2015-11-06 16:14:00

Ati i Shenjtë: besimtari nuk mund të bëjë jetë faraoni


“Rreziku i korrupsionit është i përhershëm”. E pohon Papa në një intervistë dhënë gazetës holandeze të rrugës Straatnieuws, gazetë e të pastrehëve të Utrechtit. Në bisedën e plotë me redaktorët, Françesku flet për ndihmën e Kishës ndaj më të varfërve dhe vëren: besimtari nuk mund të rrojë si faraon! 

Klima e kësaj bisede të Papës në Shtëpinë e Shën Martës është e qetë; biseda, e shtruar. Vetë redaktorët e gazetës holandeze të rrugës Straatnieuws e përshkruajnë Papën si njeri të qetë, miqësor, por njëkohësisht edhe energjik e të saktë. Temat e intervistës lidhen ngushtë me aktualitetin.

Me qeveritë, marrëveshje transparente: është gjithnjë në pritë rreziku i korrupsionit

Françesku pohon se me qeveritë “mund të bëhen marrëveshje, por duhet të jenë të qarta, transparente. Për shembull: ne drejtojmë këtë pallat, por llogaritë janë të gjitha të kontrolluara, për të shmangur korrupsionin. Sepse, pohon Françesku, tundimi i korrupsionit është gjithnjë i pranishëm në jetën publike. Si në atë politike, ashtu edhe në atë fetare. Papa tregon se foli një herë për këtë me një ministër të Argjentinës, njeri i ndershëm, njeri që u largua nga detyra, sepse nuk mund të ishte dakord me disa gjëra të errëta. I bëra pyetjen: “Kur u dërgoni ndihma, si ushqime, ashtu edhe veshmbathje apo para të varfërve e të pastrehëve, nga ajo që dërgoni, sa arrin aty ku duhet, si në para, ashtu edhe në shpenzime? Më gjegji: ‘35%’. E kjo do të thotë se 65% humbet. Shkon në xhepat e të korruptuarve: ‘Një copë për mua, e edhe copa tjetër për mua’”.

Pasuritë e Kishës shërbejnë për spitalet e shkollat

Lidhur me pasuritë e Kishës, Françesku shpjegoi se shërbejnë për të mbajtur strukturat e vetë Kishës, por edhe për shumë vepra bamirësie në vendet nevojtare: spitale, shkolla; edhe vepra artistike, si “Zoja e Dhimshme” e Mikelanxhelos, që nuk mund të shiten, sepse janë thesare të njerëzimit. E kjo vlen për të gjitha thesaret e Kishës. Ndërsa kemi nisur t’i shesim dhuratat e sende të tjera, që më japin njerëz të ndryshëm, pohoi.

Besimtari nuk mund të bëjë jetë faraoni

Varfëria është gjithnjë në qendër të mendimit të Françeskut, që pohon: “Nëse një besimtar flet për varfëri ose për njerëz të pastrehë e vetë bën jetë faraoni, kjo nuk shkon fare”. Kështu Papa në intervistë, për të pohuar më pas, se do të dëshironte një botë pa varfëri, pa të varfër, gjë që mbetet ëndërr, sepse lakmia njerëzore është e gjithëpranishme, sepse mungon solidariteti e sundon egoizmi, që krijon të varfër e varfëri. Prandaj, pohoi Papa, më duket pakëz e vështirë një botë pa të varfër. Edhe vetë Kisha duhet të jetë e varfër. Vetë Jezusi, kur erdhi në botë, nuk gjeti strehë e u bë i varfër. Thirrja për të kërkuar gjërat kryesore ka vlerë për të gjithë edhe për shekullarët. Pa harruar se të gjithë kanë të drejtë për një jetë dinjitoze, kanë të drejtë të gëzojnë: punën, shtëpinë, tokën!

Ndjehem i lirë në Shën Martë

Pastaj, disa tema pakëz intime: nuk e priste të zgjidhej Papë, po kjo nuk e bëri ta humbasë paqen e shpirtit, sepse, hir i Tënzot.

Pyetjes: “A do ta vijojë këtë mision derisa të jetë në gjendje?”, Papa iu përgjigj shkurt: “Po!”.  Pastaj vijoi të rrëfejë se i pëlqen të rrijë në Shën Martë, sepse aty ndjehet i lirë, ndonëse i mungon rruga. Po kjo nuk do të thotë se i mungon edhe lidhja  me njerëzit, të cilët i takon në audiencat e përgjithshme e kur shkon në famullitë. Në fëmijëri, vijoi, më pëlqente të luaja futboll, por kisha këmbë të pasigurta, domethënë, nuk isha i fortë.

Së fundi, pyetja: “Çfarë dëshironte të bënte në vogëli, kur ishte katër vjeç?

E përgjigja: “Kasap”!








All the contents on this site are copyrighted ©.