pranosh që, posaçërisht një prift, të mund të njolloset me një krim të tillë. Papa vuan, nuk mund ta mohojmë. Por pa harruar se ka edhe një forcë të madhe, ka  pasuri morale, që shërbejnë si mësim i vërtetë për ne të gjithë.

Lidhur me teprimet e Kuries, vëren se kush ka gabuar, duhet të ndreqet. Edhe kjo bën pjesë në reformën e Papës:

“Ajo, që botojnë dy librat, nuk është tjetër, veçse puna e kryer me dëshirën e Papës, për ta bërë sa më funksional, më transparent, administrimin e  Selisë së Shenjtë. Pra, janë gjëra, që i dinim qysh më parë. Shprehje e dëshirës së Papës për ta riorganizuar gjithë sistemin financiar të Selisë së Shenjtë. Është e qartë se duke bërë analizën e stato quo-së, dolën në shesh gjëra, që nuk funksiononin mirë e pikërisht këto botohen në dy librat. Por i dinim që më parë, të gjitha”.

Përsa u përket apartamenteve të Vatikanit, imzot Becciu kujton se janë trashëgim i shekujve të kaluar: “Ç’të bëjmë – pyet – t’i rrënojmë? Të bëjmë banesa të tjera? Të dalim nga Roma? Kështu do të shpenzoheshin edhe më shumë të holla”.

 Për Obolin apo Lëmoshën e Shën Pjetrit, pohon me forcë se gjithçka është bërë në dritën e diellit:

“Besimtarët e dinë - por flas edhe përmes përvojës personale – se kur dhurojnë, dhurojnë duke i besuar atij, që i merr. Këto para kanë shkuar për bamirësinë e Papës, të tjera përdoren edhe për organizimin e shërbesës  papnore, por e gjithë kjo është bërë publike. Bilanci i Selisë së Shenjtë botohen çdo vit e thuhet  qartë: për mbajtjen e Kuries, për L’Osservatore Romano”, për Radio Vatikanin, për nunciaturat… Po unë dua të ngulmoj në këtë:  besimtarët e dinë se këto para jepen për të ndihmuar Papën. Kam përvojën se kur njerëzit tanë të thjeshtë të japin një ofertë, ta japin me mendimin: “Merre e bëj ç’të duash me të!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.