2015-11-06 16:20:00

Françesku: e trishtueshme të shikosh ipeshkvij të dhënë pas parasë


Ipeshkvijtë e meshtarët ta mundin tundimin e “jetës së dyfishtë”. Kisha duhet t’u shërbejë të tjerëve, jo të bëhet “afariste”. Është një prej fragmenteve të homelisë së mëngjesit, mbajtur nga Papa Françesku gjatë kremtimit të Meshës në Shtëpinë e Shën Martës.  Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga “arrivistët”, që lidhen ngushtë me paratë, duke i bërë shumë keq Kishës.

 

Të shërbesh, të shërbehesh! Papa Françesku e shtjelloi homelinë, duke u bazuar mbi dy figura shërbëtorësh, paraqitur nga liturgjia e sotme.  Së pari, foli për figurën e Palit, që iu kushtua i tëri shërbimit, gjithnjë e gjithkund, derisa arriti në Romë ku, i tradhtuar nga disa prej të tijve, i mbaroi ditët  i dënuar me prerjen e kokës. “Prej nga i vinte gjithë kjo madhështi Apostullit të Popujve?”, pyeti Papa. I vinte nga Jezu Krishti. E ai ishte krenar që i shërbente, që ishte i zgjedhur, që kishte forcën e Shpirtit Shenjt”.

I krishteri është i thirrur të shërbejë, jo të shërbehet

Ishte shërbëtor, që shërbente, ripohoi Ati i Shenjtë, që mbarështonte, duke hedhur bazat, domethënë, duke kumtuar Jezu Krishtin, e nuk ndalej kurrë për të shtënë në dorë poste, për të fituar autoritet, për t’u shërbyer. Ishte shërbyes për të shërbyer, jo për t’u shërbyer:

“Po ju them se mbushem me gëzim të pamasë, madje prekem thellë në shpirt, kur në këtë Meshë vijnë disa priftërinj, që më përshëndesin e më thonë: ‘Oh, Atë, erdha këtu për t’u takuar me të mitë, sepse prej 40 vjetësh shërbej në Amazonë’. Ose ndonjë murgeshë, që më tregon: ‘Punoj prej 30 vjetësh në një spital të Afrikës’. Ose ose kur gjej ndonjë motër imcake, që shërben në një spital handikapatësh, gjithnjë me buzë në gaz. Kjo  do të thotë të shërbesh, ky është gëzimi i Kishës: të shkojë larg, gjithnjë, të shkojë larg e të japë jetë. Këtë bëri Pali: shërbeu!”.

Jo, arrivistëve të shtënë pas parasë në Kishë

Në Ungjill, vijoi, Zoti na krijon mundësinë të shikojmë figurën e një shërbëtori tjetër i cili, në vend që t’u shërbejë të tjerëve, kërkon të shërbehet nga të tjerët. E, nënvizoi, kemi lexuar ç’bëri ky shërbëtor: s’la dredhi pa përdorur, që të mbetej në postin e tij:

“Edhe në Kishë nuk mungojnë njerëz të tillë, të cilët, në vend që të shërbejnë, të mendojnë për të tjerët, të hedhin bazat, e shfrytëzojnë   Kishën; janë ata, që s’lënë gjë pa bërë për të fituar, janë njerëz të shtënë pas parasë. E sa e sa priftërinj e ipeshkvij i kemi parë kështu! Gjë e trishtueshme, apo jo!? Radikaliteti i Ungjillit, i thirrjes së Jezu Krishtit është të shërbesh, të jesh në shërbim, të mos ndalesh kurrë, të shkosh gjithnjë larg, duke e harruar krejtësisht vetveten. Është rehatia e statusit: unë kam arritur një status e jetoj me komoditet, pa pikë ndershmërie, si ata farizejtë, për të cilët flet Jezusi. Ata, që shëtisnin shesheve, duke bërë çmos të tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve.

Kisha, që nuk shërben, bëhet Kishë afariste

Dy figura, rikujtoi Françesku, dy figura të krishterësh, dy figura priftërinjsh, dy figura murgeshash. Dy figura. E Jezusi, që na kujton modelin e Palit, të Kishës, e cila nuk ndalet kurrë, shkon gjithnjë përpara e na bën ta shikojmë me sytë tanë se kjo është rruga:

“Ndërsa kur Kisha është e akullt, e mbyllur në vetvete, nganjëherë edhe afariste, kjo nuk do të thotë se është Kishë, që shërben, por që shërbehet. Zoti na dhëntë hirin, që ia dha Palit, për të shkuar gjithnjë përpara, gjithnjë, duke hequr dorë nga rehatitë e na shpëtoftë nga tundimet, ato që, në fund të fundit, mund t’i quajmë tundime për jetë të dyfishtë; ‘Bëj çmos të dukem si shërbëtor, domethënë si njeri që shërben, ndërsa nuk më vjen aspak turp të shfrytëzoj shërbimin e të tjerëve’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.